Në dy javët e fundit në veri janë shënuar disa incidente, por që nuk kanë ndikuar në gjendjen e përgjithshme të sigurisë. Kështu u vlerësua të hënën në takimin e Komitetit të Sigurisë që mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.
Nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Riza Haziri, tha se në dy javët e fundit situata e sigurisë ka kaluar e qetë, megjithëse ka pasur disa incidente. Ai përmendi një rrahje që ka ndodhur në Lagjen e Doktorëve, mandej një sulm tjetër të disa serbëve kundër një qytetari shqiptar në një pjesë të tjetër të veriut.
Ai theksoi se shqetësuese për banorët e veriut mbeten të shtënat me armë zjarri në orët e vona të natës. “Kjo tregon se duhet të kemi masa më të mëdha të sigurisë në atë pjesë”, tha ai.
Haziri, foli edhe për vazhdimin e procesit të rindërtimit në veri. “Në pjesën veriore po vazhdojnë ndërtimet, përderisa ka pasur raste që edhe në prani të KFOR-it strukturat paralele serbe kanë kërcënuar që të ndërpritet ky proces”.
Ai komentoi edhe ngjarjet politike në vend dhe konkretisht për takimin ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë.
“Komuna e përkrah formën e dialogut dhe e sheh si një sinjal politik të ecjeve të punëve përpara, të shuarjes së strukturave paralele, shtrirjes së sovranitetit, luftimin e kriminalitetit apo thënë ndryshe zbatimin e ligjeve edhe në atë pjesë”, tha Haziri. /Tg/kohaislame