Allahu përshkruan gjerësinë e xhenetit sa gjerësinë e qiejve dhe të tokës. Pyes: Pasi dihet mirë se qielli është shumë më i madh sesa toka, përse ajo të përfshihet në këtë përshkrim? Për shembull, kjo është si të thuash se madhësia e Rusisë është më e madhe se Saudia dhe Riadi. Përse të përfshish Riadin në këtë përshkrim, kur kjo s’i shton gjë kuptimit, meqë Riadi është pjesë e Saudisë?
Përgjigje: Lavdi Allahut. Allahu thotë:
“Marshoni në një kauzë (që çon) në falje nga Zoti juaj dhe në një xhenet të gjerë sa qiejt e toka, i bërë gati për të devotshmit.” (Aal Imran, 133) “Bëni garë ndërmjet vete në ngarendjen për t’u falë nga Zoti juaj dhe për një xhenet me gjerësinë e qiejve dhe të tokës, i përgatitur për ata që besojnë në Allahun dhe në të Dërguarit e Tij.” (el-Hadid, 21)
El-Kurtubi tha: “Dijetarët kanë dalluar lidhur me interpretimin e kësaj. Ibn Abbas tha: ‘Kjo është sikur qiejt dhe toka të bëheshin bashkë, si teshat që shtrihen dhe bashkëngjiten. Kështu është gjerësia e xhenetit, dhe askush nuk di gjerësinë e tij, përveç Allahut. Ky është mendimi i shumicës dhe në të s’ka gjë për t’u çuditur.’ Disa dijetarë thanë se ky është një shpjegim metaforik, që përdoret nga arabët. Meqenëse xheneti është aq i madh dhe aq i gjerë, në kuptimin më të skajshëm, është me vend që t’i referohet madhësisë së tij duke përdor gjerësinë e qiejve dhe të tokës. Në të njëjtën mënyrë, ti mund të përshkruash një njeri (në arabisht) si një det (det / bahr, duke iu referuar me këtë dijes së tij), dhe po ashtu mund të përshkruash një kafshë të stërmadhe si një mal. Ky ajet nuk synon të specifikojë gjerësinë e saktë të xhenetit; ajeti synon ta përshkruajë atë si madhësinë më të madhe që ti ke parë ndonjëherë.” (Tefsir el-Kurtubi, 4/204-205)
Ibn Ashur tha: “Qiejt dhe toka përmenden në mënyrë metaforike, që është një mënyrë arabe e përshkrimit të një gjëje të stërmadhe. Pra, kjo nuk nënkupton saktësinë e gjerësisë së qiejve dhe të tokës. Po ashtu është thënë se kjo i referohet gjerësisë së vërtetë të xhenetit; ai tashmë është krijuar dhe është më i madh se qiejt dhe toka, është mbi qiejt, nën Arsh.” Esh-Shewkani tha: “Ka pasur dallime në mendime lidhur me domethënien e kësaj. Shumica e dijetarëve janë të mendimit se kjo është sikur qiejt dhe toka të bëheshin bashkë, si teshat e shtruara dhe të bëra bashkë me njëra-tjetrën. Kaq, pra, thuhet të jetë gjerësia e xhenetit. Gjerësia përmendet e jo dhe gjatësia, sepse zakonisht gjatësia është më e madhe se gjerësia. Është thënë se kjo është një metaforë që përdorin arabët dhe nuk flitet për madhësinë e njëmendtë. Meqë xheneti është aq i gjerë e aq i madh edhe në kuptimin e drejtpërdrejt të fjalës, është më vend të krahasohet me gjerësinë e qiejve dhe të tokës me qëllim theksimi, meqë këto janë krijesat më të mëdha të Allahut që njohin njerëzit.” (Fet’h el-Kadir 1/437. Po ashtu shih et-Tahrir wet-Tenwir 4/89)
Shohim sesi dijetarët të kenë dy mendime lidhur me interpretimin e këtij ajeti. Mendimi i shumicës është se me këtë mendohet në gjerësinë e vërtetë ndërsa gjatësia e tij nënkuptohet; mendimi i dytë, pra ai që synon të theksojë gjerësinë e xhenetit, nuk i referohet gjatësisë dhe gjerësisë së vërtetë, por kemi të bëjmë më një shprehje të përdorimit arab për gjëra të këtilla. Sido që të jetë, shembulli i dhënë në pyetjen më lart lidhur me territorin dhe madhësinë, është i parëndësishëm. Të gjithë shembujt e parashtruar janë larg mënyrës me të cilën ajeti shpreh kuptimin. Ti përmende Riadin si shembull, por ai është pjesë e Saudisë, kurse qiejt dhe toka janë dy entitete krejtësisht të ndara. Zakonisht, tekstet fetare në kësi rasti përshkruajnë çështjet e të padukshmes në një mënyrë që është e lehtë për njerëzit ta kuptojnë dhe është në përputhje me të folurën e tyre të zakonshme dhe mënyrën si shprehen ata. Pa dyshim, përmendja e tokës që ata njohin dhe shohin sa e gjerë është, e bën më të lehtë për ta përfytyrimin e asaj që synohet të përcillet me këto fjalë sesa sikur kjo të injorohej krejtësisht. Ajo çfarë duhet të bësh është të kuptosh se epërsia e fjalëve të Allahut ndaj fjalëve të qenieve njerëzore është si epërsia e Allahut ndaj krijesave të Tij. Fjalët e Allahut janë mbi çdo kundërthënie, gabim a mosarritje të elokuencës, madhështisë dhe hijeshisë sipërore, gjë që i ka hije të folurës më fisnike. Nëse personi nuk kupton (fjalët e Allahut), le t’i referohet atyre që i kuptojnë dhe le të jetë i bindur se ka dijetarë që vërtet e dinë këtë. Allahu e di më së miri./mburoja.net