3.4 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Të rinjtë ia mbathin nga Shqipëria, pjesa tjetër plaken në facebook

Më të lexuarat

Kureshtja e tepërt të vret! E në mos të vraftë, e sigurt që të plak para kohe.

Pleq të rëgjuar plot rrudha e thinja. Kjo ka qenë fytyra e shqiptarëve këto ditë dhe nuk jam duke folur për moshën e tretë, po për ata nga 16 deri në 40 vjeç. Kjo ‘plakje’ e parakohshme ka ardhur si pasojë e përdorimit të një aplikacioni të ri të qauajtur FaceApp, ndaj të cilit u fiksuan i madh e i vogël.

Pak nga pak profilet e rrjeteve sociale, veçanërisht ato në Facebook, nisën të dukeshin si faqet online të azileve të pleqve. Kësaj loje nuk ia përtuan as mediat, të cilat nxituan të ‘plaknin’ figurat e njohura të politikës, medias, artit dhe showbizit, e t’i prezantonin ata ‘ashtu siç nuk i kemi parë ndonjëherë’.

Kjo kureshtje për ta parë veten se si do të dukemi kur të arrijmë moshën e tretë, krijoi jo pak ilaritet. Por përveç kësaj, duke i parë të rinjtë shqiptarë të plakur artificialisht, është e pamundur mos të të vijnë në mendje faktet që flasin për një realitet jo virtual: Shqipëria është realisht një vend i plakur.

Mungesa e alternativave, meritokracisë, punës dhe sigurisë kanë bërë që vitet e fundit qindra dhe mijëra të rinj të lënë vendin, për të emigruar drejt Europës, ShBA-së, apo vendeve të tjera të zhvilluara.

Rinia në Shqipëri përbën 35 për qind të popullsisë së vendit. Një pjesë e mirë e tyre janë larguar tashmë, ndërsa 70 për qind e atyre që kanë mbetur janë gati të emigrojnë në vendet e Bashkimit Europian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Duke bërë një ballafaqim mes këtyre të dhënave dhe fytyrave të shqiptarëve që na ofroi aplikacioni FaceApp në rrjetet sociale, kuptojmë që plakja e vendit nuk është thjeshtë një foto-montazh në hapësirën virtuale, por një realitet i dhimbshëm.

Nga njëra anë kemi të rinj që ia mbathin çdo ditë nga Shqipëria, duke e rrudhur shtatin dhe thinjur shpirtin e këtij vendi; nga ana tjetër, ata që mbesin plaken në Facebook!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit