Në fillim, kur u obligua namazi, nuk ishin të ndaluara bisedat të cilat nuk kishin të bënin me namazin, si përshëndetja me selam, kthimi i saj, etj.. Por më vonë, pasi kaloi një kohë nga obligimi i namazit, u ndaluan të gjitha bisedat që nuk kishin të bënin me të. Prandaj, juristët islamë, kur e shtjellojnë këtë problematikë, theksojnë se ekziston konsensus (ixhma), që, nëse flasim në namaz qëllimisht, atëherë namazi prishet dhe nuk pranohet. Por, nëse ndodh të flasim në namaz nga harresa, ose nëse dalim nga namazi duke menduar se e kemi përfunduar atë dhe flasim, atëherë a konsiderohet namazi i prishur apo jo? Fukahatë për këtë çështje kanë dy mendime.
Mendimet e fukahave
1. Shumica e dijetarëve (medhhebi maliki, shafi dhe hanbeli) janë të mendimit se, nëse flasim në namaz nga harresa, ose nëse flasim duke menduar se e kemi përfunduar atë dhe japim selam para kohe, namazi nuk prishet.
2. Fukahatë e medhhebit hanefi janë të mendimit se namazi konsiderohet i prishur, pa marrë parasysh a kemi folur në namaz qëllimisht ose nga harresa dhe ne duhet ta përsërisim atë nga fillimi.
Argumentet e të dy palëve
Argument bazë i mendimit të parë është hadithi që është i njohur te juristët islamë si “Hadithi i Dhuljedejnit (Dorëgjatit)”. Transmetohet nga Ebu Hurejra, se Resulullahu salallahu alejhi ue selem në një rast fali njërin nga dy namazet e pasdites (drekën ose ikindinë) dhe pas dy rekatëve dha selam (derisa namazi ishte katërrekatësh), pastaj u ul në xhami para njerëzve. Ndër ata që u falën ishin edhe Ebu Bekri e Omeri, por ngurruan të flisnin dhe ta pyesnin. Njerëzit filluan të dilnin nga xhamia duke pyetur: “A u shkurtua namazi?” Një njeri, që i Dërguari i Allahut e quante Dhuljedejn, pyeti: “O i Dërguar i Allahut, a u shkurtua namazi apo harrove?” Resulullahu salallahu alejhi ue selem u përgjigj: “As nuk u shkurtua, as nuk kam harruar.” Ai tha: “Jo, ke harruar.” I Dërguari salallahu alejhi ue selem pyeti se a ishte duke thënë të vërtetën Dhuljedjeni. Ata që ishin të pranishëm iu përgjigjën se po. Muhamedi salallahu alejhi ue selem i plotësoi dy rekatët të cilët nuk i kishte falur, dha selam, pastaj bëri dy sexhde si ato të mëparshmet dhe prapë dha selam. (Shënon Buhariu dhe Muslimi)
Argumentimi me këtë hadith është mjaft i qartë. Muhamedi, bekimi dhe paqja qofshin mbi të, e plotësoi namazin me dy rekate të tjera, pasi kishte dhënë selam para se ta përfundonte atë nga harresa, dhe kishte folur ndërmjet kësaj. Ekzistojnë edhe disa hadithe të tjera, të cilat e vërtetojnë se Muhamedi salallahu alejhi ue selem ka dhënë selam nga harresa para kohe dhe ka folur, pastaj e ka vazhduar namazin aty ku e ka ndërprerë, pasi i është tërhequr vërejta.
Pastaj ata argumentojnë edhe me hadithin e Muavije b. Hakemit, i cili thotë: “Derisa falesha me të Dërguarin e Allahut, njëri nga të pranishmit (në namaz) teshtiu dhe unë i thashë: “Jerhamukellah (Allahu të mëshiroftë)!” Njerëzit filluan të më shikojnë duke zgurdulluar sytë (në shenjë qortimi për këtë vepër). Unë u thashë: “Çfarë keni që më shikoni?” Ata filluan t`i mëshojnë me duar kofshëve dhe kur vërejta se më qortojnë pse kam folur, heshta. Pasi përfundoi namazin i Dërguari, bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, vallahi nuk kam parë mësues më të mirë se ai, as më parë e as më pas. Ai as nuk më qortoi, as nuk më rrahu, as nuk më fyeu, por më tha: “Ky është namaz dhe nuk lejohet në të diçka nga bisedat e njerëzve, namazi është për tesbih (lavdërim për Allahun), për tekbir (madhërim i Allahut) dhe për lexim të Kuranit.” (Shënon Muslimi, Ahmedi, Nesaiu, Ebu Davudi).
Me këtë argumentohet se Muavije b. Hakemi ka folur në namaz nga mosdija për ndalimin e saj. Kurse Resulullahu nuk e urdhëroi ta përsëriste namazin për këtë. E njëjta vlen edhe nëse njeriu flet nga harresa, ose nga mendimi se ai ka përfunduar namazin, ndërkohë që, në realitet, nuk e ka përfunduar. Pra, dijetarët argumentojnë me këtë hadith duke bërë analogji (kijas) mes mosnjohjes së dispozitës me harresën.
Kurse argument i mendimit të dytë, i atyre që thonë se namazi prishet nëse flasim nga harresa, është hadithi i Abdullah b. Mesudit, i cili thotë: “Në fillim e përshëndetnim (i jepnim selam) Resulullahun salallahu alejhi ue selem duke qenë në namaz dhe ai na e kthente atë. Pasi u kthyem nga Nexhashiu (nga Etiopia), (me një rast) i dhashë selam (duke qenë ai në namaz), e ai nuk ma ktheu, pastaj unë i thashë: “O i Dërguar i Allahut (më herët) të jepnim selamin dhe ti na e ktheje atë duke qenë në namaz.” Ai tha: “Me të vërtetë në namaz ka preokupime të tjera.” (Shënon Buhariu, Muslimi dhe të tjerët.)
Dhe argument tjetër gjithashtu është hadithi i Zejd b. Erkamit, i cili thotë: “Në fillim gjatë namazit ne flisnim, njëri nga ne i fliste shokut të tij, që e kishte afër në namaz. Kur zbriti ajeti “…dhe ndaj Allahut të jeni respektues (në namaze).” (Bekare, 237), u urdhëruam të heshtim dhe u ndaluam nga biseda.” (Shënon Muslimi.)
Këto dy hadithe janë argument se biseda e prish namazin dhe juristët islamë, të cilët i përmendin këto hadithe si argument, sqarojnë se dispozita që nxirret nga këto është e përgjithshme qoftë qëllimisht, qoftë nga harresa dhe ata nuk bëjnë dallim ndërmjet këtyre rasteve.
Sqarim rreth argumenteve të të dy palëve
Fukahatë, të cilët kanë thënë se namazi prishet në përgjithësi, qoftë nëse flasim qëllimisht ose nga harresa, u janë përgjigjur argumenteve të mendimit tjetër, se ato hadithe me të cilat kanë argumentuar ata janë të hershme dhe janë të anuluara (mensuh), me hadithet e tjera (me të cilët këta argumentojnë), pasi në fillim ishte e lejuar biseda në namaz, pastaj u ndalua. Prandaj, ata thonë se hadithi i Dhuljedejnit dhe ai i Muavijes (të cilat u përmendën më lart) kanë ndodhur para se të ndalohet biseda në namaz, pastaj kjo u ndalua më vonë dhe ato konsiderohen të anuluara (deroguara).
Mirëpo, ajo që llogaritet e saktë këtu është se këto hadithe, hadithi i Dhuljedejnit dhe i Muavije Ibën Hakemit, janë më të vonshme se hadithi i Abdullah b. Mesudit dhe Zejd b. Erkamit (me të cilat kanë argumentuar ata që thonë se namazi prishet nëse flasim në të, qoftë qëllimisht ose nga harresa). Hadithi i Dhuljedejnit dhe i Muavijes janë pas hixhretit, kurse hadithi i Abdullah b. Mesudit pa dyshim ka qenë para hixhretit pasi të gjithë pajtohen në mendimin se Ibën Mesudi është kthyer nga Abesinia (Etiopia) para hixhretit. Gjithashtu, edhe hadithi i Zejd b. Erkamit është i hershëm. Këto dy hadithe (i Abdullah b. Mesudit dhe ai i Zejd b. Erkamit) tregojnë se në fillim kur është obliguar namazi, nuk ishte e ndaluar biseda, që duke u falur të flasësh me atë që ke afër, kthimi i selamit, etj., e më pas këto ndalohen. Por kjo ndalesë ka ndodhur pa dyshim para hixhretit, ashtu si aludohet qartë kjo nga hadithi i Ibën Mesudit. Për këtë është i paqëndrueshëm pretendimi se ky hadith (i Ibën Mesudit) të jetë anulues (nasih) i hadithit të Dhuljedejnit, pasi ngjarja që tregohet në këtë hadith (të Dhuljedejnit) ka ndodhur në Medinë pas hixhretit. Për të qenë i mundur anulimi i një hadithi është e detyrueshme që ky anulim të bëhet me një citat që është më i vonshëm se i pari.
Prandaj, edhe një herë e theksojmë se hadithi i Ibën Mesudit dhe i Zejd b. Erkamit kanë të bëjnë nëse flasim qëllimisht në namaz, e jo nga harresa. Kurse hadithi i Dhuljedejnit dhe i Muavijës janë më të vonshëm dhe kanë të bëjnë nëse flasim nga pavetëdija, ose nga harresa. Me këtë formë të shpjegimit të haditheve vihet në dispozicion të punuarit me të gjitha hadithet pa e anuluar asnjërin nga ato dhe kjo në shkencën e Usuli Fikhut, pra, të punuarit me të gjitha hadithet që kanë të bëjnë me një çështje duke mos shpërfillur ose anuluar ndonjërin prej tyre, është më primare, sesa të anulohet ndonjëra nga ato.
Çfarë duhet të veprojmë nëse flasim në namaz nga harresa
Pasi kuptuam qëndrimet e fukahave në këtë dhe vlerësuam se qëndrimi më i avancuar dhe i qëndrueshëm në këtë është se nëse flasim me harresa, namazi nuk prishet dhe nuk është e nevojshme të përsëritet ai nga fillimi, atëherë na mbetet të sqarojmë se çfarë duhet të veprohet në atë rast.
Për të qenë më i lehtë kuptimi i kësaj problematike, do të bëjmë ndarjen e çështjes në dy raste të mundshme, ku muslimani mund të flasë në namaz nga harresa:
a) nëse duke u falur, nga harresa shqipton ndonjë fjalë që nuk është pjesë e namazit, ose edhe i flet dikujt pa qenë i vetëdijshëm se është në namaz;
b) të japë selam ai që është duke u falur, para përfundimit të namazit, nga harresa (qoftë edhe para përfundimit të të gjitha rekateve) dhe të mendojë se e ka kompletuar namazin të tërin ashtu si është e kërkuar dhe fillon të flasë, t`i thotë lutjet, ta bëjë dhikrin, ose të bisedojë me dikë që ka pranë.
Për rastin e parë themi: Nëse kjo bëhet me qëllim, namazi prishet dhe është i papranuar, ashtu siç vërtetohet në hadithin e Zejd b. Erkamit, që e transmeton Muslimi.
Por, nëse flasim nga harresa se jemi në namaz, ose na shpëton nga goja ndonjë fjalë pa qëllim, atëherë mendimi më i saktë është se namazi nuk prishet, por është i obliguar të bëjë sehvi sexhde, pasi këto fjalë nuk kanë të bëjnë me namazin.
Për rastin e dytë (nëse jep selam para përfundimit të namazit dhe flet), themi gjithashtu se nëse kjo bëhet me qëllim, atëherë namazi është i papranuar dhe duhet të përsëritet nga fillimi.
Kurse, nëse kjo ndodh nga harresa, p.sh. nëse jep selam në rekatin e dytë duke menduar se e ka përfunduar namazin, por realisht atij i kanë ngelur edhe një ose dy rekate për t`i falur (nëse është në namazin e drekës ose te akshamit). Atëherë shikojmë nëse koha prej daljes nga namazi deri kur i kujtohet është e gjatë, ose ka dalë nga xhamia dhe ka kaluar një kohë, ose e ka prishur abdestin, ai namaz është i papranuar dhe duhet ta përsërisë nga fillimi, pasi nuk është e mundur ta plotësojë namazin të cilin e ka lënë të mangët dhe ka kaluar kohë shumë.
Nëse koha nuk është e gjatë, atëherë ai e plotëson namazin (edhe pse ai ka dhënë selam ose ka folur, qoftë edhe ka biseduar rreth ndonjë gjëje që nuk ka të bëjë me namazin), pastaj pasi e plotëson atë në fund të namazit bën sehvi sexhde dhe jep selam edhe një herë. Argument për këtë është hadithi i lartpërmendur i Dhuljedejnit, të cilin e shënon Buhariu. Në këtë hadith kuptohet mjaft qartë se Muhamedi salallahu alejhi ue selem ka dhënë selam nga harresa, pasi ka falur vetëm dy rekate, pastaj e ka plotësuar atë edhe me dy rekate të tjera për t’i bërë katër rekate, pasi ishte namazi i drekës apo i ikindisë. Muhamedi sallallahu alejhi ue selem ndërmjet këtyre rekateve ka folur, megjithatë ai nuk e filloi namazin nga fillimi, por rekateve të mëparshme ia bashkëngjiti të tjerat për ta plotësuar tërë namazin.
Alaudin Abazi
18.5.2007