-2.3 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

“Të gjithë të kontribuojnë për ardhmërinë e shtëpisë tonë të përbashkët”

Më të lexuarat

Arsyeja ishte se ne duhet të dëshmojmë se kemi shumicën sipas Kushtetutës për formimin e qeverisë dhe ajo është më së paku 61 deputetë me nënshkrimin e tyre t’i paraqesim te kabineti i Ivanovit

Lideri i Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev, pas takimit me presidentin e Maqedonisë Gjorge Ivanov në të cilin diskutuan për situatën aktuale politike të krijuar pas asaj që kryetari i VMRO-DPMNE-së nuk arriti të formojë qeverinë e re, deklaroi se “erdhëm që të marrin mandatin për të formuar qeverinë dhe na u tha se si parti e dytë sipas numrit të votave të fituara nuk mund të marrim mandatin për formimin e qeverisë së re”, raporton Anadolu Agency (AA).

“Arsyeja ishte se ne duhet të dëshmojmë se kemi shumicën sipas Kushtetutës për formimin e qeverisë dhe ajo është më së paku 61 deputetë me nënshkrimin e tyre t’i paraqesim te kabineti i Gjorge Ivanovit, pas së cilës do të na jepet mandati për formimin e qeverisë së re”, deklaroi Zaev.

Zaev shtoi se sipas detajeve që kanë diskutuar në takim me presidentin Ivanov, partia e tij do të marrë vendimet se si do të veprojë në të ardhmen, por nuk tregoi se për çfarë detaje bëhet fjalë.

“Koalicioni i udhëhequr nga LSDM-ja ka 49 deputetë. Ne ende nuk kemi disktuar për të siguruar shumicën dhe përpjekje për të formuar qeverinë. Ato çështje do të fillojnë nga e para”, deklaroi Zaev, duke shprehur bindje se ai do të arrijë të formojë shumicën në Kuvend.

Ai në vijim theksoi se Maqedonisë nuk i konvenojnë zgjedhje të reja, por nevojitet që sa më herët të mbyllen çështjet e hapura në vend dhe të fillohet procedura për formimin e qeverisë së re, që sa më shpejtë të fillojë të funksionojë.

Ndryshe presidenti Gjorge Ivanov në mesditë filloi takime të ndara me udhëheqësit e partive politike për të diskutuar për situatën aktuale politike për formimin e qeverisë së re.

Takimin e parë e filloi me kryetarin e Lëvizjes “BESA”, pastaj me kryetarin e LR-PDSH-së, Ziadin Sela, të cilët nuk u prononcuan për media. Kryetari i BDI-së ishte i treti, ndërsa më pas me liderin e Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev, dhe me kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski i cili nuk u prononcua për media.

Ahmeti: Të gjithë të kontribuojnë për ardhmërinë e shtëpisë tonë të përbashkët

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, pas takimit me presidentin Ivanov, deklaroi se “të gjitha palët duhet të kontribuojnë për ta nxjerr vendin nga kjo krizë politike”.

Ahmeti theksoi se të gjitha palët kanë për detyrë të kontribuojnë në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme, sepse siç tha ai, kemi të bëjmë me “të ardhmen dhe stabilitetin e shtetit, si dhe me imazhin e shtetit dhe shtëpisë tonë të përbashkët”. Ai shtoi se aktualisht të gjitha opsionet për formimin e qeverisë së re janë të hapura.

“Në takim u njoftuam mbi tërë procesin se si duhet të arrihet deri te zgjidhja e çështjeve tona, se si duhet të arrijmë që të kemi një shumicë parlamentare, sepse vërtetë është përgjegjësi, që ne të gjejmë një zgjidhje të pranueshme për të patur organe stabile dhe për të menaxhuar më tej me shtetin”, deklaroi Ahmeti.

Ahmeti shtoi se në takim me presidentin është biseduar edhe për situatën në rajon dhe më gjerë, duke e quajtur situatë jo aq të favorshme që Maqedonia të jetojë me komoditet.

“Biseduam edhe mbi situatën politike në rajon, por edhe më gjerë. Situata në rajon dhe më gjerë nuk është aq e favorshme që ne të mund me komoditet këtu të jetojmë dhe të qëndrojmë, por duhet të gjithë të angazhohemi për ndërtimin e institucioneve që të merren përgjegjësi për t’u përballur në të ardhmen me çfarë do lloj krize që mund të ndodh qoftë në rajon, qoftë edhe më gjerë”, tha Ahmeti.

Në pyetjen se ai si lider që kishte çelësin për formimin e qeverisë së re nuk pranoi të koalicionojë me VMRO-DPMNE-në, Ahmeti tha se tani më çelësi nuk është tek ai, por është tek presidenti i vendit dhe vendimi do t’i mbetet atij.

Konsultimet e presidentit Ivanov me partitë parlamentare vijojnë pas takimeve që realizoi kreu i shtetit me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Nikolla Ivanovski të martën dhe më herët edhe me Euroambasadorin Samuell Zhbogar.

Afati i paraparë ligjor për formimin e qeverisë skadoi më 29 janar, pasi paraprakisht Ivanov ia dorëzoi mandatin për formimin e qeverisë kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, respektivisht partisë e cila në zgjedhjet parlamentare të 11 dhjetorit fitoi më shumë deputetë.​

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit