1.1 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Të marrim refugjatë sirianë – ERMAL HASIMJA

Më të lexuarat

ERMAL HASIMJA

Shkurt: unë mendoj se Shqipëria duhet të ofrojë strehim për një numër të caktuar refugjatësh sirianë që ikin nga zonat e luftës. Numri i tyre mund të jetë modest, por domethënia është shumë e rëndësishme. Jo vetëm për ta, por sidomos për ne.
Nga pikëpamja morale ne u detyrohemi shumë vendeve të botës mikpritje në kohë të vështira.

Gjatë Luftës së Kosovës, gjysma e popullsisë shqiptare përfundoi jashtë kufijve. Që prej fillimit të viteve ’90, rreth 1/3 e popullsisë së Shqipërisë është strehuar në vende të tjera, për arsye më pak dramatike sesa lufta. Unë mendoj se duhet t’i dëshmojmë botës se dimë të dhurojmë ndihmë për njerëz që kanë nevojë, njësoj siç kemi kërkuar dhe marrë kur na është dashur neve. Sirianët nuk janë aq larg vendeve arabe ndaj të cilave ne mbajmë zakonisht qëndrimin e një lajkatari cinik për të përfituar ndihma. Ndoshta ka ardhur koha të tregojmë edhe anën e kundërt të medaljes.

E di që një pjesë prej nesh mund të mendojnë se ne jemi vetë një vend i varfër dhe shqiptarët janë të dytët në Gjermani pas sirianëve. Por sirianët dhe shqiptarët nuk po largohen për të njëjtat arsye. Lufta është një kërcënim më tragjik, sesa cilido kërcënim apo mungesë tjetër.
Prej vitesh ne jemi krenuar me gjyshërit tanë që pritën, fshehën dhe mbrojtën hebrenjtë prej nazistëve, duke rrezikuar jo vetëm mirëqenien, por shpesh edhe jetën e tyre. Nëse ne nuk ndërmarrim sot të njëjtin akt dhembshurie, nuk kemi më të drejtë morale të përmendim aktin e tyre.

Në kushtet kur vështirësitë ekonomike, dëshpërimi social e politik i ka lodhur njerëzit dhe u ka tretur vetëvlerësimin e respektin për veten dhe vendin, zgjatja e dorës drejt refugjatëve do të na ndihmonte të gjejmë brenda vetes anën tonë më njerëzore. Angazhimi i mundshëm, dhe sidomos i rinisë, në nisma kolektive për mbledhjen e ndihmave dhe “adoptimin” e këtyre refugjatëve të luftës do të shërbente gjithashtu si një mjet i fuqishëm edukimi.

Brezat e rinj të shqiptarëve janë edukuar përgjithësisht me parimet amorale të mbijetesës. Përtej familjeve të lidhura me traditën fetare dhe pak të tjerave me moral qytetar, shumica e të rinjve sot nuk kanë të njëjtin sistem vlerash me brezat e gjyshërve të tyre. E thënë ndryshe, ne po humbim atë që na pëlqen ta përmendim si karakteristikë tonën: mikpritjen dhe bujarinë. Ky është një rast i artë për t’u mësuar brezave të rinj këto vlera që po humbin mes nesh.

Dhe një argument i fundit: duhet bërë thjesht, sepse duhet bërë. Pa asnjë interes, përtej cilitdo prej argumenteve të lartpërmendur. Thjesht sepse do të ishte mirë të ndihmohet dikush që është në pikë të hallit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit