-5.4 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Të rinjtë shpenzojnë 2 – 10 euro në ditë

Më të lexuarat

Çmimet e larta në tregun e artikujve të konsumit të përditshëm, përballë pagave mesatare që në Kosovë sillen rreth 360 euro, përcaktojnë edhe mundësitë e shpenzimeve nga ana e të rinjve në vend, varësisht nga ajo se a varen nga buxheti i familjes apo nga të ardhurat që fitojnë me punën e tyre.

Kështu vlerësojnë disa të rinj, të cilët thonë se karshi nevojave të tyre, mundësitë e shpenzimeve nuk janë të mjaftueshme, si pasojë e pafuqisë së tyre blerëse.

Në rubrikën tonë të përjavshme për të rinjtë VOX, ata thonë se gjatë një dite shpenzojnë prej 2 deri në 10 euro, ndonëse jo të gjithë shpenzojnë njëjtë dhe në kushte të njëjta.

Dren Krasniqi, është nxënës i shkollës së mesme, shpreh mendimin se shpenzimet mesatare që ai i bën brenda një dite, nuk janë edhe aq të mëdha.

“Mua dita më kushton rreth dy deri tri euro. Varet, të premteve kur dalim, kushton më shumë, prej 5 deri në 6 euro. Ditëve të tjera shpenzojmë për bukë, të premteve dalim në kafene. Shpenzimet për kolegj i paguan babi”.

Edhe Fitore Avdiu është nxënëse e shkollës së mesme. Por, sipas saj, dita i kushton më shumë se 5 euro dhe kjo është, siç thotë ajo, pasojë e të mos kursyerit të parasë nga vet ajo.

“Një ditë e imja, diku arrin maksimumin deri në 10 euro. Minimumi, 4 ose 5 euro. Të gjitha këto para shkojnë në telefon, ushqim, në shëtitje me shokë e me shoqe. Duhet të kursejmë më shumë, por ne nuk po kursejmë. Mundësitë i kam dhe nuk i kam, sepse punon vetëm prindi im. Të kisha punuar vet nuk kisha harxhuar kaq shumë. E kemi gabim, sepse duhet t’i kuptojmë prindërit dhe të mos harxhojmë kaq shumë”.

Por, studentët thonë se nevojat dhe obligimet e tyre janë shumë më të mëdha se sa të nxënësve të shkollës së mesme.

Por, a shpenzojnë më shumë se ata?

Jo të gjithë studentët kanë përgjigje të ngjashme. Visar Bajraktari, student i Fakultetit Ekonomik, thotë se jeton në Prishtinë dhe se lehtësim për të është se nuk paguan për banimin.

“Unë këtu kam shpenzime më pak se sa ata që janë të ardhur prej vendeve tjera, sepse unë banoj këtu. Mesatarisht 3 euro në ditë i shpenzoj. Tamam, për një student, kisha për të thënë se nevojiten 5 euro në ditë. Për shembull, ke ligjërata gjithë ditën. Një porcion bukë të hash, më i thjeshti, kushton 1 euro e gjysmë. Edhe 1 euro e gjysmë për kafe. Sigurisht që shkaqet ekonomike ndikojnë në këto gjëra”.

Ndryshe mendon Erxhan Tërpeza, student në Fakultetin të Muzikës. Ai thotë se shpenzimet brenda një ditë i ka mjaft të mëdha.

“Të themi të drejtën, vetëm bukë për të ngrënë, është vështirë ta kalosh ditën vetëm me 3 euro. Për një student është vështirë, sepse gjithë ditën lexon, lodhet dhe truri kërkon. Afërsisht, aty rreth 7 deri në 10 euro shkojnë për një ditë, ushqim dhe gjëra tjera. Ndonjëherë dalim të pijmë kafe. Më shumë janë kërkesa ditore se sa diçka tjetër. Ushqimi është shumë i shtrenjtë dhe ndonjëherë edhe qejfi për të dalë. Për ne është shumë shtrenjtë”.

Fatbardha Arifi studente në drejtimin e ekologjisë, po ashtu mendon se mesatarja e shpenzimeve ditore për një student që vjen në kryeqytet për të studiuar është 10 euro.

“Unë jam studente dhe natyrisht jetoj larg familjes dhe shkollohem. Kështu që duke marrë parasysh ushqimin, ndonjë libër ose ndonjë gjë që duhet fotokopjuar, afërsisht, ndodhë që brenda ditës t’i harxhojmë deri në 10 euro. Ndonjëherë na bie që të shpenzojmë më shumë, e ndonjëherë më pak, por mesatarisht na bie rreth 10 euro në ditë”.

Diferenca e shpenzimeve nuk është e madhe as ndërmjet studentëve dhe të rinjve që kanë përfunduar studimet dhe tash janë të punësuar.

Edhe atyre, dita ju kushton ngjashëm, varësisht nga rrethanat.

Por, ata thonë se krahasuar me të ardhurat e tyre, çmimet janë të larta dhe kjo reflekton edhe në atë se sa shpenzojnë ata. Kështu thotë edhe Heroid Qorolli, i punësuar si kontabilist.

“Harxhimet janë të përditshme, do të thotë, gjërat elementare si ushqimi dhe pijet, por që nëse i krahasojmë në bazë të të ardhurave dhe rrogave që i kemi janë shumë të shtrenjta. Brenda ditës unë nuk harxhoj më shumë se 4 euro për përmbushjen e nevojave elementare. Unë kam pak fat sepse e kam rrogën pak më të lartë se sa zakonisht në Kosovë, por për shumicën e të rinjve janë shumë. Do të thotë, me pagat e tyre nuk arrijnë asgjë më shumë. Me atë pagë nuk mund t’i përmbushin nevojat që i kanë”.

Liridona Stublla, thotë se është studente dhe njëkohësisht edhe e punësuar. Por, mundësitë e shpenzimeve të atyre që punojnë dhe të atyre që studiojnë, ajo nuk i sheh të njëjta.

“Ndoshta ditën e mbylli me 7 deri në 10 euro. I plotësoj kërkesat e mija, shumicën po, duke marrë parasysh që edhe punoj. Por, një student që nuk punon, normal, ndoshta me 2 euro e kalon ditën dhe nuk mund t’i plotësojë kërkesat e veta. Çdo ditë është rutinë. Është ushqimi, transporti, e ndoshta ndonjë herë edhe me dalë”.

Ndërkaq, Marigonë Krasniqi, është e punësuar në një bankë në kryeqytet. Por, sipas saj, shpenzimet ditore i ka modeste dhe vetëm për gjërat elementare.

“Unë që punoj, arsyetohet të harxhoj deri në 5 euro, po mendoj, për kafe, ushqim, transport. Aq janë limitet dhe aq arsyetohet me rrogat që i kemi”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit