12.7 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

Thaçi injoron Krasniqin

Më të lexuarat

Kryeministri Hashim Thaçi ka injoruar kryetarin e Kuvendit Jakup Krasniqi, të cilin ka “harruar” ta takojë për ta informuar rreth takimit që ka zhvilluar ditë më parë me homologun e tij serb, Ivica Dacic.
Shefi i qeverisë kosovare, ndonëse është treguar i kujdesshëm me presidenten e vendit, Atifete Jahjaga, kryeopozitarin Isa Mustafa e nënkryetarin e AAK-së, Blerim Shala, të njëjtën “zemërgjerësi” nuk e ka treguar edhe me kryeparlamentarin Jakup Krasniqi, i cili është edhe bashkëpartiak i Thaçit, shkruan “Zëri”.

Kjo shpërfillje e Thaçit në raport me Krasniqin shihet nga analistët politikë si “hakmarrje” e cila rezulton po ashtu në përçarjet e thella që kanë ndodhur dhe po ndodhin përditë në PDK, ndërmjet krahut të Thaçit dhe vetë Krasniqit. Ky i fundit, i pyetur nga “Zëri” se pse ju ka “harruar” kryeministri Hashim Thaçi, ai është përgjigjur shkurt: “Për këtë pyeteni Hashim Thaçin”.

Drejtori i Klubit për Politikë të Jashtme, Alban Bokshi, mostakimin e kreut të Kuvendit nga ana e kryeministrit e lidh kryekëput me marrëdhëniet e acaruara ndërmjet tyre.

“Tash ata dy i kanë raportet e acaruara, është e pritshme që ta anashkalojë sidomos duke marrë parasysh mënyrën e të bërit politikë të Hashim Thaçit. Sepse një udhëheqës të themi “normal” në një vend “normal” e takon edhe kundërshtarin politik, sepse ia kërkon detyra”, ka thënë Bokshi. Ndërkaq, ka shtuar se kryeministri me këto takime po mundohet ta imponojë një pasqyre të normalitetit në vend, kur është e qarte se situata nuk është normale. “Mostakimi i kryeparlamentarit reflekton mosnormalitet institucional”, ka thënë Bokshi.

E ndërkaq, njohësi i zhvillimeve politike, Avni Zogiani, thotë se injoranca e kryeministrit kosovar që është treguar karshi kryeparlamentarit është një tregues i thyerjeve të thella mes Thaçit dhe Krasniqit.

“Kjo flet edhe për thyerjet e thella mes Thaçit dhe Krasniqit që kohëve të fundit janë shfaqur edhe publikisht”, ka thënë ai, duke shtuar se kjo shkon edhe përtej përplasjeve ndërmjet tyre, që është një tregues se si Qeveria nuk e bën “hesap” organin më të lartë ligjvënës. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit