10.5 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Teuhidi Uluhije

Më të lexuarat

Dijetarët islam e kanë bërë njohjen e teuhidit uluhije me shprehje të përafërta, vetëm se disa prej tyre janë më të gjata se të tjerat. Nga këto njohje që i kanë bërë dijetarët këtij teuhidi mund të përmendim:

  1. Njësimi i Allahut me veprat e robërve.[1]
  2. Njësimi i Allahut në adhurim.
  3. Njëhsimi i Allahut në të gjitha lojet e adhurimit, të dukshme dhe të brendëshme, qofshin fjalë apo vepra, si dhe mohimin e adhurimit ndaj çdokujt tjetër veç Allahut, kushdo qoftë ai.
  4. Dijetari Abdurrahman bin Sadi (Allahu e mëshiroftë!) i ka bërë një përmbledhje të përgjithshme këtij lloj teuhidi, duke përmendur komentimin dhe shtyllat e tij ku ka thënë: “Sa i përket përcaktimit, komentimit dhe shtyllave të tij, ai është  që të dijë robi dhe të vërtetojë me një dije dhe siguri të plotë se Allahu është i adhuruari i vetëm dhe i vërtetë dhe se cilësitë hyjnore dhe kuptimet e tyre nuk gjenden tek asnjë nga krijesat e Tij dhe nuk i meriton ato vetëm se Allahu i Lartësuar.”

Nëse kjo i bëhet e qartë dhe e pranon atë si të vërtetë, atëhere ai e njëson Atë me të gjitha adhurimet, të dukshme dhe të fshehta. Po ashtu, i kryen të gjitha detyrimet e dukshme të Islamit si: namazin, zekatin, agjërimin, haxhin, urdhërimin për të mirë dhe ndalimin nga e keqja, respektimin e prindërve dhe ruajtjen e të drejtave të Allahut dhe të robërve të Tij.

Gjithashtu, ky person i përmbahet bazave të besimit në Allah, engjëjt e Tij, librat e Tij, të dërguarit e tij, Ditën e Gjykimit si dhe caktimin e Allahut të mirën dhe të keqen. Ky njeri, me kryerjen e këtyre veprave, nuk kërkon gjë tjetër veç kënaqësisë së Allahut dhe arritjen e shpërblimit të Tij, duke pasuar kështu të Dërguarin e Allahut (salallahu alejhi ue selam).  Kështu, ai beson në çdo gjë për të cilën argumenton Kurani dhe Suneti[2]. Do t’i gjesh veprat e këtij personi që nuk dalin nga ato që ka urdhëruar Allahu dhe i Dërguari i Tij. Po ashtu, ai është ndjekës i të Dërguarit në moralin, sjelljen heshtjen  si dhe në të gjithë veprat e tij.[3]

Hafidh el Hakemi ka thënë në poemën e tij të njohur:

Ky është lloji i dytë i teuhidit

Njësimi i Zotit të Arshit prej shoqërimit.

Allahu të jetë Zoti i vetëm që ti adhuron

I bindur se askush veç Tij këtë se meriton.[4]

 

Emrat me të cilat e kanë emërtuar dijetarët  këtë lloj teuhidi

1.Teuhidi uluhije; (sikurse kemi folur dhe më lartë) është emërtuar me një emër të tillë, për shkak të lidhjes së tij me Allahun, apo me të njësuarin, sepse ai është i ndërtuar në sinqeritetin e plotë ndaj të adhuruarit dhe dashurinë e madhe për Të, të vetëm pa shok. Kështu që, kjo gjë kërkon sinqeritet në adhurim.

  1. Teuhidi i adhurimit; kjo si shkak i lidhjes së tij me njësuesin, i cili është robi dhe se ky përmban sinqeritetin në adhurimin e Allahut të vetëm pa shok.
  2. Teuhidi i dëshirës; sepse ai përmban sinqeritetin. Gjithashtu, teuhidi i dëshirës është i ndërtuar në kërkimin e kënaqësisë së Allahut dhe fytyrës së Tij në veprat që kryen njeriu.
  3. Teuhidi i qëllimit; sepse ai është i ndërtuar mbi qëllimin e sinqertë, i cili kërkon sinqeritetin në adhurimin e Allahut.
  4. Teuhidi i kërkesës; sepse ai në vetveten e tij përmbanë kërkesë dhe lutje që robi ia drejton Allahut.
  5. Teuhidi veprimeve; sepse ai përmban veprimet, qofshin këto të zemrës apo të gjymtyrëve.
  6. Teuhidi punëve; sepse ai është i ndërtuar mbi sinqeritetin në vepra dhe kryerjen e tyre vetëm për Allahun.

 

[1] Salih Feuzan në librin “Akidetu teuhid”  f.  36.

[2] Suneti i Profetit janë: veprat dhe thëniet e të dërguarit, si dhe të gjitha ato çështje  të cilat ai i ka pranuar prej sahabëve dhe nuk i ka ndaluar ata prej tyre

[3]  Abdurrahman Sadi “Kaulu sedid fi mekasidu teuhid”  f. 14-17,

[4] “Mukhtesar Mearixh el-Kabul” Hafidh elHakemi,  f. 16.

Teuhidi uluhije është nga më të rëndëshishmit lloje të teuhidit, për shkak të këtij teuhidi janë dërguar profetët dhe janë zbritur librat e Allahut. Për shkak të këtij lloj teuhidi janë kryer shveshur shpatat e xhihadit dhe është bërë ndarja midis muslimanëve dhe jobesimtarëve.

Hafidh el Hakemi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë:

Allahu për këtë Profetët ka dërguar

Në adhurimin e Tij së pari për të ftuar.

Allahu librat i ka zbritur të qartësuar

Të vërtetën nga e kota në to ka dalluar.

Allahu të Dërguarin e Tij e obligoi

Me luftë kundër kush teuhidin e mohoi.

Që e gjithë feja t’i drejtohet vetëm  Atij

Fshehtazi e Haptazi dhe me përpikmëri.

Kështu, umetin e tij me të  e obligoi.

Të ashpër ndaj mohuesve në Kuran i cilësoi.[1]

Dijetari i njohur islam ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) ka treguar për rëndësinë e teuhidit të adhurimit (teuhid el-ibadeti) ku ka thënë: “Adhurimi i Allahut është gjëja që Allahu do dhe kënaqet më shumë, ndaj dhe për shkak të kësaj Ai i krijoi krijesat. Allahu thotë: ‘Unë nuk i kam krijuar xhindët dhe njerëzit për tjetër gjw, vetëm se të më adhurojnë .’”  (Dhariat, 56)

Me këtë teuhid Allahu ka dërguar Profetët dhe kjo duket qartë nga fjala e Nuhut, të cilën ia drejton popullit të tij. Allahu i Lartësuar thotë: “Ne e patëm dërguar Nuhun te populli i tij, e ai tha: ‘O populli im, adhuroni Allahun. Nuk keni zot tjetër përveç Tij. Unë kam frikë për dënimin tuaj në një ditë të madhe.” (Araf, 59)

Më pas, ka vazhduar të flasw ky dijetar duke thënë: “Me këtë lloj të teuhidit i ka cilësuar Allahu melaiket dhe profetët ku thotë: “Vetëm e Tij është çdo gjë që është në qiej e tokë. E ata që janë pranë Tij, nuk shprehin mendjemadhësi në adhurim ndaj Tij, e as nuk u bëhet (ibadeti) monoton. Ata e lartësojnë (Allahun) natën e ditën dhe nuk mërziten.” (Enbija, 19-20)

Allahu i ka nënçmuar ata të cilët tregojnë mendjemadhësi ndaj adhurimit të Tij me fjalën e Tij. “Zoti juaj ka thënë: ‘Mw lutni Mua, Unë do t’ju përgjigjem. Vërtet  ata që tregojnë mendjemadhësi e shmangen adhurimit Tim, patjetër do të hyjnë në xhehenem të nënçmuar. “. (Gafir, 60)

Ndërsa robërve[2] të Tij të zgjedhur ia ka bërë adhurimin cilësi të tyre. Allahu  i Lartësuar thotë:

” Është  një burim prej të cilit pijnë robërit e Allahut dhe e bartin atë ku të duan.” (Insan, 6)

” E robërit e Zotit janë ata që ecin nëpër tokë të qetë, e kur atyre me fjalë u drejtohen injorantët, ata thonë: ‘Paqë!’” (Furkan, 63)

Në një vend tjetër ky dijetar ka thënë: “Dije se nevoja e robit për Allahun është që ta adhurojë Atë të vetëm e të mos t’i shoqërojë Atij askënd. Ai nuk ka të ngjashën që mund të krahasohet, por i përngjan në disa raste nevojës së trupit që ka për ushqim dhe ujë, e ndërmjet tyre ka dallime të shumta.”

Vërtet realiteti i robit është trupi dhe shpirti i tij dhe këto nuk mund të drejtohen dhe përmirësohen vetëm nëse kthehen e mbështeten tek Allahu, i Cili nuk ka shok e as ortak, kështu që ai nuk qetësohet në këtë botë vetëm se me përmendjen e Tij. Ai (njeriu) përpiqet të kthehet tek Allahu  me veprat e tij dhe sigurisht që do ta takojë Atë, sepse ai nuk mund të arrijë sukses vetëm se me takimin e Tij.

Nëse robi arrin të gjej ndonjë lloj kënaqësie apo gëzimi tek dikush tjetër veç Allahut sigurisht që ajo nuk do të vazhdojë gjatë, porse ajo ndryshon nga një gjendje në tjetrën dhe nga një person tek tjetri. Ai mund të kënaqet me të në disa raste, ka raste që ajo do të kthehet në ankth e stres në kohën kur njeriu kënaqej e gëzohej me të. Ndodh që lidhja me të mund ta dëmtojë, po kështu edhe prezenca e saj.

Ndërsa  lidhja me Allahut pa tjetër që është e vazhdueshme dhe nuk ndërpritet, ajo është prezent në çdo kohë dhe në çdo gjendje,  ndaj dhe kudo që të jetë robi Ai është me të([3]ndaj dhe për këtë imami ynë Ibrahimi (alejhi selam), i dashuri i Allahut, ka thënë sikure e përmend Allahu fjalën e tij në Kuran: ” …Unë nuk i dua ata që humbin.”  (En’am, 76)

Kështu që gjejmë ajetin më të madh në Kuranin famëlartë : “Allahu është Zoti i vetëm, nuk ka Zot tjetër që meriton të adhurohet veç Tij. I Përjetshmi (pa fillim e pa mbarim) Vigjilenti (mbrojtësi dhe ruajtësi i gjithçkaje që ekziston)…”  (Bekare, 255) [4]

Dijetari Ibën Sad (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë për rëndësinë  e këtij lloj teuhidi: “Kjo është nga bazat më të mëdha në përgjithësi, si dhe nga bazat më të plota dhe më të rëndësishme. Në  të njëjtën e kohë shohim se kjo bazë është ajo e cila i jep njeriut sukses nëse e ruan atë, si dhe për shkakun e tij i krijoi Allahu xhindët dhe njerëzit. Allahu për shkakun e saj i ka zbritur shpalljet. Nëse njeriu do ta ruaj këtë bazë sigurisht që ai do të ketë sukses, ndërsa me humbjen e saj nuk ka vetëm se fatkeqësi dhe shkatërrim.”

Kështu që gjejmë se  të gjitha ajetet kuranore urdhërojnë në përmbajtjen e saj, ose ndalojnë nga e kundërta e saj, ose i gjejmë se flasin për shpërblimin e atyre të cilët i përmbahen asaj në këtë botë dhe në ahiret (botën tjetër), apo dallimin midis tyre dhe idhujtarëve (atyre të cilët i shoqërojnë Allahut shok).

Rëndësia e këtij lloj teuhidi del në pah gjithashtu dhe nga aspekti se të gjitha veprat e njeriut janë të lidhura ngushtë me të, po ashtu ky lloj teuhidi i përmbledh të gjitha llojet e teuhidit.[5]

 

[1] Mukhtesar Mearixh el Kabul Hafidh el Hakemi f, 16  Mearixu Kabul     1/ 432

[2] Nga emërtimet më të larta me të cilën i ka emërtuar Allahu robërit e Tij të cilët e adhurojnë atë është abd (rob). Ky emërtim tregon nënshtrimin e plotë që ka robi ndaj Zotit të tij, ndaj dhe gjejmë që Allahu e ka emërtuar me këtë cilësi profetin tonë Muhamedin (salallahu alejhi ue selam), i cili është njeriu më i lartë dhe më me pozitë tek Allahu.

[3] Allahu është me të, jo me qënien e Tij por me dijen, mbikqyrjen, ndihmën, etj.

Si dhe nga kjo fjali kuptohet se Allahu është me të, ngaqë ky njeri nuk pushon së kujtuari Atë dhe Allahu e di më së miri.

[4] “Mexhmuatuei fetaua”  Ibën Tejmije  f,  25.

[5]  Abdurrahman Sadi  “Koulu sedid fi mekasidu teuhid”

Argumentet rreth këtij lloj teuhidi janë të njëpasnjëshme në Kuran dhe Sunetin e Profetit (salallahu alejhi ue selam). Nëse shohim me vëmendje në to, gjejmë se Kurani ka përdorur forma dhe metoda  të ndryshme, në të cilat del qartë domosdoshmëria e njësimit të Allahut.

Shohim se ato herë vijnë në formën e urdhërimit të drejtpërdrejtë për njëshmërinë e Allahut, e herë vinë të ndërtuara mbi qëllimin e krijimit të xhindëve dhe njerëzve, sikurse i gjejmë ato që vijnë herë duke sqaruar qëllimin e dërgimit të Profetëve, here vinjë sqaruese për rëndësinë e zbritjes së librave. Në të njëjtën kohë shohim se ato vijnë edhe në formë qortimi për ata të cilët e kundërshtojnë atë (teuhidin), apo si treguese se cili është përfundimi i atyre të cilët i përmbahen atij dhe cili është përfundimi i atyre që e kundërshtojnë atë.

Mund të përmendim nga argumentet që flasin për domosdoshmërinë e njësimit të Allahut:

Allahu thotë: “O njerëz, adhurojeni Zotin tuaj, i cili ju krijoi juve edhe ata që ishin para jush, ashtu që të jeni të devotshëm (të shpëtuar).”  (Bekare, 21)

Allahu thotë: “…Pra adhuroje Atë dhe mbështetu tek Ai, se Zoti yt, nuk është i panjohur për atë që veproni.” (Hud, 123)

Allahu thotë: “Pra, le ta adhurojnë Zotin e kësaj shtëpie ( Kabes).”  (Kurejsh, 3)

Allahu thotë: “Adhuroni Allahun e mos i shoqëroni Atij askënd…. ”  (Nisa, 36)

Allahu thotë: “Thuaj! Ejani t’ju lexojë atë që me të vërtetë ju ndaloi Zoti juaj; të mos i shoqëroni Atij askënd….” (En’am, 151)

Allahu thotë: “Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos Tij…” (Isra, 23)

Allahu thotë: “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë.” (Dharijat, 56)

Allahu thotë: “Mos shoqëro me Allahun ndonjë zot tjetër e të hidhesh në xhehenem i qortuar dhe i larguar.” (Isra, 39)

Allahu thotë: “Ty të adhurojmë dhe prej Teje ndihmë kërkojmë.” (Fatiha, 5)

Allahu ka thënë: “Ne nuk dërguam asnjë të dërguar para teje e të mos i kemi shpallur atij se nuk meriton tw adhurohet zot tjetër përveç Meje, pra  vetëm Mua më adhuroni!” (Enbija,  25)

Allahu thotë: “Ne dërguam në çdo popull të dërguar që t’u thonë: “Adhuroni vetëm Allahun e largohuni djajve (adhurimit të tyre)!” (Nahl, 36)

Ndërsa  nga Suneti mund të përmendim Atë që e ka trasmetuar Buhari, Muslimi dhe të tjerë nga Muadh bin Xhebel (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se Profeti (salallahu alejhi ue selam) ka thënë: Isha bashkë me Profetin (salallahu alejhi ue selam)  hipur në një gomar, kur më tha: “O Muadh, a e di se kush është e drejta e Allahut tek robërit e Tij dhe e drejta e robërve tek Allahu?” Thashw: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dijnw!” Ai më tha: “E njerwzve tek Allahu është që ta adhurojnë e mos i shoqërojnë atij askënd, ndërsa e drejta e Allahut te robërit e Tij është që të mos dënojë askënd që nuk i shoqëron atij dikë.” I thashë: “A ti përgëzoj njerëzit?” Ai më tha: “Mos i lajmëro, sepse dembelosen.”([1])

Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë se Profeti (salallahu alejhi ue selam) kur dërgoi Muadh bin Xhebelin në Jemen i tha: “Ti do të shkosh në një popull nga banorët e librit, le të jetë e para gjë në të cilën do t’i ftosh ata, Adhurimi i Allahut…”([2])  Ndërsa në trasmetime të tjera të po këtij hadithi thuhet: “Le të jetë e para gjë në të cilën do t’i ftosh ata,  njësimi i Allahut”([3])

 

[1] Buhari 2856, Muslimi 43, Tirmidhi 2567, Ibën Maxhe 4286, Ahmed 13245.

[2]  Buhari 1458, Muslim 28,

[3]   Buhari 8372

Si çdo vepër tjetër edhe teuhidi i uluhije i ka shtyllat e tij. Disa dijetarë kanë caktuar për këtë lloj teuhidi dy kushte, ndërsa disa të tjerë kanë caktuar për të tri kushte, megjithatë do të mundohemi të flasim për to shkurtimisht.

  1. Sinqeriteti.Disa dijetarë e kanë emërtuar edhe si teuhidi i dëshirës, kështu që robi nuk dëshiron vetëm se një gjë të vetme dhe ai është Allahu i Lartësuar, pra nuk e shoqëron këtë dëshirë tjetër.
  2. Besnikëria.Kështu robi shpenzon të gjitha fuqitë  e tij në adhurimin e Allahut, Zotit të tij.[1]
  3. Njësimi i rrugës. D.m.th.: pasimi i rrugës së Profetit (salallahu alejhi ue selam).

Argumentet për këto tri shtylla janë të shumta, nga këto mund të përmendim:

Argumentet e sinqeritetit. Allahu thotë: “…Ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër, përveç që ta adhuronin Allahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij.” Bejine, 5.

Argumenti i Besnikërisë. Allahu thotë:” Nëse ata do të jenë besnik ndaj Allahut do të ishte mirë për ta.” Muhamed, 21.

Allahu thotë:” O ju që keni besuar! Kini frikë Allahun dhe jini me ata që janë besnikë (në fjalë dhe vepra).”  Teube, 199.

Argumenti i pasimit të rrugës së Profetit (salallahu alejhi ue selam). Allahu thotë: ” Thuaj! Nëse e doni Allahun, atëherë pasomëni mua që Allahu t’ju dojë.”  Ali Imran,  31.

Kështu pra nëse mblidhen tek personi këto të trija, atëhëre ai do të arrijë lumturinë dhe çdo të

mirë dhe nuk i pakësoset kjo mirësi vetëm nëse tregohet i pakujdesshëm për një nga këto të tri

shtylla.

 

[1] Teuhid bejne saili ue muxhijb, Ibrahim Bin Salih Khudejr  f, 14.

Teuhidi (njësimi) i Allahut dhe veçimi i Tij në adhurim është nga mirësitë më të mëdha, po ashtu, dobitë dhe frytet e tij nuk kanë të numëruar. Dobitë e teuhidit bartin në vetvete mirësitë e kësaj bote dhe botës tjetër. Nga mirësitë dhe dobitë e këtij lloj teuhidi mund të përmendim:

  1. Ai është mirësia më e madhe që i ka dhuruar Allahu njeriut, kështu që i ka udhëzuar ata drejtë tij. Allahu thotë në suren Nahl, sure e cila quhet edhe si surja e mirësive: ” Ai dërgon melaiket me frymëzimin e urdhërit të Tij kujtdo nga robërit e Tij që Ai dëshiron (duke u thënë): “Këshilloje njerëzimin se nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Meje. Pra më kini frikë Mua.” Nahl, 2.
  2. Shkaku i krijimit të xhindëve dhe njerëzve është përmbushja e këtij lloj teuhidi. Allahu thotë: “Unë nuk i krijova xhindët dhe njerëzit për tjetër, përveç që të më adhurojnë.” Dharijat, 56.
  3. Për plotësimin e këtij teuhidi ka zbritur Allahu librat, prej tyre Kuranin. Allahu thotë: “Elif, Lam, Ra. (Ky është) Libër, ajetet e të cilit janë radhitur (në mënyrë të përsosur, njëkohësisht) edhe shkoqitur nga i Dijshmi i të gjitha çështjeve në hollësi. Që të mos adhuroni tjetër përveç Allahut. Unë jam (dërguar) nga Ai qortues e përgëzues për ju.” Hud, 1-2.
  4. Plotësimi i këtij teuhidi është nga shkaqet më të mëdha për largimin e fatkeqësive, në këtë botë dhe në botën tjetër, po ashtu, ai është pengues i dënimit, sikurse është shpalosur qartë një gjë e tillë në historinë e profetit Junus (alejhi selam).
  5. Prezenca e  i këtij teuhidi te njeriu bën që ai edhe nëse futet në xhehenem (zjarr) të mos jetë në të përgjithmonë, edhe nëse gjendet në zemrën e tij besim sa fara e sinapit (hardellit).[1]

Në hadithin që trasmeton Muslimi, hadithin e shefatit, Allahu do t’i thotë engjëjve: “…Nxirrni prej zjarrit  të gjithë ata që kanë në zemrat e tyre besim, qoftë edhe sa fara e sinapit (hardellit).”

Pra, në këtë hadith bëhet fjalë për ata që e kanë njësuar Allahun, sepse idhujtarët nuk hyjnë në xhenet.

  1. Ky teuhid nëse plotësohet në zemrën e dikujt bën që ai të mos hyjë në zjarr, sikurse është trasmetuar në dy librat e saktë se profeti (salallahu alejhi ue selam) ka thënë: “Allahu e ka bërë harram zjarrin për atë i cili thotë La ilahe il Allah dhe kërkon me të kënaqësinë e Allahut.”
  2. Për ata të cilët i përmbahen këtij lloj teuhidi arrihet udhëzim  dhe qetësi e plotë në dynja dhe në ahiret. Allahu thotë: “Ata që besuan dhe besimin e tyre nuk e ngatërruan me besim të kotë, atyre u takon të jenë të sigurtë dhe ata janë në rrugë të drejtë.”. En’am, 82.
  3. Përmbushja e këtij teuhidi është nga shkaqet më të mëdha për arritjen e kënaqësisë së Allahut dhe shpërblimin nga Ai.
  4. Njeriu që do të jetë më i gëzuar me ndërmjetësimin ( shefatin) e profetit (salallahu alejhi ue selam), është ai i cili ka thënë La ilahe il Allah duke qënë i sinqertë në zemrën e tij.
  5. Pranimi i të gjitha veprave të jashtme apo të brendëshme qofshin, janë të lidhura ngushtë me këtë lloj teuhidi. Sa më shumë forcohet teuhidi dhe sinqeriteti aq më shumë plotësohen edhe këto vepra.
  6. Ai i cili është i sinqertë në teuhidin dhe imanin e tij, i lehtësohet kryerja e punëve të mira, si pasojë e shpërblimit dhe kënaqësisë së Allahut që ai pret, po ashtu, bëhet e lehtë për të lënia e të këqiave që ia dëshiron vetja, si shkak i frikës që ka ai prej zemërimit dhe dënimit të rreptë të Allahut.
  7. Teuhidi, nëse plotësohet në zemër, atëhere Allahu e bën të dashur për të besimin dhe ia zbukuron atë në zemrën e tij, si dhe ia bën të urryer kufrin, fiskun ( prishje, lajthitjen) dhe kundërshtimin dhe e bën atë nga të udhëzuarit.
  8. Teuhidi është shkak për lehtësimin e vështirësive të robit, si dhe i pakëson atij  dhimbjet.

Kështu që, nëse plotësohet teuhidi dhe besimi tek njeriu,  atëhere ai i përballon vështirësitë dhe mundimet i qetë dhe pa probleme, si dhe është i kënaqur me caktimin e Allahut.

  1. Teuhidi e liron njeriun nga robërimi i krijesave dhe lidhja e tyre, po ashtu, bën që ai të mos i frikësohet atyre, të mos shpresojë tek ata dhe të mos punojë për hirë të tyre.

Vërtet, kjo është krenaria e vërtetë dhe nderi më i madh, kështu që, me këtë je adhurues vetëm i Allahut,nuk i frikësohesh tjetër  veç Tij, nuk dorëzohesh dhe nuk mbështetesh vetëm se tek Ai. Nëse kjo realizohet, sigurisht që, është  vërtetuar suksesi dhe shpëtimi yt.

  1. Nga mirësitë më të mëdha të teuhidit, mirësi e cila është e lidhur vetëm se me të, është se nëse teuhidi plotësohet në zemra me një plotësim të vërtetë dhe me një sinqeritet të plotë, atëhere punët të cilat janë të  vogla kthehen të mëdha, si dhe shtohet shpërblimi për vepruesin e tyre në mënyrë të pa kufizueshme, si dhe bën që robi të jetë i përpiktë në thënie dhe në vepra dhe ia rregullon atij gjendjen. Allahu i Madhëruar thotë: “Kush kryen vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do t’i dhurojmë atij një jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t’u japim shpërblimin më të mirë për  veprat e tyre.”  Nahl, 97.
  2.  Allahu i ka premtuar atyre të cilët e vërtetojnë teuhidin me mëkëmbje dhe fitore, krenari dhe nderim, po ashtu, e ka lehtësuar për ta udhëzimin dhe ua ka bërë çdo gjë të lehtë. Allahu thotë: “E tashmë fjala (premtimi) ynë u është dhënë më parë robërve tanë të dërguar. Se ata, pa dyshim do të jenë të ndihmuar dhe se ushtria jonë do të jenë ata ngadhënjyesit.” Saf, 171-173.

Muauije trasmeton se e ka dëgjuar profetin (salallahu alejhi ue selam)të thotë: “Do të vazhdoj një grup njerëzish nga ymeti im të kapur pas të vërtetës, nuk do t’i dëmtojë ata kundërshtimi dhe përçmimi që i bëjnë njerëzit, derisa të vijë urdhëri i Alahut.”[2]

  1. Allahu largon prej njëhsuesve të këqiat e kësaj bote dhe botës tjetër, dhe i bën ata të jenë të qetë dhe të sigurtë.

Argumentet për mirësinë e teuhidit në Kuran dhe Sunet nuk kanë të mbaruara, megjithatë, kush e plotëson teuhidin sigurisht që ka për të arritur këto që thamë, apo edhe më shumë se kaq.

[1]  Sinap ( hardell ) bimë barishtore njëvjeçare me kërcell të gjatë, me gjethe të mëdha trekëndëshe me lule të verdha në majë që bën fara të vogla e të ndritshme e me shije të athët.

Shiko fjalorin e gjuhës së sotme Shqipe  f. 1754. Botimi i vjetër.

[2]   Buhariu 3442;  Muslimi 1921; Tirmidhiu 2229; Ibën Maxha 9.

Në Kuranin Famëlartë gjejmë se rrugët për thirrjën në teuhidin uluhije kanë ardhur të formave të ndryshme, nga këto rrugë mund të përmendim:

1. Urdhërimi i Allahut që të adhurohet vetëm Ai, Allahu i Lartësuar thotë:” Adhurojeni Allahun e mos i shoqëroni Atij askënd.”  Nisa, 36.

2. Ndalimi i adhurimit të tjetërkujt veç Allahut. Allahu thotë: “Pra mos i përshkruani Allahut shokë, duke qenë se ju e dini (që Ai nuk ka shokë).” Bekare, 22.

3. Lajmërimi i Allahut se Ai i ka krijuar krijesat që ta adhurojnë Atë. Allahu thotë: “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër përveç që të më adhurojnë. ” Dharijat, 56.

4. Lajmërimi se Ai i ka dërguar profetët që të thërrasin në adhurimin e Tij dhe të ndalojnë nga adhurimi i të tjerëve. Allahu thotë: “Ne dërguam në çdo popull të dërguar që t’u thonë: “Adhuroni vetëm Allahun e largohuni djajve (adhurimit të tyre)!” Nahl, 36.

5. Argumentimi me teuhidin rrububije për përmbajtjen e teuhidit uluhije, duke e ditur se Allahu është Krijuesi, Furnizuesi, Ai i cili na furnizon me të mira dhe të cilin nuk e shoqëron në jetë askush. Allahu thotë: “O njerëz, adhurojeni Zotin tuaj, i Cili ju krijoi juve edhe ata që ishin para jush ashtu që të jeni të devotshëm (të shpëtuar).” Bekare, 21.

6. Argumentimi për adhurimin e Tij duke qënë se Ai është Dobiprurësi, Ai i cili jep dhe ndalon, kështu që Ai i cili zotëron këto cilësi është që vërtet meriton të adhurohet.

7.  Argumentimi për domosdoshmërinë e njësimit të Allahut si pasojë se Ai është i veçuar me cilësitë më të plota dhe më të larta dhe këto cilësi Ai ua ka mohuar zotërave të idhujtarëve. Allahu thotë: “Atë adhuroje, e në adhurim ndaj Tij bëhu i qëndrueshëm. A mos di ndonjë që është i ngjashëm me të?”  Merjem, 65.

Allahu thotë: “Allahu posedon emrat më të bukur, kështu që luteni Atë me to.” Araf, 18. Allahu tregon për të dashurin e Tij (Ibrahimin) ku thotë: “Kur babait të tij i tha: “O babai im, pse adhuron atë që as nuk dëgjon, as nuk sheh, e as nuk ke ndonjë dobi  prej tij?” Merjem, 42.

8. Argumentimi se vetëm Atij i takon adhurimi duke vënë re preçizitetin  në krijimin e Tij, sa herë që robi kthjellohet dhe mendon duke medituar në të, sigurisht që i shtohet bindja edhe më shumë se Ai është që meriton të adhurohet.

Allahu thotë: “I cili ka krijuar shtatë qiej të renditur një përmbi një. Ju nuk mund të shihni asnjë gabim në krijimin e të Gjithëmëshirshmit. Kthe pra shikimin përsëri  a mund të shohësh ndonjë të çarë? Pastaj hidhe shikimin përsëri dhe përsëri. Vështrimi juaj do t’ju kthehet tek ju në një gjendje të turbulluar, të poshtëruar e të kapitur.” Mulk, 3-4.

9. Argumentimi për domosdoshmërinë e adhurimit të Allahut të vetëm e pashok me mirësitë e njëpasnjëshme me të cilat Ai i ka begatuar krijesat e Tij. Nëse njeriu mëson se çdo mirësi që ai posedon është nga Allahu i vetëm dhe se askush nga krijesat nuk mund të bëjë apo të sjellë dobi vetëm se me lejen e Allahut, i bëhet e qartë se Allahu është Ai i cili meriton të adhurohet i vetëm e pa shok.

Allahu thotë: “A nuk është Ai i cili krijoi qiejt e tokën dhe që për ju lëshoi shi nga qielli, nga ku Ne bëmë të lulëzojnë kopshte të begatë gjithë bukuri dhe kënaqësi, që për ju ka qenë e pamundshme t’i bëni të mbijnë bimët në to. A mos ka ndonjë zot tjetër pos Allahut? Jo, por ata janë popull që shtrembërojnë (të vërtetën). A nuk është Ai që tokën e bëri vendqëndrim e nëpër të rrjedhin lumenj, dhe asaj (tokës) i bëri (male) përforcuese, dhe në mes dy deteve bëri ndarje. A ka përveç Allahu zot tjetër? Jo, por shumica e tyre nuk e dinë. A nuk është Ai që i përgjigjet nevojtarit (të mjerit) kur ai e thërret, duke ia larguar të keqen e juve ju bën mbizotërues të tokës. A ka zot tjetër pos Allahut? Jo, por ju shumë pak përkujtoni. Ai që ju orienton në errësirat e tokës e të detit dhe Ai që pranë mëshirës së Tij (shiut), si lajmëtar të përgëzimit i lëshon erërat. Vallë, a ka tjetër zot pos Allahut? E lartë është madhëria e Tij nga çka ia përshkruajnë si shok. A nuk  është Ai që e filloi krijimin (e njeriut) e pastaj e përsëriti atë (e ringjall pas vdekjes) dhe Ai që ju furnizon nga qielli e toka. A mos ka zot tjetër pos Allahut? Thuaj: “Silni argmentet tuaja, nëse jeni të sinqertë!” Nemël, 60-64.

10. Argumentimi për adhurimin e Tij të vetëm, me pamundësinë e atyre që adhurojnë idhujtarët për diçka sado e vogël qoftë ajo. Allahu thotë: “A i përshkruajnë Atij shok  ata të cilët nuk mund të krijojnë asnjë send e ata (idhujt) vetë janë të krijuar. Ata (idhujt) nuk mund t’ju sjellin atyre ndonjë ndihmë e as veten e tyre nuk mund ta ndihmojnë.”  Araf, 191-192.

Allahu thotë: “Thuaj! Ftoni ata, të cilët i menduat (zota) pos Atij, e ata nuk mund të heqin prej jush mjerimin, as nuk mund të mënjanojnë.”  Isra, 56.

Allahu thotë: “O ju njerëz, ja një shembull veriani veshin pra: Vërtet ata që po i adhuroni në vend të Allahut, ata nuk mund të krijojnë asnjë mizë, edhe nëse mblidhen të gjithë për të, e po ashtu, nëse miza ua rrëmben atyre ndonjë send, ata nuk do të mund ta shpëtojnë atë prej saj. Kështu pra i dobët është edhe lutësi, edhe i luturi.”  Haxh, 73.

11. Përçmimi që i bëhet idhujtarëve të cilët lusin të tjerë në vend të Allahut, si në fjalë e Allahut: “A po adhuroni pra në vend të Allahut të tillë që nuk u sjellin kurrfarë dobie as dëmi?” Mjerë për ju dhe për ata që i adhuroni, përveç Allahut, po a nuk po kuptoni?”  Enbija, 66-67.

Po ashtu, në fjalën e Tij: “E kush largohet prej fesë së Ibrahimit përveç atij që poshtron vetveten. Ne atë e bëmë të zgjedhur në këtë botë, kurse në botën tjetër ai është njëri prej të lartëve.” Bekare, 130.

12. Sqarimi për dënimin e idhujtarëve të cilët lusin të tjerë në vend të Allahut, si dhe sqarimi i përfundimit të tyre dhe atyre që ata adhuruan. Në të njëjtën kohë Allahu bën të ditur se si do tu kthejnë krahët ata që i konsideruan si zota në vend të Allahut në kohën kur ata janë që kanë nevojë më tepër se kurrë për ndihmën e tyre. Allahu thotë: “E nga njerëzit ka të tillë që në vend të Allahut besojnë idhujt, që i duan (i madhërojnë) ata, sikur (që besimtarët e vërtetë e duan) Allahun, po dashuria e atyre që besuan Allahun është shumë më e fortë. E sikur që dinin ata që bënë mizori se kur do ta shohin dënimin (në botën tjetër), do të binden se e tërë fuqia i takon vetëm Allahut (e jo idhujve) dhe se Allahu është ndëshkues i rreptë. Dhe (sikur të shihnin) kur do të largohen ata që u prinin prej atyre që i ndiqnin (paria largohet prej atyre që u shkuan pas), e të gjithë e shohin dënimin dhe këputen lidhjet e tyre. E Ata, të cilët u patën shkuar pas do të thonë: ‘Ah, sikur të na lejohej një kthim (në dynja) e të largohemi prej tyre (prijësve) siç u larguan ata tash prej nesh!’ Kështu Allahu do t’ju paraqesë veprat që janë dëshprim për ta, e ata nuk kanë të dalë prej zjarrit.” Bekare, 165-167.

Allahu thotë: “Nëse ata i thërrisni, ata nuk dëgjojnë thirrjen tuaj, po të zëmë se dëgjojnë nuk mund t’ju përgjigjen juve  dhe në Ditën e Kiametit, ata do të mohojnë adhurimin tuaj ndaj tyre. E askush nuk të informon ty si i Dijshmi i çdo gjëje (Allahu).” Fatir, 14.

13. Sqarimi i përfundimit të njësuesve të Allahut dhe ajo që do të meritojnë ata në dynja dhe ahiret. Allahu thotë për imamin e muahidinëve (njësuesve) Ibrahimin (alejhi selam): “E kush largohet prej fesë së Ibrahimit përveç atij që poshtron vetveten. Ne atë e bëmë të zgjedhur në këtë botë, kurse në botën tjetër ai është njëri prej të lartëve.”  Bekare, 130.

Allahu thotë: “Ata që besuan dhe besimin e tyre nuk e përzien me besim të kotë, atyre u takon të jenë të sigurtë dhe ata janë në rrugë të drejtë.” Enam, 82.

14. Kundërshtimi i Allahut i atyre të cilët vendosin ndërmjetës mes tyre dhe Allahut dhe sqarimi se ndërmjetësimi nuk i përket vetëm se Atij, po ashtu ai nuk kërkohet vetëm se prej Tij. Nuk ndërmjetësohet Tek Allahu askush vetëm se me lejen e Tij dhe pasi të jetë i kënaqur me atë që ndërmjetësohet. Allahu thotë:” A mos kanë zgjedhur ndërmjetësues përveç Allahut? Thuaj! A edhe pse janë që nuk posedojnë asgjë e as nuk kuptojnë.” Thuaj! I tërë shefati (ndërmjetësimi) i takon vetëm Allahut, i Tij është pushteti i qiejve dhe i tokës, e më vonë vetëm te Ai ktheheni.” Zumer, 43-44.

Allahu thotë: “Kush mund të ndërmjetësojë te Ai, përveç me lejen e Tij?” Bekare, 255.

15. Sqarimi se ata që adhurohen në vend të Allahut, nuk mund t’u sjellin përfitim adhuruesëve të tyre në asnjë lloj forme, ashtu siç thotë dhe Allahu i Madhëruar: “Thuaj! Thirrni ata, të cilët i menduat për zota përveç Allahut!” Ata nuk posedojnë sa një grimcë as në qiej, as në tokë dhe as që kanë në to ndonjë pjesë dhe Ai nuk ka prej tyre ndonjë përkrahje. Dhe ndërmjetësimi nuk bën dobi te Ai, përveç atij të cilit Ai i jep leje, e kur hiqet frika nga zemrat e tyre (të ndërmjetësuesve), ata thonë: ‘Çfarë tha Zoti juaj?’ (rreth shefatit). Ata (engjëjt e lartë) thonë: ‘Të vërtetën.’ (u dha leje). Ai është më i Larti, më i Madhi.” Sebe, 22-23.

16. Sjellja e argumenteve dhe shembujve të cilat hedhin poshtë shirkun dhe tregojnë përfudimin e mjerueshëm të shirkut, si dhe bën që njerëzit e logjikshëm të largohen prej tij. Allahu thotë: “Kush i përshkruan shok Allahut, ai është sikur të bjerë nga qielli e ta rrëmbejë shpendi, ose si ai të cilin e gjuan era e stuhishme në ndonjë vend të humbur.”   Haxh, 31.

Muhamed bin Ibrahim el Hamd

Përktheu: Bledar Haxhiu

13.03.2006

Llojet e teuhidit janë të lidhura njëra me tjetrën dhe nga ajo që do të paraqesim më poshtë, do të bëhet e qartë për ne lidhja që ka midis teuhidit uluhije dhe teuhidit rrububije si dhe e kundërta.

  1. Teuhidi rrububije është i lidhur me teuhidin uluhije, d.m.th. kush pranon teuhidin rrububije duhet që patjetër të pranojë edhe teuhidin uluhije. Kush mëson dhe sigurohet se Allahu është Zoti i tij,  Krijuesi dhe Rregulluesi i çështjeve të tij dhe se ky Krijues e ka ftuar që ta adhurojë, del detyrë për të që ta adhurojë të vetëm dhe pa shok. Kështu që, nëse Ai është Krijuesi, Furnizuesi, që Ai i vetëm sjell dobi dhe dëm, del detyrë veçimi i tij në adhurim.
  2. Teuhidi uluhije përmban dhe teuhidin rrububije, pra me fjalë të tjera teuhidi rrububije hyn në atë uluhije. Kështu, nëse dikush e adhuron Allahun të vetëm, pa shok, patjetër që duhet të besojë se Ai është Zoti, Krijuesi dhe Furnizuesi i tij, sepse nuk adhurohet vetëm se Ai që ka në dorën e Tij dobi dhe dëm dhe që të tijat janë krijimi dhe caktimi.
  3. Teuhidi rrububije vendin e tij e ka në zemër dhe nuk del jashtë saj, ndaj dhe është quajtur teuhidi i njohjes dhe pohimit, apo teuhidi i dijes. Ndërsa teuhidi uluhije përmbledh punët e zemrës dhe të gjymtyrëve, pra nuk mjafton për të vetëm puna e zemrës, sepse ajo kërkon edhe veprat të cilat kryhen për Allahun të vetëm e pashok.
  4. Nëse teuhidi rrububije gjendet tek njeriu ai nuk është i mjaftueshëm, kjo sepse teuhidi rrububije është i mbjellë në natyrshmërinë e njeriut. Nëse ai do të ishte i mjaftueshëm atëherë njerëzit nuk do të kishin nevojë për dërgimin e të dërguarve dhe as për zbritjen e librave. Nuk është e mjaftueshme që njeriu të pohojë se Zoti ekziston dhe se Ai meriton cilësitë më të larta dhe se është i Vetmi Krijues që të jetë njësues. Njeriu nuk është njësues vetëm nëse dëshmon “Se nuk ka të adhuruar tjetër me meritë përveç Allahut”, të pranojë se Allahu është i vetmi që duhet të adhurohet dhe ta adhurojë Atë në përputhje dhe me atë që kërkon kjo dëshmi.
  5. Teuhidi uluhije është ai për të cilin janë dërguar profetët. Për shkak të këtij teuhidi kanë ndodhur përplasjet midis profetëve dhe popujve të tyre. Ja se si i është përgjigjur populli i Hudit, Hudit alejhi selam kur u ka thënë: “Adhurojeni Allahun, ju nuk keni zot tjetër veç Tij.” Araf, 59.

Ata thanë: “A na erdhe (të na frikësosh) që të adhurojmë vetëm Allahun e të braktisim atë çka adhuronin prindërit tanë?” Araf, 70.

Apo ashtu siç i kanë thënë kurejshët Profetit kur u urdhëruan ta njësonin Allahun në adhurim: “A mendon ai t’i bëjë zotat Një Zot të vetëm? Vërtet, kjo është gjë shumë e çuditshme!” Sad, 5.

Ndërsa teuhidin rrububije ata nuk e kanë kundërshtuar, aq sa dhe Ibisi nuk e ka kundërshtuar atë: “(Iblisi) tha: “Zoti im, për shkak që më përzure (më largove).” Hixhër, 39.

  1. Këto dy lloje të teuhidit kur bashkohen (përmenden njëri pas tjetrit), ndahen dhe kur ndahen bashkohen (e përfshijnë njëri-tjetrin). Këtë mund ta shpjegojmë në këtë mënyrë, nëse këto dy lloje të teuhidit përmenden të dyja, atëherë çdonjëri prej tyre ka kuptimin e veçantë, sikurse në fjalën e Allahut: “Thuaj! Mbështetem (mbrohem) me Zotin e njerëzve. Sunduesin e njerëzve. Të adhuruarin e njerëzve.” Nas, 1-3.

Në këtë kontekst, kuptimi i fjalës Zot është: Sundues, Rregullues dhe ky është teuhidi rrububije.

Ndërsa kuptimi i fjalës adhurues është: “I Adhuruari me meritë të cilit i takon adhurimi, duke mos i shoqëruar askënd dhe ky është teuhidi uluhije.

Ndonjëherë ndodh që të përmenden të veçuara, por që kanë të njëjtin kuptim, si pyetja që i bëjnë engjëjt njeriut kur është në varr. Kush është Zoti yt? Dhe kuptimi i saj është kush është i adhuruari yt? Apo si në fjalën e Allahut: “Ata, të cilët vetëm pse thanë: ‘Allahu është Zoti ynë!’ u dëbuan prej shtëpive të tyre pa kurrfarë të drejte.” Haxh, 40.

Allahu ka thënë: “Thuaj! A të kërkoj Zot pos Allahut?” Enam, 164.

Apo si në fjalën e Allahut: “Zoti im është Ai i cili jep jetë dhe jep vdekjen.” Bekare, 258.

Apo si në fjalën e Allahut: “A nuk është Ai që i përgjigjet nevojtarit (të mjerit) kur ai e thërret, duke ia larguar të keqen e juve ju bën mbizotërues të tokës. A ka Zot tjetër pos Allahut? Jo, por ju shumë pak përkujtoni.” Neml, 62.

Përgatiti: Bledar Haxhiu

22.09.2006

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit