3.4 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

Të harruarit

Më të lexuarat

Fundviti nuk sjell ndonjë ndryshim për ata pak banorë shqiptarë që kanë mbetur në fshatrat shqiptare Bistricë, Cerajë dhe Koshtovë të komunës së Leposaviqit.

Festat ashtu si edhe përditshmëria e tyre janë gati të izoluara dhe aspak të lehta. Banorët shqiptarë të fshatrave më veriore të Kosovës, Bistricë, Cerajë dhe Koshtovë, duket sikur me thonj janë kapur pas mundësisë së vogël për të qëndruar në këtë vend tërësisht të izoluar, ku shteti duket se ka harruar të kthej sytë, le më të zgjas duart dhe ofrojë kujdesin.

Këto fshatra malore janë të vetmet që përbëjnë pjesën etnike shqiptare të komunës më veriore të Kosovës, Leposaviqit, që në këtë dimër shfaqin qartë imazhin e mjegulluar të ndjenjës së harresës, shkruan RTK.

Përditshmëria e kësaj zone që mezi frymon në ftohtin dimëror mes vështirësive është një rrëfim i një jete të rëndë pa mbështetje, pa vëmendje me shumë fjalë pa aspak fryte.

Të tria fshatrat që mezi mbajnë nga 20 familje kanë vetëm nga një të punësuar, të punësuarit e tjerë janë të ardhur që bëjnë pak orë këtu dhe ikin pa bërë ndonjë ndryshim në jetën e këtyre njerëzve.

Të gjitha familjet e tjera mbesin të kapluara në agoninë e pritjes së një ndihme sociale që nuk vjen më shumë se nga 40 euro në muaj e në disa prej familjeve fare.

Përveç disa shtëpive me tulla të kuqe që banorët i rindërtuan me shumë këmbëngulje për të mbetur këtu, pas luftës, nuk ka ndërruar pothuajse asgjë në fotografinë e këtyre fshatrave. E njëjta mund të jetë nxjerrë që nga vitet 60 të shekullit të kaluar e këtej. Tani mund të ketë vetëm një ndryshim sepse kasollet e vogla nga pamundësia për të jetuar po braktisen e rrëzohen përditë.

Lulëzim Hetemi një nga banorët e papunë të fshatit Bistricë rrëfen për jetën e rëndë në këtë vend.

“Kushtet siç po i shihni edhe ju vet, së pari rrugët, infrastrukturë nuk ka, këtu rruga është e pakalueshme, unë jetoj më një asistencë sociale, jemi gjashtë anëtarë të familjes, udhëtimin e bëjmë me mjete, dikush kush ka mjete të veta, edhe kambë malit, mjek nuk ka qe 1 vjet”, thotë Lulzimi.

Gra me foshnja në duar tek ecin me dhjetëra kilometra maleve nëpër borë për të zbritur në Mitrovicë mund të takosh shpesh në këtë pjesë. Këto fshatra sidomos nga viti i kaluar janë mbështjellë në lëvozhgën e ankthit dhe pasigurisë.

Rruga që lidh Mitrovicën, Zveçanin dhe Leposaviqin bllokohet shpesh nga barrikadat e banorëve serbë që nuk duan të pranojnë shtetin e Kosovës dhe në ditë të tilla të gjithë banorët mbesin të izoluar.

Në këto ditë mbase askush nuk duhet të lëviz e ndoshta nuk guxon të ketë as lindje as sëmurje e as vdekje.
Florije Musa në fshatin Cerajë, tregon për ankthin e saj derisa fëmijët t’i kthehen nga shkolla ngase ata duhet të kalojnë kilometra të tërë maleve në mot të mirë e të keq, mes pasigurisë dhe mundësisë për t’u sulmuar, jo vetëm nga egërsirat.

“Shumë rëndë është. Shpesh rri përjashta derisa fëmija të kthehen nga shkolla sepse u duhet nganjëherë të shkojnë këmbë nëpër mal”, rrëfen Florija.

Në këtë oazë mungesash të mëdha është e pamundur të kërkosh dyqan, postë, valë telefonike e madje edhe frekuenca televizive.

Në një ditë të ftohtë fund-dhjetori në këto fshatra mund të ndihet vetëm mërzia dhe vuajtja e këtyre njerëzve. Fëmijë që shikojnë përtej mureve të plasaritura dhe dritareve të vjetra, të rrjepura nga koha dhe skamja mos dikush po kujtohet për ta.

Në fytyrat e zymta të këtyre njerëzve nga përpëlitja midis halleve të bollshme nuk është e vështirë të pikasësh zemërimin ndaj shtetit. Në këtë puls dëshpërimi është krejt e rëndomtë të dëgjosh një përgjigje jo shpresëdhënëse, atë të braktisjes së kësaj jete të vështirë këtu dhe ikjes diku në një vend po aq të pashpresë.

Këtë e tregon Heset Idrizi nga Koshtova që ka vendosur të braktisë shtëpinë.

“Me duhet për shembull, krejt këtë pasuni, plotë stallën lopë, krejt këtë pasuri me lanë, po s’ki qare se nuk kem zgjidhe tjetër na, ose a me i lanë fëmijët pa shkollë”, ankohet Heseti.

Hallet dhe ankesat e këtyre pak banorëve janë të pafund. Rrahim Idrizi 26 vjeçar rrëfen se sa e pashpresë është jeta e një të riu në këtë vend.

“Nuk ka punë nuk ka asnjë shpresë të jetosh këtu. Vetëm vitet po ndërrojnë nuk po ndryshon asgjë këtu. Shpresa për ne është e zymtë”, thotë Rrahimi.

Shitja e bagëtive dhe produktet e qumështit janë të vetmet me të cilat ata do të kishin mundur të jetonin. Por, nuk kanë ku t’i shesin.

Jeta e banorëve të këtyre tri fshatrave tregon se ky vend i vetmi ku flitet shqip brenda nju perimetri domethënës për shtetin e ri, të krijon përshtypjen se po zbehet nga orbita e interesimit të tij që edhe ashtu duket se nuk ka ekzistuar kurrë aq seriozisht. Janë vetëm 80 banorë, por që kanë çka të ruajnë aty ku jetojnë.kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit