Të rinjtë kosovarë tregojnë nëse kanë aplikuar për vizë Schengen dhe cili është qëllimi i tyre për udhëtim në vendet e Evropës Perëndimore.
Shumë studentëve nga Kosova nuk u është ofruar mundësia të udhëtojnë në vendet evropiane. Ata duan t’i vizitojnë, studiojnë ose punojnë në vende të tjera.
Disa nga të rinjtë e anketuar, nga Radio Evropa e Lirë, thonë se kanë aplikuar për vizë pune në ndonjë vend të Evropës, ndërkaq të tjerët për viza turistike, por edhe për qëllime studimore.
Besart Beqiri nga Prishtina thotë se ka aplikuar për vizë pune në Gjermani.
“Herën e parë e kam marr dhe kam punuar atje. Tash herën e dytë jam duke pritur. Por, hera e dytë është shumë gjatë, prej 12 marsit 2017 kur kam bërë termin, kam pritur një vit për ta dorëzuar aplikacionin. Tash po pres përgjigjen dhe s’ka ndonjë përgjigje”, thotë Beqiri.
Ndërsa, studentja Florinda Demukaj, thotë se ka aplikuar për vizë, me qëllim që ta vizitojë Zvicrën.
Edhe studenti Gentrit Mrasori thotë se ka aplikuar për vizë, për vizita në shtete të Evropës.
“Kryesisht kam aplikuar kryesisht me qëllim të vizitave me karakter kulturore, mbajtje koncertesh, meqë jam student në Fakultetin e Arteve”, tha ai.
Merita Millaku, studente, thotë se ka aplikuar për vizë pune në Gjermani. “Gjithçka që ne mundemi të bëjmë është të presim para ambasadave. Ajo çka na mundësohet atje [Gjermani] është shumë më shumë se këtu, se po dihet si është sistemi në Kosovë. Është duke ecur shkallëve teposhtë…”.
Studentja Raza Shala thotë se sikur do të mund të siguronte një vizë do ta shfrytëzonte të studiojë në ndonjërin nga vendet e Perëndimit.
Kohët e fundit është rritur interesimi i qytetarëve për të siguruar një vizë pune për në vendet e Bashkimit Evropian.
Madje, kjo dukuri ka marrë përmasa shqetësues. Kjo ka bërë që edhe Kuvendi i Kosovës në një seancë të jashtëzakonshme të debatojë për dukurinë e ikjes së të rinjve nga Kosova.
blob:https://www.evropaelire.org/b4e33fd4-8b5b-4e32-983d-409657f96db0