Dikur u quajt si hapi i parë i njohjes së Kosovës nga Serbia, arritja e marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit. Por sot, ka forca opozitare në Prishtinë që thërrasin edhe për rishikim të këtij traktati, meqë nuk arriti efektin e dëshiruar.
Për kryetarin e Komisionit parlamentar për punë të brendshme dhe siguri, njëherësh nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, ende nuk është funksionale në tërësi.
Ai thotë se pikat kufitare në veri, Bërnjak e Jarinje, janë pengesë për zbatimin e përpiktë të kësaj marrëveshjeje. Ai konsideron se po dëmtohet interesi i Kosovës, prandaj edhe kërkon rishikim të procesit.
“Ne kemi problem sa i përket funksionimit në veriun e Kosovës, sepse atje kemi hendikepe të caktuara. Pikat doganore 1 dhe 31 ende nuk funksionojnë si duhet, dhe po ashtu bartja e policëve me helikopterë e jo përmes rrugës, është treguesi më i mirë se i kemi pika jofunksionale. Prandaj, do të duhej rishqyrtuar pozicionin e funksionimit të IBM-së, në mënyrë që të bëhet trysni më e madhe në mekanizmat e BE-së”, thotë Isufi për Radion Evropa e Lirë.
Kosova dhe Serbia kanë gjashtë pika kufitare. Por, vetëm në katër prej tyre, Merdare, Dheu i Bardhë, Jarinje e Bërnjak, është vendosur që fillimisht të nisë zbatimi i marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit.
“Këto marrëveshje nuk kanë sjell rezultatet e pritura, sepse nuk ka një tërheqje të Serbisë nga pozicioni armiqësor ndaj Kosovës, dhe me këtë politikë, të cilën po e ushtron Serbia edhe më tutje, po bëhet pengesë e funksionimit të shteteve, ndërsjellë, dhe po ashtu po pengon integrimet që duhet të ndodhin”, thekson Isufi.
Mirëpo, për deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, Behar Selimi, marrëveshja vazhdon të paraqesë ndryshim radikal të situatave në pikat e kalimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe faktorit ndërkombëtar. Kurse, vështirësitë për zbatimin e marrëveshjes, Selimi i sheh si pjesë të procesit.
“Në këto rrethana që ka qenë, dhe në rrethanat që është, të lë të kuptosh se është një proces shumë i rëndësishëm, shumë i ndjeshëm, dhe është fjala për një kthesë të madhe në qasjen e të dyja shteteve në raport me njëra-tjetrën, dhe e bashkësisë ndërkombëtare. Duke qenë kësisoj si proces, do të ketë vështirësi, do të ketë pengesa”, konsideron Selimi.
Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Behar Selimi, shton se megjithatë, marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufirit është proces i pandalshëm, i cili nuk ka kthim prapa. Ndërsa, Selimi thotë se pret që Bashkimi Evropian do ta detyrojë përditë e më tepër palën serbe që të respektojë marrëveshjen.
“Fryma e gjithë procesit deri tash, lë të kuptohet se Brukseli në asnjë rast, nuk do ta lërë situatën në duart e palëve, në këtë rast Beogradit dhe Prishtinës, që çështjet t’i zgjidhin pavarësisht prej Brukselit…Unë këtë e them me supozimin se Brukseli do të insistojë që fjalë për fjalë, marrëveshja të respektohet nga Beogradi”, vlerëson Selimi për Radion Evropa e Lirë.
Në anën tjetër, drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Florian Qehaja, në shpjegimin e tij për Radion Evropa Lirë, thotë se progresi që është arritur me marrëveshjen për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, është kryesisht në aspektin simbolik, ku gërshetohen nivelet politike dhe praktike.
Pika në Jarinë
Për aspektin politik, Qehaja vlerëson se është një e arritur për faktin se edhe Serbia në njërën anë, dhe Kosova në anën tjetër, e kanë njohur kufirin, pavarësisht që interpretohet ndryshe. Mirëpo, në aspektin praktik, thekson ai, nuk është arritur ndonjë ndryshim.
“Ky koncept i menaxhimit të integruar të kufirit, ngërthen në vete edhe përshpejtimin e procedurave për lirinë e lëvizjes, lirinë qarkullimit të mallrave. Ne nuk e kemi parë këtë, sidomos tash së fundi, kur janë parë kolona të gjata”, shprehet Qehaja.
Një aspekt tjetër që nuk është arritur, e që është me rëndësi, sipas Qehajës, është se nuk kanë filluar patrullimet e përbashkëta ndërmjet pjesëtarëve të policisë të Kosovës dhe asaj të Serbisë, e që në këtë drejtim pala kosovare ka qenë neglizhente.
“Procesi i IBM-së, si proces, në nivelin politik ka një rëndësi, mirëpo për mua do të dështojë nëse nuk do të fillojë së zbatuari në aspektin e patrullimeve të përbashkëta, pastaj njohja reciproke e institucioneve, sidomos atyre të policisë, doganave dhe fito-sanitare, e kështu me radhë”, shton Qehaja.
Ditë më parë, në kuadër të zbatimit të marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Prishtina dhe Beogradi janë pajtuar që marrëveshja të nisë së zbatuari nga 28 shkurti, edhe në dy pikëkalimet kufitare në Merdare dhe Muçibabë.
Drejtuesja e delegacionit nga Prishtina, Edita Tahiri, ka kërkuar nga Brukseli angazhim për të siguruar lirinë e lëvizjes së policëve dhe doganierëve në veri, meqë kjo gjë po u pamundësohet tash e dy vjet.
Serbët që jetojnë në pjesën veriore të Kosovës, nuk e njohin autoritetin e Prishtinës dhe refuzojnë të kenë çfarëdo lidhje me ta./rel