1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Të vrasësh frikën… hapi i parë drejt ndryshimit

Më të lexuarat

Shpesh herë në biseda me besimtarë të ndryshëm, për gjendjen e trembur të disa hoxhallarëve apo edhe të krerëve të institucionit tonë, që i kanë hipur një ati’ që e kalërojnë si breshkë, u sjell si shembull krahasues ngjarjen e popullit të Musait…

Kurani është një libër i gjallë dhe gjallëria e tij do të thotë që jo vetëm ajetet e dispozitave tij t’i vësh në jetë, por edhe ajeteve të historive të popujve të shkuar duhet tu japësh gjallëri, duke i zbritur në realitetin që jeton. Nuk ka sesi të jetë ndryshe! Përse i Dërguari i Allahut dhe bashkëkohësit e tij kishin nevojë për histori të tilla, që kishin ndodhur para qindra e qindra vjetësh dhe ne nuk paskemi nevojë për të tilla histori sot, histori nga të cilat duhet të marrim mësim?! Historia siç thonë historianët, përsëritet, ajo vërtitet si një spirale ku çdo rreth i saj krijon paralelizëm me atë që është më sipër, por ndërkohë ka edhe kthesën që përbën veçantinë e saj.

Kur Allahu na tregon ngjarjen e Beni Israilëve, sesi ata hezitonin të luftonin për të hyrë në Palestinë thotë se ata i thanë Musait: “O Musa! Kurrsesi nuk do të hyjmë atje, derisa aty të gjenden ata. Kështu që shko ti dhe Zoti yt e luftoni, se ne do të rrimë këtu”.[1]

Po këtë ajet, pas qindra vjetësh, por në një realitet disi më ndryshe e përdori si argument krahasimi sahabi Mikdad ibn El-esued, para betejës së Bedrit. Ai i tha Profetit: “Ne nuk do të themi siç thanë Beni Israilët: Shko ti dhe Zoti yt e luftoni, se ne do të rrimë këtu”. Por do të luftojmë me ty…“[2] Tjetër situatë, tjetër kohë, por thelbi mbetet i njëjtë. Profeti nuk i tha e ke gabim, ajeti është për Musain dhe popullin e tij dhe nuk vlen për situatën tonë! Por i ndriti fytyra dhe buzëqeshja e tij ishte aprovim; vallë a mund të ishte diçka tjetër!?

kështu pra edhe sot ky Kuran që mbush faqet e verdha të librave të vjetër qindra vjeçar, nuk është një relike që duhet ruajtur në memorien muzeale të mendjeve tona, për të kundruar tempin dhe melodinë e tij sa herë që e dëgjojmë apo e lexojmë, por duhet të jetë Libri i realitetit tonë.

Por, le ti kthehemi përsëri historisë së Musait dhe popullit të tij, për të nxjerrë perla të tjera, tashmë në shkakun e fitores së paarrirë.

Zoti thotë: “Dy burra nga ata që i frikësoheshin Allahut dhe që Ai i kishte pajisur me mirësi, thanë: “Hyni në portën e qytetit! Kur të kaloni nëpër të, do të jeni fitues. Në qoftë se jeni besimtarë, atëherë mbështetuni tek Allahu![3]

Ata e kishin fitoren të garantuar nga Allahu, me kushtin që t’i mbështeteshin Allahut dhe … dhe çfarë? Të vrisnin frikën… të tregoheshin të guximshëm për të vepruar… dhe gjithçka mbaronte me hapin e parë! Nuk kërkohej prej tyre vetëm se të kalonin një prag … pragun e frikës…! Nuk e kaluan dhe u vërtitën për dyzet vjet shkretëtirave… ndërsa sahabët e kaluan dhe Islami erdhi deri në trojet tona… Po ne cilit umet i përkasim?!

Nuk është vetëm shtypja dhe skllavëria e tej zgjatur ajo që prodhon njerëz të trembur, por edhe rehatia e postit, e rrogës apo edhe komoditeti i kësaj bote dhe mungesa e dëshirës për t’iu futur telasheve. Dhe kështu pas shekujsh triumfe dhe fitore edhe vitet e rehatisë nuk vonuan të vinin dhe pas tyre për myslimanët një re e zezë barbarësh u shfaq nga lindja, një lukuni mongolësh që vërshojnë si bisha të etura për gjak nëpër botën islame… Historia kaq shekullore islame nuk parë kurrë më parë dhe as më pas një kasaphanë të tillë… shumë prej historianëve myslimanë nuk kanë gjetur dot forcë të përshkruajnë ato masakra, por gjithsesi ata si dëshmi për historinë kanë regjistruar skena të shumta të cilat ia vlejnë ti rikujtojmë. Ibn Ethiri, historianë myslimanë i asaj kohe, na tregon:

Më kanë treguar për banorët e atyre vendeve ngjarje, që nëse një njeri i dëgjon gati nuk i beson, sesi frika që Allahu u pat hedhur ndaj këtyre njerëzve pat mbërritur deri aty, saqë thuhet një njeri i vetëm prej mongolëve hynte në një fshat apo zinte ndonjë rrugë ku kishte një grup të madh njerëzish dhe i vriste një e nga një dhe nuk guxonte asnjëri prej tyre të zgjaste dorën drejt këtij kalorësi! Më kanë treguar se njëri prej tyre e kapi një burrë dhe mongoli nuk kishte me vete se me çfarë ta vriste dhe i tha: vërë kokën në tokë dhe mos lëviz, dhe ai e vuri kokën në tokë derisa mongoli shkoi gjeti një shpatë dhe erdhi dhe e vrau!”[4]

O Zot të qofshim falë, që nuk na ke sprovuar të jetonim në atë kohë! Ne që sot heshtim dhe nuk hapim gojën për të mbrojtur shenjtëritë e Tua dhe dinjitetin tonë islam… vallë dje çdo të kishim bërë?!

Nëse ka pyetje… përgjigjen e merrni te titulli… ose pak më poshtë… 

“Një njeri njëherë më tregoi: isha bashkë me shtatëmbëdhjetë burra në rrugë dhe përpara na erdhi një kalorës mongol dhe na urdhëroi që të kapnin njeri-tjetrin nga mbrapa për duarsh dhe kështu shokët e mi filluan të veprojnë si i urdhëroi ai. Unë u thashë: ky është një i vetëm, pse të mos e vrasim dhe t’ia mbathim?! Më thanë: kemi frikë. U thashë: ai kërkon që juve t’iu vrasë tani! E vrasim ne atë e ndoshta Allahu na shpëton! Pasha Allahun nuk guxoi asnjëri të bënte asgjë! Atëherë mora një thikë dhe e vrava vetë, kështu që ia mbathëm dhe shpëtuam.”[5]

Shyqyr Zotit jetojmë në një vend dhe një kohë kur nuk kemi nevojë të vrasim asnjë, por kemi nevojë ama si ky njeri të vrasim frikën tonë…, për të thënë hakun qoftë edhe para një prijësi despot që të pushon nga puna dhe të pret rrogën…

Bëhuni së paku ju o hoxhallarë shehid të fjalës, siç thotë Profeti juaj (salallahu alejhi ue selem): “Xhihadi më i madh është fjala e drejtë para sulltanit të padrejtë.”[6]

Kur në Shqipëri po frynin erërat e ndryshimeve dhe njerëzit kishin filluar të vrisnin frikën e regjimit komunist, unë isha një çunak pesëmbëdhjetë vjeç, ndonëse isha një adoleshentë në atë kohë dhe nuk mund të bëja më shumë sesa të merrja pjesë në ndonjë demonstratë popullore, krahas mijëra të tjerëve, duke mbështetur studentët e dhjetorit, që na treguan sesi vritet frika. Po edhe unë si të tjerët e përjetova ndryshimin e menjëhershëm që u ndodhi atyre mijëra njerëzve. Në mesin e studentëve të dhjetorit nuk kishte asnjë konspiracion, asnjë prapaskenë, asnjë dorë e huaj, asgjë e dyshimtë… veç guximit dhe etjes për ndryshim, dhe këtë gjë e di shumë mirë nga njerëz që kanë qenë pjesë e asaj lëvizje. Edhe ata kishin frikë, madje rrezikuan edhe jetën, e kush guxonte të ngrihej kundra kuçedrës së murrmë, që për dyzet vjet kishte vrarë me mijëra njerëz e kishte burgosur dhe internuar me dhjetëra e mijëra të tjerë?! Por fryma ndjehej kudo, era e ndryshimit i prekte njerëzit përditë e më shumë edhe ata po guxonin të flisnin dhe vetëm shkëndija pritej dhe atë e dhanë studentët dhe sa hap e mbyll sytë gjithë ngrehina e “diktaturës së proletariatit” u prishë, si të ishte një tigër prej kartoni nga ata që ‘xhaxhi Enver’ na i tregonte të për të mos ia pasur frikën armikut. Kaq lehtë…?! Po kaq lehtë! Vështirësia qëndron tek ne…

 

24/11/2008

 


[1] El-maide: 24.

[2] Buhari.

[3] El-maide:23.

[4] El-kamil fit-tarih 12/500.

[5] Po aty fq.500-501.

[6] Tirmidhiu. Nesaiu etj.

 

Justinan Topulli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit