Tërmeti që goditi Shkupin 56 vite më parë është një nga fatkeqësitë më shkatërruese natyrore që goditi kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, por edhe shtetin në përgjithësi. Edhe pse ka kaluar më shumë se një gjysmë shekulli, qytetarët e Shkupit që i mbijetuan tërmetit ende kujtojnë 26 korrikun kur në ora 05:17 të mëngjesit u zgjuan nga dridhjet, ndërsa qyteti i tyre në masë të madhe ishte shkatërruar.
Tërmeti katastrofik shkatërroi qytetin, por jo edhe shpresën e shkupjanëve për ta rindërtuar qytetin e tyre.
Ora e stacionit të vjetër hekurudhor në Shkup, që është ndalur në 05:17 si pasojë e dridhjes në ditën e fatkeqësisë, që nga ajo kohë nuk ka ndryshuar. Ora e stacionit të vjetër ndaloi, por vazhdoi jeta e shkupjanëve të cilët ndanë kujtimet e tyre nga ato momente të vështira për ta.
“Pashë popullit në panik, ushtrinë që vinte… kishte disa ngjarje kataklizmike të ngjashme si në filma, vetëm se unë isha protagonist si fëmijë”, thotë psikologu Stanisllav Petkovski, i cili në atë kohë ishte vetëm shtatë vjet e gjysmë.
Petkovski tregon se në tërmetin katastrofik humbi prindërit dhe motrën e tij më të madhe, e cila në atë kohë ishte në klasë të pestë.
“Më parë, natën para tërmetit ishim në cirk. Shkuam të flemë shumë herët, unë dhe motra ime në dhomën tonë, ndërsa dita e nesërme për mua ishte shumë e çuditshme. Shumë ushtarë erdhën me lopata. M’u afruan disa me të bardhë dhe të kuqe (Kryqi i Kuq). Shikonin diçka, më kontrolluan dhe më dërguan në park në mes të drunjve, tenda të mëdha, popull. Një situatë gjysmë-kaotike, nuk e dija ku jam, si fëmijë më kapën për dore dhe më sollën”, thotë Petkovski duke kujtuar tërmetin dhe momentin që ka përjetuar.
Ai kujton se ata ditë në Shkup ishin ditë paniku, por se ai si fëmijë ishte “kthyer në sy që shikojnë dhe regjistrojnë” dhe nuk kujton se është frikësuar. Siç tregon, ai u pranua nga të afërmit të cilët u kujdesën për të.
“Më ofruan shpjegim të shkëlqyer çfarë është mirë për një fëmijë, se babai im kishte shkuar në Amerikë, ndërsa nëna dhe motra ime në spital”, thotë Petkovski.
Edhe pse Shkupi nga ajo kohë ka ndryshuar dukshëm në aspektin e infrastrukturës, Petkovski thotë se edhe tani ka vende të caktuara që kujtojnë periudhën e viteve të gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar, si rruga rreth lumit pranë ndërtesës së Qeverisë, ‘Debar Maalo’, Shtëpia e Ndërtimtarisë e Ura e Gurit.
Megjithatë, thotë ai, Shkupi tani në krahasim me atë kohë ka ndryshuar në mënyrë dramatike.
Nga tërmetet dhe dridhjet më të vogla që ndodhin në Shkup, si ato të vitit 2016, Petkovski thotë se nuk ka frikë sepse ndihet si një njeri me përvojë rreth kësaj.
– Në ditët pas tërmetit, Shkupi u bë qytet pa fëmijë
Sipas të dhënave të njohura, 120 fëmijë humbën jetë në tërmet, ndërsa një nga masat e para të autoriteteve të qytetit në atë kohë ishte evakuimi i organizuar i fëmijëve të Shkupit brenda vendit dhe vendeve të tjera të ish-Jugosllavisë.
U formua Departamenti i mbrojtjes kombëtare pranë Kuvendit të Qytetit, ndërsa evakuimi përfshinte banorët joaktivë, mes të cilëve gra, të moshuar, invalidë dhe të gjithë fëmijët nën 15-vjeç. Gjithsej 105 mijë persona u evakuuan pas tërmetit, nga të cilët rreth 30 mijë ishin fëmijë. Pjesa tjetër e të evakuuarve, rreth 63 mijë persona u larguan tek të afërmit dhe miqtë e tyre brenda vendit, ndërsa 41 mijë u zhvendosën në vendet tjera të ish-Jugosllavisë.
Nada Galevska, gazetare e pensionuar me vite të gjatë përvojë profesionale në “Radio Shkupi”, programi në gjuhën maqedonase, tregon se ajo ishte një nga ata fëmijë që u zhvendosën në vendet e ish-Jugosllavisë. Ajo ishte një fëmijë jo më shumë se 14-vjeçare kur ndodhi tërmeti, por siç thotë ajo, ende kujton tërmetin dhe ato momente të tmerrshme.
Duke kujtuar ato vite, ajo thotë se Shkupi i atëhershëm për fëmijët ishte interesant pasi kishte kopshte, pemishte dhe pothuajse çdo shtëpi kishte fruta.
Galevska shpjegon se ata dolën jashtë me nënën e saj për të marrë disa gjëra të nevojshme për motrën e saj foshnje, e cila ishte vetëm katër muajshe. Pasi dolën nga ndërtesa, ata ndjenin dridhje dhe se diçka po shkatërrohej. Ajo thekson se për herë të parë rreth tërmetit në Shkup dëgjuan në radio.
“Natën e parë, hera e parë që kam dëgjuar valët e Radio Shkupit me një zë të trishtuar ‘Shkupi pësoi fatkeqësi, fatkeqësi katastrofale, tërmet’… dhe filluan rreth 15 minuta lajmet me një zë aq të thellë dhe tragjik se diçka e tmerrshme ka ndodhur dhe pastaj mëngjesin tjetër tregoheshin për vendet ku ndërtesa të tëra ishin shkatërruar”, shpjegon Galevska.
Në ditët në vijim, siç tregon ajo, panë ushtarët e përgjakur pasi kishin ndihmuar qytetarët që pësuan nga tërmeti, si dhe helikopterët ushtarakë dhe policorë që erdhën për të ndihmuar në Shkup. Galevska më tej thotë se në ditët pas tërmetit vinin ekipe që ndihmuan me ushqim dhe të gjitha gjërat e nevojshme për funksionim të përditshëm.
Më pas, ajo ndan përjetimet dhe momentet kur fëmijët nga Shkupi, ndër të cilët ishte edhe ajo, udhëtuan me tren në vendet tjera të ish-Jugosllavisë. Ajo kujton ndarjen emocionale me familjen e saj kur ajo u nis nga stacioni hekurudhor në Shkup për në Lubjanë. Ajo tregon se fëmijët ishin të frikësuar nga pamjet e rënda për to, nuk mundnin as të qanin dhe atmosfera ishte shumë e trishtuar.
– Ata udhëtuan në Beograd, pastaj në Sarajevë
“Për Sarajevën mund të them kujtimi më i bukur i fëmijërisë. Në stacionin hekurudhor ne u takuam përsëri me prindërit tanë. Tani përsëri do të mërzitem në atë sa shumë na përqafuan, aq shumë deshën të na kthejnë në shtëpi, hëngrëm ushqim së bashku. Ne u inkurajuam dhe filluam të bisedojmë. Ishim të trembur sepse kurrë pa prindër nuk kishim shkuar diku dhe papritmas morën një far guximi se dikush na pret neve”, shprehet Galevska duke kujtuar me lot në sy momentet që përjetoi ditët pas tërmetit.
Ndër të tjera, në kujtimin e saj nga Sarajeva, përveç pritjes emocionale, ajo thotë se ende kujton qebapët dhe mjaltin e shijshëm të Sarajevës, të cilat sot e kësaj dita janë në kujtesën e saj.
“Pas Sarajevës u nisëm për në Zagreb dhe arritëm në Lubjanë”, tregon ajo. Atje ajo u takua me xhaxhain e saj që studionte në Lubjanë. Galevska shpjegon se ditët e para për fëmijët në kryeqytetin slloven ishin të vështira që të adaptohen me një atmosferë dhe ambient të ri, por mundësia e ofruar për sport u mundësoi atyre të ktheheshin në aspektin psikologjik dhe mentalisht në funksionimin normal.
Kur u kthye në Shkup në vjeshtën e vitit 1963, Galevska po ashtu pa orën e ndalur të stacionit të vjetër hekurudhor, që sot është Muzeu i Qytetit të Shkupit dhe është një simbol i tërmetit të madh.
“Pashë orën që ishte ndalur në 5:17 minuta. Babai më çoi ta shohë. Mendova se koha ndaloi në disa kujtime jo të bukura dhe tragjike, se që tani e tutje diçka e këndshme do të ndodhë. Dhe, përsëri dëgjoj zërin e Radio Shkupit, emitonin lajme ‘Ndihma ka arritur, të gjithë janë evakuuar, ka të mbijetuar’. Ata ishin lajmet e shpresës, për diçka të mirë”, thekson Galevska, duke ndarë kujtimet pas tërmetit shkatërrues të vitit 1963.
Ajo shton se Shkupi i atyre viteve më vonë filloi ngadalë të zhduket, por dashuria mbeti.
“Ai Shkup më vonë ngadalë filloi të zhdukej, megjithatë mbeti era e dashurisë që na ofruan si ndihmë në Shkup. Shkupi fitoi shpresën. Me të vërtetë dashuria dhe sakrifica e ndërtuan Shkupin”, shprehet Galevska.
– Tërmeti në Shkup
Nga tragjedia që ndodhi më 26 korrik të vitit 1963 dhe që shkatërroi Shkupin, humbën jetën 1.070 persona dhe u plagosën 3.000 të tjerë. Si pasojë e tërmetit u shkatërruan 15.800 ndërtesa, u dëmtuan 28.000 të tjera, ndërsa pa kulm mbi kokë mbetën 200.000 persona. Ky qytet u godit nga tërmeti me fuqi prej 6.1 ballëve sipas shkallës së Rihterit me epiqendër në sheshin “Maqedonia”.
Pas tërmeti, qyteti filloi të ndërtohet nga projektet e Kenzo Tange dhe Adolf Ciborowski. Stacioni i vjetër hekurudhor sot është Muze i Qytetit të Shkupit dhe paraqet simbolin e tërmetit të madh. Akrepat e orës në këtë stacion mbeten ashtu siç ndaluan nga dridhjet e tërmetit më 26 korrik, përkatësisht 5:17.
Pikërisht në këtë ndërtesë janë ekspozuar objekte në muze, duke përfshirë orën e ndaluar gjatë tërmetit, si dhe tregimet e gazetarëve nga rajoni dhe bota, titujt e të cilëve tregojnë Shkupin dhe tragjedinë e 26 korrikut të vitit 1963.
Nga tragjedia në Shkup u shqetësua dhe u angazhua mbarë bota. Kryqi i Kuq Ndërkombëtar u bëri thirrje të gjitha organizatave kombëtare të organizojnë ushqim për fëmijët e Shkupit. Unioni interparlamentar dërgoi rekomandim tek të gjitha parlamentet dhe qeveritë që të ndihmojnë në riparimin e qytetit. Organizatat humanitare në shumë vende iu qasën grumbullimit të ndihmave për Shkupin. Kështu Shkupi u bë qytet i solidaritetit ndërkombëtar.
Një ditë pas tërmetit, presidenti i Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, Josip Broz-Tito, vizitoi Shkupin nga ku deklaroi: “Shkupi përjetoi një katastrofë të paparë, por Shkupin përsëri do ta ndërtojmë, me ndihmën e të gjithë komunitetit. Ajo do të mbetet krenari dhe simbol i vëllazërisë dhe unitetit, i solidaritetit jugosllav dhe botëror”.
Shkronjat e kësaj porosie të Titos sot janë të vendosura në fasadën në lindje të Muzeut të Qytetit të Shkupit apo stacionit të vjetër hekurudhor, si një memorial për solidaritet në ndërtimin e Shkupit pas tërmetit./AA