Pesë persona janë vrarë dhe 21 të tjerë janë plagosur pas të shtënave pranë qyteteve binjake të Midland dhe Odessa në perëndim të Teksasit.
Sipas mediave të huaja, sulmuesi i cili hapi zjarr pasi makina e tij u ndalua nga policia të shtunën pasdite, u vra nga policia pasi u ndoq në një parkim në një kompleks argëtimi.
Deri më tani nuk është bërë i ditur identiteti i viktimave, por njëri prej tyre është një djalë 17 muajsh që ishte qëlluar në fytyrë dhe u dërgua në spital, thanë zyrtarët në spitalin e Qendrës Mjekësore në Odessa.
Kjo ishte ngjarja e dytë me të shtëna në Teksas gjatë një muaji. Më 3 gusht një njeri i armatosur vrau 22 njerëz dhe plagosi 24 të tjerë në një Walmart në El Paso.
Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, tha: “Zonja e parë dhe unë jemi zemërthyer për këtë sulm të pakuptimtë dhe frikacakë, dhe ne ofrojmë mbështetjen tonë të palëkundur për viktimat, familjet e tyre dhe të gjithë njerëzit e Midland dhe Odessa”./tg