5.9 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Tërmeti moral i një shoqërie pa fajtorë – Redi Shehu

Më të lexuarat

Tërmeti moral i një shoqërie pa fajtorë

Nga Redi Shehu

Virtyti është fshehur si pasojë e arrogancës së njeriut, paaftësisë së tij për ta formatuar vetveten në versionin e tij pozitiv. E mira sot ka më shumë se kurrë veti avulluese, zhduket menjëherë nga kujtesa e cila pushtohet kokëfortësisht nga mosmirënjohja dhe egoizmi. Në kohën kur mashtrimi dhe hipokrizia heqin hopthi vallen e së vërtetës, poshtërsia dhe maskarallëku asfiksojnë çiltërsinë, imoraliteti turbullon shqisat dhe ndjesitë, ecja nëpër shtegun gjithnjë e më të ngushtë të së drejtës bëhet pothuaj e pamundur. Zhveshja e shpirtit dhe e trupit nga petku i së moralshmesështë kthyer në rutinë, ndërkohë që fisnikëria mbetete trembur duke qenë diçka gjithnjë e më e rrallë. Respekti dhe dashuria, në arratisje e sipër, kundrojnë shoqërinë tonë si të ishte një rrënojë lufte me viktima që ecin. Egoistë e mashtrues, karrieristë e gënjeshtarë, të fëlliqur e imoralë, të korruptuar e korruptonjës, kërcënues e të pashpirt, janë të shumtë e të fuqishëm, gjithnjë më të pasur dhe prepotentë.

Një konkurrencë e pamat në garën për të dalë i pari në një botë ku shiriti i finishit përbën fillimin e fundit të secilit. Një botë ku pasuria shkëlqen vetëm në dukje, duke fshehur me vezullime verbuese honet e pafundme që fshihen nën të. Vringëllues të shpatave prej gjuhe, vrasin e presin realitetin dhe pastaj kthehen të pikëlluar në funeralin e së vërtetës të mallëngjyer me lot të parafabrikuar. Njerëz të vobektë, shpesh miopë e të paditur, servilë dhe karrieristë potencialë, anarkistë për nga natyra, politikëbërës të detashmentit kuadrat, me personalitet të lënë te pragu i shtëpisë, pinë symbyllazi kupën e helmët të brohoritjes fatale për fitoren e mundshme të një gare me pistë tatëpjetë. Një prirje drejt grarizimit të burrave dhe mustaqezimit të grave ka përmbysur ekuilibrat e shoqërisë. NjëOJQ-izim i klasës intelektuale e ka tkurrur kapacitetin përmirësues të kombit. Me një trendy për të mbuluar injorancën me gjoja sjellje apo mënyra komunikimi tërheqëse, me një imazh të depiluar, ne i largohemi çdo ditë e më shumëasaj që përbën traditën duke u endur nëpër shtigje apo sokaqe të rrezikshme pa tabela dhe pa udhërrëfyes.

Një shoqëri zemrash të vdekura që qëndron gjallë vetëm për inerci, ku çdo përpjekje për përmirësim në drejtimin e gabuar vetëm se e përkeqëson atë. Në dukje e pashpresë, por, në thelb,krejtësisht e mundshme për t’u riaftësuar, shoqëria jonë endet skajeve të civilizimeve duke i ngjarë një foshnje në djepin e gabuar. E formuar nga një tërësi kopjimesh të keqvendosura, ajo i shëmbëllen një makine të sajuar me pjesë këmbimi të marra hua. Parime që braktisen me nxitim në këmbim të çastit,së cektës dhe kalimtares. Pajtim i njësuar me të keqen shoqëruar me mosbindje civile ndaj çdo gjëje që evokon virtyt. Unitet i konsoliduar për të luftuar, përçmuar, përbuzur, sharë e këputur çdo filiz të freskët mirësie në cepin e trungut të zgavruar të shoqërisë sonë.

Popull i majtë e popull i djathtë, pa semaforë e rrugë të vijëzuara, që aksidentohet në mënyrë ciklike në të njëjtin vend, nga të njëjtat shkaqe dhe pothuaj nga të njëjtët njerëz. Shëmbëllen një fatkeqësi e vulosur për një popull si i yni që herët pat dëshiruar të ishte një bashkësi njerëzish me rregulla, por që në rrugën pa tabela të historisë së tij u përplas, më shumë se më këdo tjetër, me veten e vet.Të vetmuar në rrugën tonë të të shkruarit të historisë së prapthi, kërkojmë aleatë e rrugëzgjidhje në mesin e një errësire të plotë. Një tango fatkeqe e rrugëtimit tonë me dy hapa para e dy prapa, një çiftëzim fatal ndjenjash e qëllimesh politike, një varrmihje kombëtare e kthyer tashmë në profesion, bëjnë të heshtin brohoritje, të ngrijnë buzëqeshje, të thahen e të rrudhen zemra.

Shoqëri pa fajtorë

Shoqëria nuk është një abstraksion,është bashkësia e vullneteve të ndërgjeshme, dhe ajo sot ndodhet në një fazë të përparuar të dekadencës. Për ta vërtetuar këtë përfundim, na duhet që të arrijmë në konkluzionin se dekadenca e saj është e tillë, bazuar në krahasimin me një model apo me një standard e cili përbën edhe referencën nga e cila ne mund të përcaktojmë degradimin ose jo të saj. Në fakt, shoqëritë janë pasqyrime të njerëzve të cilët përbëjnë edhe vetë atë shoqëri. Janë pasqyrime të një galatike ndërgjegjesh njerëzore të cilat në formë ritmike i japin jetë kësaj bashkësie. Për ta parë se si është natyra e shoqërive të sotme, na duhet të shohim se si është natyra e ndërgjegjes njerëzore si thelbi i shoqërisë, si palca e thurjes sociale sot.

Për hir të së vërtetës, nuk ka pasur ndonjëherë një shoqëri relativiste e cila të ishte e aftë të asgjësonte konsensualitetin e kuptimit të ligjeve morale. Jo vetëm kaq, por nuk ka pasurndonjëherë një shoqëri që të ishte aq e aftë sa të asgjësonte pendimin si proceskrejtësisht moral. Sot, nuk ka vetëm një shoqëri, sot ka një globalizim shoqërish të relativizmit moral, për rrjedhojë ka një globalizim të humbjes së ndjenjës së pendimit.

Shumë mendimtarë kanë thënë se parimet morale kanë tipare të pandryshueshme, mirëpo relativizmi moral i shoqërive të sotme i asgjëson këto tipare të qëndrueshme,asgjësonkthjelltësinë te njerëzit dhe zhduk dritën me të cilën qytetërimet janë ndërtuar. Por ama, drita e qytetërimeve është ngritur mbi parime të pandryshueshme,pra ka qenë e bazuar mbi parime morale. Që të gjallosh brenda këtyre parimeve morale do të thotë që të jetosh shpirtërisht. Pa shpirt nuk mund të kuptohen, as të aplikohen, parimet morale.

Kohë më parë, Peter Maurin dhe Dorothy Day patën përkufizuar shoqërinë virtuoze si baza e qytetërimeve, duke u mbështetur në postulatin se një shoqëri e mirë është ajo shoqëri që ta lehtëson punën për të qenë njeri i mirë. Një shoqëri e lirë është ajo shoqëri që ta lehtëson punën për të qenë njeri i lirë. Që të jesh i lirë dhe të jetosh i lirë do të thotë se duhet të jetosh shpirtërisht, sepse vetëm shpirti është i lirë. Ajo që po ndodh me shoqëritë relativiste sot, është se duke zhbërë kuptimin e ligjeve morale, duke atomizuar, thërrmijëzuar dhe subjektivizuar kuptimin e të qenit i mirë dhe i lirë, në thelb është ekzekutuar shpirti, është futur brenda një burgu që rrethohet nga një liri e përciptë,mashtruese. Është kjo natyrë e shoqërive të sotme të cilën Hannah Arendt e përkufizonte si krizë autoriteti, krizë e autoritetit moral që shpërfaqet si kaos. Krizë e të kuptuarit se parimet morale që në thelb janë të pandryshueshme, janë objektive dhe mbi të gjitha, janë parime universale.

Përpiqemi më kotbrenda nesh t’i japim kuptim gjërave që na ndodhin. Kërkojmë të jemi të qartë, por e shohim se gjithçka është e pamundur në këto shoqëritë tona pa fajtorë. Faji dhe ndjenja e fajësisë ngelen jetime në shoqëritë pa rregulla, pa moral të qëndrueshëm. Nëse nuk ka rregulla absolute,por relative, atëherë përse duhet ndjenja e fajit? Përse duhet dhe mbi ç’bazë bëhet dënimi? Dr. Peter Kreeft i Universitettit të Yale thotë se eksperienca na mëson se ne mund të krijojmë modele të ndryshme, por nuk mund të krijojmë morale të ndryshme. Ne nuk mund ta shndërrojmë vrasjen, vjedhjen, përdhunimin dhe tradhtinë nga veprime imorale në veprime normale. Moralet janë një formë software-i i instaluar me njeriun që në lindje. Ne nuk mund të krijojmë moral të ri, ashtu siç nuk mund të krijojmë ngjyra të reja, ashtu siç nuk mund të krijojmë një univers të ri. Ato janë të dhëna dhe ne vetëm se i përshtatemi atyre. Ne, si qenie, nuk mund të krijojmë një rend të ri moral. Ajo që mund të bëjmë është refuzimi i këtij rendi, por jo krijimi i një rendi të ri. Pra, mund të vendosim të vrasim, të përdhunojmë, të vjedhim e të tradhtojmë, por nuk mund të sanksionojmë një rregull ku vjedhja, përdhunimi, vrasja dhe tradhtia të jenë detyrime morale për të gjithë.

“Moraliteti – thotë Alija Izetbegoviq – nuk është prodhim i mendjes as si parim. Mendja vetëm hulumton dhe përcakton marrëdhëniet ndërmjet sendeve. Mendja, pra, edhe nëse orvatet të përcaktojë teori të reja moderne të moralit, si subjektivizmi moral, relativizmi kulturor, egoizmi etik, utilitarianizmi apo teorinë e Kantit mbi përcaktimin e së mirës dhe së keqes me anë të logjikës etj., qëndronbrenda përpjekjes së saj hulumtuese dhe jo krijuese të një koncepti të ri mbi moralin. Në këtë kuptim, për të gjetur referencën nga e cila do të duhej të kuptonim dekadencën tonë, nuk ka rrugë tjetër përveç referencës bazuar mbi kriterin moral si entitet objektiv, transhistorik dhe transkulturor.

Tërmeti moral

Qenësia jonë në këtë botë jonëpërbëhet prej një orkestre çastesh të njëpasnjëshme, të cilat padyshim që kanë tingëllimën e vet. Të intonuara në një domethënie shkakësore, ku piramida e të cilave shpesh vjen e renditet rrëmbyeshëm duke shkulur e marrë me vete aktualen, çasti është i vetmi element i cili jeton në të tashmen më pak se çdo gjë tjetër dhe është i vetmi element që kalon në të shkuarën më shpejt se çdo gjë tjetër. Çasti është një mrekulli më vete i cili mbart domethënien e të qenit tani, i cili shpërdorohet në mënyrën të frikshme nga të gjithë ne, pothuaj siç bëjmë me çdo mrekulli tjetër që na rrethon, sepse, medoemos ne, qenia e epërme e ekzistencës, jemi velur nga mrekullitë. Për ne mrekullia është rutina e radhësqë pason tjetrën, madje atmosfera që na rrethon, jeta, natyra, thjesht kthehen në mrekulli të bezdisshme, të përditshme. Kështu ndodh edhe me çastin, mrekullinë e radhës që ikshëm zvenitet pa peshën e duhur.

Pesha e çastit tonë sa vjen dhe bëhet më e lehtë duke e bërë atë gjithmonë e më të ikshëm, pikërisht prej paaftësisë dhe dëshirës për ta mbushur me gjëra plot kuptim, me vlera e virtyte që fuqishëm do ta rrisin peshën specifike të tij. Ankohemi se koha po na ikën shumë shpejt, se e tashmja është bërë e djeshme dhe se e nesërmja paska ikur tashmë. Jo vetëm kaq, por çasti tek ne edhe pse është specifikisht i lehtë, është ndër të tjera edhe i keq. E përditshmja e mbushur me një pafundësi çastesh të ikshme të ngarkuara me vrasje, vjedhje, abuzime, mashtrime e kotësi. Ne, peshën specifike të çastit e kemi të rëndë në të keqen dhe të lehtë në të mirën. Prandaj, e përditshmja na rëndon në pesimizëm dhe nuk na gëzon në optimizëm, ngase çasti është i shpërdorur, i abuzuar dhe i deformuar. Ne nuk e duam veten sepse nuk e duam dhe e vlerësojmë çastin, atë frazën tonë të famshme “një sekondë”, emblemën e të treguarit sa keq dimë për kohën. Ne nuk e duam vendin sepse nuk e peshojmë politikisht çastin, nuk e duam familjen sepse nuk u japim të afërmëve çastin që u takon. Ne e vrasim shoqërinë sepse ua grabisim të tjerëve çastin. Ne nuk kemi sukses sepse për një çast mashtrojmë me çastin.

Edhe fatkeqësitë janë çaste që dalin nga statusi i të qenit “i ikshëm” dhe ngulen në histori si stacion përkujtimi që trondit. Janë çaste kur dijet e avancuara shkencore dhe teknologjike, me gjithë kompleksitetin e tyre, nuk arritën që t’i bëjnë pikërisht këto çaste më pak të tmerrshme dhe më pak shkatërruese, me pak fjalë, t’i bëjnë sa më të “ikshme”. Jo vetëm kaq, por nuk janë në gjendje të përcaktojnë çastin e tmerrshëm të radhës, në terma kohe dhe intensiteti. Tërmeti real, ai që ndodh për një çast, nuk është i vetëm, ai është produkt i diçkaje, është konkluzion i një procesi të mëparshëm, ai nuk mund të vijë kështu papritmas pa një kuptim logjik. Është naive të mendohet se në një botë ku gjithçka merr kuptim dhe çdo gjë realizohet bazuar në kuptimin e gjërave, të ndodhin çaste të emancipuara dhe të pavarura nga kuptimi. Nëse gjallojmë brenda një kuptimi të gjërave dhe përpiqemi gjithë jetës tonë t’i japim kuptim sjelljes sonë dhe ambientit, atëherë nuk mund të pretendohet se ajo që na rrethon nuk ka fare pikë kuptimi.

Çasti i tërmetit është moment jo vetëm fizik. Fizikja është ana e jashtme e ngjarjes, është ana e dukshme nga të gjithë. Çdo gjë tjetër që na rrethon përveç së jashtmes, fizikes, është e përbëra nga një thelb metafizik përtej çdo gjëje të dukshme. Ky thelb e shoqëron edhe njeriun i cili, edhe pse është qenie fizike në dukje dhe imazh, në esencën e tij ai është një qenie metafizike dhe dallon nga çdo gjë tjetër nga morali si tipar i posaçëm i tij. Prandaj, morali është një përkatësi përtej fizikes, ai është pjesë e transcenduar tek njeriu nga një dimension i jashtëm i vetëm dhe superior. Është program i instaluar prej lindjes,që bën dallimin e njeriut nga qeniet e tjera, pikërisht morali përcakton të mirën dhe të drejtën në një shoqëri. Përmes moralit ne bëjmë krahasimin e vetes dhe të tjerëve brenda shoqërisë. Është morali nga i cili në mënyrë të vazhdueshme kërkohet të iket përditë në shoqëritë tona të hallakatura. Është një ikje nga njeriu drejt bustit, nga vlera drejt imazhit, nga thelbi drejt sipërfaqes.

Asgjë nuk ndodh rastësisht, ashtu siç edhe ekzistenca jonë nuk është e rastësishme. Rastësia është ekuivalenti i kaosit, dhe nëse pranojmë rastësinë,atëherë ne duhet të pranojmë se ekzistojmë në një botë të kaosit. Por, ama, secili prej nesh e di shumë mirë se kjo nuk është hiç e vërtetë. Ne jemi dëshmitarë të ekzistencës së saktësisë absolute dhe mijëra mrekullive që na shoqërojnë përditë, të cilat na janë bërë rutinë. Mrekulli, që me saktësi administrohet toka e qielli në të cilat ne gjallojmë përditë. Atëherë, si mund ta veçojmë çastin e tërmetit si një rastësi brenda një bote precize? E nëse çasti i tërmetit nuk është rastësi, atëherë ai duhet të ketë një domethënie, dhe domethënia e tij nuk është veçse një kriter bazuar mbi logjikën e pasojës, si kurorëzim i shpagimit të tërmetit moral.

Tërmeti real është kuptimi, përmbledhja, konkluzioni i tërmetit moral i cili nuk ndodh vetëm për një çast. Tërmeti moral është një bashkësi dekadente çastesh të ikshme të cilat lënë gjurmë fluide në galaktikën e ndërgjegjeve njerëzore të cilën e quajmë shoqëri. Tërmeti moral nuk është një nocion abstrakt. Ai është një proces konkret i cili ka zanafillën dhe zhvillohet në vazhdimësi duke modifikuar kuptimin e vet deri në atë pikë sa absurdja të duket normale, e keqja të duket reale dhe e liga të pushtojë ndërgjegjet njerëzore, derisa pllakat tektonike të shpirtit në botën moderne, të përplasen me njëra-tjetrën drejt një çasti vendimtar. Një çasti, në të cilin papritmas e kupton mungesën e sensit të përkatësië dhe çdo gjë që të rrethon të duket e pakuptimtë dhe e pashpresë. Një çast në të cilin e kupton se ke vdekur së brendshmi teksa gjallon përditë rrugëve të qytetit.

Ne kemi refuzuar përherë t’i japim një kuptim dukurive, sepse na është thënë dhe mësuar se ne jemi të rrethuar nga disa ngjarje krejt natyrore të cilat, ashtu thjesht, ekzistojnë, ndërveprojnë krejt rastësisht. Kjo qasje, kjo arratisje nga transhendentja dhe metafizikja e ka bërë njeriun e sotëm të mos ketë përgjigje për dilemat morale që pareshtur e shqetësojnë. Nëse pranojmë kaosin në ekzistencë atëherë as tërmeti moral nuk ka kuptim dhe as tërmeti real po ashtu, sepse ndryshe nuk do t’i quanim “fatkeqësi”. Nëse ka rastësi, atëherë çdo ngjarje që ndodh duhet të konsiderohet normale brenda idesë së kaosit dhe çrregullimit, brenda botës së ngushtë së atomeve dhe molekulave. Nuk duhet konsideruar si fat i keq sepse në botëkuptimin e kaosit çdo fenomen që ndodh është normal brenda efektit të probabilitetit që kaosi të sjell.

Por jo, ne i konsiderojmë fatkeqësi, sepse na del nga shpirti një term i tillë. Është fat i keq në raport me normalen që shtrihet brenda rregullit të përsosur dhe precizonit akut. Është fatkeqësi si përjashtim ndaj qëndrueshmërisë dhe natyrshmërisë normale të jetës njerëzore. Prandaj konsiderohet si një çast i cili dallon nga çastet e tjera. Është pikërisht ky dallim që mbart kuptimin dhe domethënien në raport me momentet e tjera të përditshmërisë tonë, dhe prej kësaj domethënieje ne kuptojmë se fatkeqësitë transformohen në mesazh. Por që një mesazh të arrijë qëllimin e vet ka nevojë për njerëz që dinë ta lexojnë, ta deshifrojnë dhe ta zbatojnë. Fakti që mesazhe të tilla po shtohen gjithnjë e më shumë dhe po bëhen gjithnjë e më tronditëse, tregon për një bashkësi ndërgjegjesh të çinteresuara e të shpërfillura ndaj çasteve gjithnjë e më të ikshme.

Burimi: Medius Communication Institute

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit