-1.1 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Të vërtetat e thjeshta të cilat njerëzit shpesh i harrojnë

Më të lexuarat

Madje dhe njerëzit më të zgjuar vazhdimisht mund të bllokohen në rrugën e tyre përpara, sepse harrojnë atë që në fakt udhëheq me potencialin tonë që të përparojmë.


Me arsim dhe inteligjencë nuk do të arrini asgjë nëse nuk veproni

Nuk është e rëndësishme që e keni IQ-në e gjeniut dhe doktoraturën në temën nga fizika kuantike. Nuk mund të ndryshoni asgjë, ose të bëni ndonjë përparim të vërtetë pa ndërmarrë ndonjë veprim. Ekziston dallim i madh në mes njohurisë për atë se si të bëni diçka dhe veprimit të vërtetë. Dituria dhe inteligjenca janë të padobishme pa veprimin dhe aplikimin praktik.

Lumturia dhe suksesi janë dy gjëra të ndryshme

A njihni ndonjë person jashtëzakonisht të zgjuar dhe të suksesshëm, i cili fiton shumë para, por megjithatë ndihet shumë depresiv, i vetmuar, rrallë qeshë dhe vërtet i lumtur? Nëse jo, a e njihni dikë historia e jetës së të cilit nuk mund të klasifikohet tamam si rrëfim për suksesin, por sidoqoftë ai person është i gëzuar, optimist, gjithmonë i qeshur me gojën veshi më vesh? Me siguri e kuptoni poentën. “Çka do të më bëj të lumtur?” dhe “Çka do të më bëj të suksesshëm?” janë dy nga pyetjet më të rëndësishme që mund t’i bëni, por kini parasysh që janë dy çështje të ndryshme.

Zgjidhjet e shumta pengojnë marrjen e vendimeve

Në shekullin e njëzetenjë, në të cilin informatat qarkullojnë me shpejtësinë e dritës, ndërsa mundësitë për risitë duken të pafundme, kemi zgjidhje me bollëk kur bëhet fjalë për jetën dhe karrierën tonë. Por, fatkeqësisht, mundësitë e mëdha të zgjidhjeve shpesh çojnë deri te pavendosmëria, konfuzioni dhe pasiviteti. Disa hulumtues të biznesit dhe marketingut kanë treguar që me sa më shumë zgjidhje të produkteve përballen konsumatorët, më pak produkte blejnë zakonisht. Në fund të fundit, zgjidhja e produktit më të mirë nga grupi prej tre sish është gjithsesi më e lehtë se sa zgjidhja e më të mirit në mes treqind të tillëve. Nëse është vështirë të merret vendimi për të blerë, shumica e njerëzve thjesht do të ndalen. Nëse provoni të merrni vendim për diçka në jetën tuaj, mos e humbni kohën tuaj duke vlerësuar çdo detaj të vogël për çdo opsion të mundshëm. Zgjidhni diçka që konsideroni se do të ketë sukses dhe provoni. Nëse nuk ka sukses, zgjidhni diçka tjetër dhe vazhdoni tutje.

Të gjithë njerëzit i posedojnë dimensionet e suksesit dhe dimensionet e dështimit

Kjo pikë në një mënyrë është e lidhur me atë për lumturinë dhe suksesin, por mund të qëndrojë edhe më vete. Tentimi për të qenë i përkryer është humbje e kohës dhe energjisë. Përsosmëria është iluzion. Të gjithë njerëzit, madje edhe idhujt tanë, janë “shumëdimensionalë”. Biznesmenët e fuqishëm, muzikantët e njohur, autorët e bestsellerëve, madje edhe prindërit tanë kanë dimensione të suksesit dhe dështimit të pranishme në jetën e tyre. Dimensionet tona të suksesit zakonisht përfshijnë gjërat në të cilat investojmë pjesën më të madhe të kohës. Jemi të suksesshëm në ato dimensione për shkak të angazhimit tonë më të gjatë ndaj atyre. Kjo është pjesë e jetës tonë të cilën dëshirojmë që edhe të tjerët të shohin – pjesën e suksesshme. Por pas çdo rrëfimi të lustruar të cilin e promovojmë publikisht, gjendet një qenie e gjallë “shumëdimensionale” me një listë të gjatë gjërash të cilat nuk janë edhe aq të bujshme. Ndonjëherë ai person është bashkëshort i keq ose bashkëshorte e keqe. Ndonjëherë ai person qeshet në llogari të të tjerëve. Dhe ndonjëherë ai person largon shikimin nga rruga dhe godet pjesën e pasme të automobilit para tij.

Çdo gabim që bëni është përparim

Gabimet na mësojnë leksione të rëndësishme. Çdo herë kur e bëni një, jeni një hap më afër qëllimi tuaj. Gabimi i cili mund të shkaktojë dëme është të vendosni të mos bëni asgjë, thjesht për arsye se jeni shumë të frikësuar që do të gaboni. Prandaj mos hezitoni, mos dyshoni në vetvete. Në jetë rrallë bëhet fjalë për fitimin e shanseve, por bëhet fjalë edhe për marrjen e rrezikut. Kurrë nuk do të jeni 100 për qind të sigurt nëse diçka do të ketë sukses, por ama mund të jeni 100 për qind të sigurt që nëse nuk bëni asgjë – asgjë nuk do të ketë sukses. Dhe pavarësisht asaj se si ka dalë në fund, gjithmonë është pikërisht ashtu si është dashur të shkojë. Ose do të keni sukses ose do të mësoni diçka. Mbani mend, nëse nuk veproni kurrë, kurrë nuk do të jeni të sigurt dhe do të qëndroni gjithmonë në vendin e njëjtë.

Njerëzit mund të jen të suksesshëm edhe në gjërat që nuk u pëlqejnë t’i bëjnë

Edhe pse nuk sugjerojmë që keni zgjedhur karrierën e cila nuk ju pëlqen, me siguri keni dëgjuar shumë njerëz të zgjuar të cilët kanë thënë diçka si: “Për të qenë të suksesshëm në atë që bëni, duheni ta doni me të vërtetë atë gjë.” Kjo nuk është edhe aq e vërtetë. Shumë shembuj e tregojnë këtë gjë. Ndoshta edhe vetë njihni ndonjë llogaritar i cili nuk e pëlqen edhe aq shumë punën e vet “sepse është e mërzitshme sa s’ka ku shkon më”. Por megjithatë ka fituar ngritje page dhe pozite? Pse? Sepse edhe nëse nuk pëlqen ta bëjë atë punë, është i mirë në atë çka bën. Është e mjaftueshme të kuptohet që nëse dikush dedikon mjaft kohë dhe kujdes në përkryerjen e shkathtësisë, mund të jetë jashtëzakonisht i mirë edhe në diçka që në të vërtetë nuk pëlqen të bëjë.

Problemet që i kemi me të tjerët zakonisht janë probleme brenda nesh

Shumë shpesh, problemet që i kemi me të tjerët, partnerin, prindërit, vëllezërit dhe motrat, etj., në të vërtetë nuk kanë shumë lidhje me ta. Shumë nga problemet që i konsiderojmë t’i kemi me ata nënvetëdijshëm i kemi krijuar në mendjen tonë. Ndoshta në të kaluarën kanë bërë diçka që ka ndikuar në frikën dhe pasiguritë tona. Ose ndoshta nuk kanë bërë diçka që kemi pritur të bëjnë. Sidoqoftë, problemet e tilla nuk janë tek personat tjerë, por në ne. Dhe kjo është në rregull. Kjo thjesht do të thotë që pengesat e vogla do zgjidhen lehtë. Ne jemi ata që drejtojmë me vendimet tona. Ne vendosim nëse dëshirojmë të mbajmë mendjen tonë të ngarkuar me ngjarjet nga e kaluara, ose në vend të kësaj të hapim mendjen tonë në mënyrë pozitive dhe ndaj realitetit i cili zhvillohet para nesh. Gjithçka që kemi nevojë është gatishmëria të shikojmë gjërat pak më shumë në mënyrën “të lëmë atë çka ka qenë dhe çka është dashur të jetë, dhe në vend të kësaj të përqendrojmë energjinë tonë në atë që është dhe çka mund të jetë e mundshme”.

Vendimet emocionale rrallë janë vendime të mira

Vendimet e marra me emocione të rënda zakonisht janë më shumë reagime të gabuara se sa gjykime të drejta. Këto reagime janë nënprodukt i të menduarit minimal të vetëdijshëm dhe kryesisht të bazuara në ndjena momentale. Këshilla më e mirë këtu është e thjeshtë: Mos lejoni që emocionet tuaja të mashtrojnë inteligjencën tuaj. Ngadalësoni dhe mendoni për gjërat para se të merrni çfarëdo vendimi i cili mund t’ua ndryshojë jetën.

Kurrë nuk do të ndiheni 100 për qind të gatshëm kur shfaqet mundësia

Një gjë për shkak të së cilës edhe njerëzit shumë të zgjuar nuk luajnë nga vendi është hezitimi i tyre të pranojnë rastin thjesht pasi që mendojnë që nuk janë të gatshëm për të. Me fjalë tjera, ata besojnë që kanë nevojë për më shumë njohuri, shkathtësi, përvojë etj., para se ta “kapin” rastin e tillë.

Fatkeqësisht, ky është lloj i të menduarit i cili e mbyt rritjen dhe zhvillimin personal. E vërteta është që askush nuk ndihet 100 për qind i gatshëm kur shfaqet rasti. Kjo është sepse shumica e mundësive të mëdha në jetë na shtyjnë për rritje emocionale dhe intelektuale. Na nxisin që të “zgjatemi” nga zona jonë e rehatisë, çka do të thotë që në fillim nuk do të ndihemi tërësisht rehat. Dhe kur nuk ndihemi rehat, nuk ndihemi as të gatshëm. Vetëm mbani mend që momentet e rëndësishme të mundësive për rritje dhe zhvillim personal në jetën tuaj do të shkojnë dhe vijnë. Nëse dëshironi të bëni ndryshime pozitive në jetën tuaj duhet t’i njihni ato momente dhe të pranoni rastet madje edhe nëse kurrë nuk do të ndiheni 100 për qind të gatshëm për to./koha/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit