H. Sherif Langu dhe një grup qeveritarësh të lartë dalë para Kryeministrisë Tiranë, Eqerem Bej Vlora, Lef Nosi, Dhimitër Berati, Ali Asllani, Rexhep Mitrovica etj.
Telegrami i dërguem nga Kryetari i Komunitetit Musliman Shqiptar Kryqit Kuq Ndërkombëtar rreth bombardimit të Pejës
Zotnisë së Tij
Presidentit Kryqit Kuq Ndërkombëtar
BERNË
Ngjarjet e luftës së tashmë dhe pasojat e saj tragjike mbi popullin Shqiptar, më kanë shtyrë t’i drejtohem, me cilësinë t’eme si Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipnis, Institutit të lartë humanitar të kryesuem prej Zotnisë s’Uaj, me lutje që të keni mirësinë t’ua njoftoni përmbajtjen e këtij telegrami autoriteteve kompetente aleate, Qendrave të Gjysmë-Hënës së Kuqe Turke, Egjyptase, Persiane, Irakjane dhe Indiane si dhe Komitetit Panarab.
Dy ngjarje tragjike e kanë goditur në kohët e fundit vendin t’em:
1) Bombardimi tragjik i Pejës shkaktoi më 13 gusht ‘944 një numër të madh viktimash, të cilat, simbas vërtetimeve më të fundit, arrijnë trimijë të vrarë dhe disa mijëra të plagosur, midis popullsis muslimane shqiptare, e cila ka qenë ajo vetëm e goditur, mbasi ajrorët aleatë kanë synuarë vetëm lagjet Muslimane.
2) Masakra janë kryem në Çamëri prej çetave të armatosura Greke të Zervës të cilat e kanë grirë në kohët e fundit popullsin civile shqiptare të Paramithis dhe të krahinave fqinje. Disa qindra Shqiptarë muslimanë, ndër të cilët Myftiu i Paramithis dhe shumë nga parija, janë masakruar pa mëshirë në këtë rast. Shumë katunde e xhamia janë plaçkitur e djegur dhe popullsia civile, e tmeruar nga rreziku i çetave të armatosura të Zervës, ka lënë krejt vendin. Afro njëzetmijë refugjatë kanë kaluar kështu lumin Kalama dhe kanë ardhur përkëndej për të kërkuar mbrojtje duke vuajtur tash nga mungesa e ushqimeve e të tjerave sende të nevojës së parë.
Nxitoj t’Ju shpreh me këtë rast falënderimet dhe ndjenjat e mirënjohjes së Komunitetit Musliman të Shqipnis dhe të mijat personale për ndihmat e para që Kryqi Kuq Ndërkombëtar pati mirësinë t’i japë kësaj popullsije fatkeqe.
Aktet e terrorizmit ajror janë për ne aq të çuditshme sa dhe të paprituna sidomos kur na shkaktohen nga ana e fuqive të Perandoris Britanike, e cila ka midis subjekteve të vetë besnikë milionë muslimanë krejt të lidhur në ç’do rast në fatin e saj, dhe e cila u ka premtuarë ndihmë dhe mbrojtje muslimanëve të ç’do vendi dhe në ç’do rethanë.
Duke shprehur ndjenjat e dhimbjes së thellë të të gjithë popullsis muslimane të Shqipnis, shohim me keq-ardhje se fuqit Anglo-Amerikane dhe aleatët e tyre Ballkanike vazhdojnë të kryejnë masakra, të cilat ndër këto të fundit janë të frymëzueme prej urrejtjes fetare dhe prej urrejtjes raciale. Këto akte terrorizmi goditin edhe fëmijt e grat dhe e zgjatin kështu martirologun tridhjetëvjeçar që populli musliman Shqiptar i Kosovës dhe i Çamëris ka vuajtur ndën sundimin serb dhe grek që prej luftës ballkanike e tëhu. Edhe gjatë kësaj lufte lista e vuajtjeve të hidhta përmban shumë viktima, që kanë rënë ndër ngjarje tragjike. Nga më të dallueshmit, përmendim masakrimin e afro 5.000 muslimanëve i ndodhun në muejin Jenar 1943 në krahinën e Bihorit midis Malit të Zi dhe Shqipnis dhe i shkaktuar prej sulmeve agresive të çetave çetnike serbo-malazeze. Herë mbas here sulme të reja ndodhin kundër krahinave Shqiptare të Kosovës – qoft nga ajri prej ajrorëve aleatë, qoftë nga toka prej çetave serbo-malazeze të ç’do tendence.
Do t’ish mirë që zhvillimet e rënda të luftës të mos shtrihen mbi një popullsi të pambrojtun dhe mbi qytete që nuk përbëjnë asnji objektif ushtarak dhe kemi arsye të besojmë se aktet terroriste ajrore kundër popullsis s’onë myslimane janë kryer vetëm mbi shtytjen e fqinjëve t’anë armiq shekullorë të racës t’onë, të cilët nuk kërkojnë tjatër veçse çfarosjen e saj.
Po i drejtohemi ndjenjave njerëzore të Kombeve të Bashkueme dhe opinionit të tyre me qëllim që të bëjnë pranë Komandave të tyre përkatëse ndërhyrjet e nevojshme me qëllim që akte terroriste të këtij lloji të mos përdoren kundër popullit Shqiptar kaq shumë të goditur gjer më tash nga kjo luftë botore.
Kryetar i Komunitetit Musliman Shqiptar
H. SHERIF LANGU
* Gjuha është lënë si në origjinal me shumë pak korrigjime, ndërsa origjinali i dërguar është në frëngjisht dhe i botuar tre numra më pas (revista Kultura Islame, gusht 1944, nr. 12, fq. 347-348).
Roald Hysa
Roaldhysamagazine