Natyra e vështirë e mosmarrëveshjes, që zgjat prej dekadash në Ballkan, po detyron ligjvënësit të marrin në konsideratë zgjidhje që komuniteti ndërkombëtar i ka shmangur prej kohësh.
Kështu e fillon shkrimin e saj “Newsweek”, që nënvizon se Serbia ka punuar në heshtje për një shkëmbim territoresh me Kosovën, e duket se propozimi nuk është i varrosur.
Kjo, sipas këtij mediumi, do të bënte që pjesë të Veriut të Kosovës të këmbeheshin për një copë të Serbisë Jugore.
Po sipas këtij mediumi, ripërcaktimi i kufijve mund të hapë rrugën që Serbia të njohë Pavarësinë e Kosovës, gjë që do t’i çonte të dyja vendet më afër qëllimit të tyre për t’iu bashkuar BE-së.
Qëndrimi i presidentëve Vuçiç dhe Thaçi, tashmë është i ditur, ndërkohë që SHBA dhe BE deri më tani janë shprehur kundër rishikimit të kufijve, që do të ndanin komunitetet etnike.
“Është si të hapësh ‘kutinë e pandorës’ për precedentë të rrezikshëm për vende si Ukraina, etj”, ka thënë Ricard Kramer, ekspert në Institutin e Kërkimeve për Politikat e Huaja në SHBA.
E disa analistë argumentojnë se, një shkëmbim territoresh do të ketë pasoja në të gjithë rajonin, me Bosnje-Hercegovinën më të rrezikuarën.
Edhe Kisha Ortodokse serbe e kundërshton idenë, pasi pjesa më e madhe e trashëgimisë së saj kulturore është e përhapur nëpër Kosovë, e çdo vendim që do të çonte në njohjen e Kosovës nuk është i pranueshëm për të.
Dhe ndonëse jo në po të njëjtën linjë, “një zgjidhje” ka ofruar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
“Të ndjekim modelin e Holandës dhe Belgjikës”. Kjo është deklarata që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha ditë më parë, dhe përbën në të vërtetë edhe një nga të paktat detaje të elaboruara prej tij në mbështetje të tezës për rishikimin e kufijve të Kosovës në kuadër të finalizimit të procesit të dialogut Kosovë-Serbi, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Por, cili është modeli të cilit i referohet presidenti Thaçi?
Holanda dhe Belgjika, kanë rregulluar paqësisht kufijtë e tyre kombëtarë, duke shkëmbyer një pjesë toke, në përpjekje për të zgjidhur një makth juridiksioni policor në kufi.
Zona e diskutuar kishte përmasat e 27 fushave futbolli dhe gjendej në lindje të qytetit belg, Vise dhe në perëndim të fshatit holandez Eijsden dhe përgjatë lumit Meuse. Nga 2018, kufiri i vendeve kalon tani përmes lumit me Holandën që ka marrë kontrollin e rreth 16 hektarë tokë të re ndërkohë që Belgjika ka fituar rreth 3.5 hektarë tokë.
Ndryshimi u bë pasi një gadishull i vogël mbi lumë, fitoi reputacion për mungesë ligji atje për shkak të vështirësive gjeopolitike të policimit atje nga ana belge, që në letra e kontrollonte atë.
Katër vite më parë, një trup pa kokë u gjet në gadishull, dhe autoritetet holandeze nuk mund të hetonin krimin pasi ai kish ndodhur në belgjikë. Policia belge në anën tjetër kishte vështirësi të arrinte në zonë dhe mund të shkonte atje vetëm me varka.
“Marrëveshja tregon se kufijtë mund të shkëmbehen edhe paqësisht”, tha ministri i jashtëm belg, Didier Reynders pas nënshkrimit të saj. Sidoqoftë, kufiri holandezo-belg është më pak racional në zona të tjera, me fshatin Baarle Hertog, në veri lindje të Antverpit që është i ndarë mes për mes me disa biznese e ndërtesa që një pjesë e kanë në anën belge e tjetrën në atë holandeze.
Të dyja vendet janë anëtare të zonës “Shengen”, çka do të thotë se nuk ka kontrolle në kufi, dhe në praktikë, situata është kryesisht një kuriozitet turistik. /TCH/