Vdekja e një inxhinieri elektronik amerikan në Singapor rrezikon të dëmtojë seriozisht marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe superfuqisë ekonomike aziatike. 31-vjeçari Shane Todd u gjet i varur në tualetin e apartamentit të tij në qytetin-shtet, autoritetet policore të të cilit deklaruan pa u vonuar se bëhej fjalë për një vetëvrasje.
Todd ishte punësuar nga një agjenci shërbimesh elektronike të specializuara dhe së fundmi ndihej i shqetësuar pasi dyshonte se puna që po bënte për firmën aziatike po cenonte sigurinë e vendit të tij amtar, SHBA.
Ai ua kishte shprehur disa herë shqetësimin në formë të matur prindërve të tij, të cilët nuk e kanë besuar pistën e vetëvrasjes që u është komunikuar nga policia e Singaporit.
Familja e të riut pretendon se ai është vrarë pasi celulari i tij është zhdukur, ndërsa online është postuar një mesazh me të dhënat e familjes së tij, që sipas kësaj të fundit nuk janë të sakta, transmeton TCH.
Për më tepër, kur familjarët e Shane kanë shkuar në Singapor për të marrë sendet personale të tij kanë gjetur një hard disk të fshehur, për të cilin nuk u kanë thënë gjë autoriteteve lokale.
Ngjarja ka ndodhur në shkurt, por është publikuar këto ditë në shtypin amerikan, i cili ka ndërmarrë një ofensivë të vërtetë hetimore pas denoncimit të prindërve të 31-vjeçarit.
Raportohet se famljarët e të ndjerit i kanë folur për çështjen mediave më prestigjioze si “Financial Times”, “Wall Street Journal”, CNN, etj, të cilat rezultatet e investigimit të tyre ia kanë dërguar shtetit amerikan.
Çështja ka mbërritur në Departamentin e Drejtësisë dhe në atë të Shtetit, madje në zyrën e sekretarit John Kerry, ndërkohë që në të është përfshirë edhe FBI-ja.
Agjentët e byrosë janë gati të shkojnë në Singapor për hetime, gjithmonë nëse vendi aziatik e lejon këtë. Nga ana e tyre, autoritetet e qytet-shtetit aziatik janë shprehur të gatshme të presin agjentët e FBI-së, me kusht që të vihen në dijeni për përmbajtjen e hard diskut.
Ndërkohë, kompania për të cilën punonte inxhinieri amerikan ka përgënjeshtruar deklaratat e tij, se po punonte për një projekt që mund të cenonte sigurinë e SHBA.
Shane Todd ishte i bindur se po punonte për zhvillimin e një amplifikuesi elektronik që mund të përdoret si për telefona normalë, ashtu edhe për aparatura radarësh ushtarakë.