Kryeministri Hashim Thaçi ka komentuar deklaratën e liderit të LDK-së, Isa Mustafa, i cili ditë më parë tha se “edhe me duar në xhepa do ta fitojë prapë Prishtinën”? Thaçi ka thënë se Mustafa me këtë deklaratë ka ofenduar qytetarët e Prishtinës.
“Është sezon vere, e në këtë kohë deklaratat mund të jenë pak më të lira. Realisht, në Kosovë nuk mendoj se asnjë lider ka komoditet për t’i mbajtur duart në xhepa. Qytetarët nuk janë aq naivë dhe injorantë për t’i vlerësuar kështu. Kjo më tepër është një fyerje ndaj qytetarëve të Prishtinës”, ka thënë Thaçi në vazhdimin e intervistës për numrin e së martës të gazetës Epoka e Re.
“Secili lider duhet ta kuptojë se ka përgjegjësi të llogaridhënies para qytetarit. Kushdo që zgjidhet nga qytetarët, zgjidhet të punojë, e jo t’i mbajë duart në xhepa. Ne duhet të punojmë të gjithë ta ndryshojmë Kosovën për të mirë edhe më shumë, në veçanti ta ndryshojmë Prishtinën më tepër”.
“Tjetra, edhe ashtu tash e 12 vjet qytetarët i shohin zyrtarët e Prishtinës me duar në xhepa. Prandaj, e ftoj z.Mustafa t’i nxjerrë duart prej xhepave e të punojë. Meqë Mustafa rrëzimin nga pushteti e ka të sigurt, e ftoj të mos i mbajë duart në xhepa, pasi mund të pësojë lëndime serioze në gropat e rrugëve të Prishtinës, të cilat s’po arrin t’i mbyllë dot”, ka thënë ndër të tjera Thaçi.kohaislame