1.4 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Të ekzistuarit e Allahut

Më të lexuarat

Përgatiti: Bahri Curri

E vërteta më madhore dhe më fisnike, në natyrshmëri dhe në mendje, është e vërteta për ekzistimin e Allahut subhanehu ve teala. Gjë, të cilën e pranojnë mendjet e shëndosha, edhe pse e mohojnë disa gjuhë padrejtësisht dhe nga mendjemadhësia, por e vërteta është shumë e qartë sa nuk i kanoset asnjë dyshim apo ndonjë pasiguri.

Në çdo send ka argument

Që tregon se Ai është Një.

Argumentet që tregojnë për ekzistimin e Allahut janë të llojllojshme, duke filluar prej ndërgjegjes së njeriut dhe natyrshmërisë së tij deri në çdo grimcë (atom) të gjithësisë. Gjithçka dëshmon dhe pranon se ky univers ka Një Zot, Një Rregullues, Një të Adhuruar (Allah) dhe Një Krijues.

Argumenti i parë, prej të gjitha këtyre argumenteve, është natyrshmëria. Me këtë synojmë natyrshmërinë, në të cilën Allahu ka krijuar njerëzimin që të besojnë në Atë (Allahun). Për këtë na dëfton Kur’ani Fisnik, ku thotë:

“Përqendro vetveten tënde sinqerisht në fe, i larguar prej çdo të kote, (e ajo fe), feja e Allahut në të cilën i krijoi njerëzit, s’ka ndryshim (e as mos tentoni të bëni ndryshim) të asaj natyrshmërie të krijuar nga Allahu, ajo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.”[1]

Ky argument do të mbetet me njeriun dhe në shpirtin e tij sa të vazhdojë ekzistimi i tij në këtë gjithësi, edhe nëse e mbulojnë dyshimet apo e përvetësojnë epshet, por është argument që shfaqet shpejt e qartë në rastet e kthjellta dhe në largimin-zbulimin e maskave.

Në realitetin e përditshëm kemi shembuj të shumtë që tregojnë për shfaqjen e natyrshmërisë si një faktor ndikues në ndryshimin e jetës së njeriut prej mosbesimit (ateizmit) në besim (iman), prej humbjes në udhëzim.

– Ja ky mund të ishte një ateist buzë vdekjes nën valët e mëdha të detit, por që iu shfaq e vërteta e besimit që e bëri të shqiptojë me gjuhën e tij fjalën “La ilahe il-lall-llah”, dhe pasi shpëtoi me ndihmën e Allahut, u bë musliman dhe e zbatoi mirë e drejt Islamin.

– Një rast tjetër na tregon për një aeroplan plot me udhëtarë që pati disa prishje dhe filloi të rrëzohej, në atë çast prej tyre u ngritën dhe u dëgjuan zërat e imanit, edhe pse më parë ishin jobesimtarë dhe ateistë. Allahu e ka shënuar këtë dukuri në Librin e Tij Fisnik në më shumë se një ajet, prej tyre:

“E kur ju kap juve paniku (frika) në det, i humbni (nga kujtesa) ata që i lutni, u mbetet vetëm Ai (Allahu), mirëpo pasi që Ai t’ju shpëtojë e të arrini në tokë, ia ktheni shpinën. Ashtu, njeriu është përbuzës.”[2]

Ky është argumenti i natyrshmërisë, aq është i fuqishëm dhe i lartë sa nuk ka mundësi ta mohojë askush, apo ta polemizojë ndonjë polemizues.

– Kemi edhe një argument tjetër, që për nga vlera dhe fuqia nuk mbetet aspak prapa nga argumenti i natyrshmërisë. Ky është ai, të cilin dijetarët e quajnë argumenti i ndodhisë (me shkak apo rastisje). Si rezultat i këtij është se çdo krijesë patjetër duhet ta ketë Krijuesin, kjo është një e vërtetë që e pranon çdo mendje e shëndoshë. Bariu beduin kur është pyetur për ekzistimin e Allahut, shumë qartë me natyrshmërinë e tij të pastër tha:

“Bajga tregon për kafshën, gjurma tregon për kalimtarin. Qielli me plotë yje, toka me plot kodra e fusha, a nuk tregojnë për të Plotfuqishmin dhe të Gjithinformuarin?!”

Për Zotin sa mirë e argumentoi këtë dhe sa me aftësi të fjalës logjike dhe elokuente e shpjegoi këtë!

– Prej argumenteve tjera që tregojnë për këtë është edhe ajo që transmetohet nga një dijetar, nga i cili kishin kërkuar disa ateistë të diskutonin për ekzistimin apo mosekzistimin e Allahut subhanehu ve teala. Caktuan për këtë një takim, por dijetari u vonua në atë takim, gjë të cilën e bëri me qëllim. Posa arriti, e pyetën për shkakun e vonesës së tij, e ai tha: – Mes meje dhe jush është një lum që duhej ta kaloja. Nuk gjeta asgjë që do të më kalonte këtej bregut, kështu që u detyrova të pres. Por nuk zgjati shumë dhe aty pranë erdhi një anije që ecte pa drejtues dhe pa përcjellës! Në atë çast shpërthyen ateistët duke kundërshtuar këtë, e i thanë: – Çfarë po thua, o njeri? Atëherë, dijetari u tha: – Ju mohuat të pranoni Krijues për këtë gjithësi, e si nuk po e pranoni një anije pa kapiten!? Atëbotë, ata pranuan këtë fakt dhe besuan.

Kur’ani përmend këtë lloj argumentesh në shumë vende, i Lartësuari thotë:

“A mos u krijuam prej kurrgjësë, apo ata vetë janë krijues? A mos ata i krijuan qiejt e tokën, jo, por ata nuk janë të bindur.” [3]

Këto janë dy mundësi që nuk ka mundësi tjetër të tretë, përveç pranimit të ekzistimit të Allahut dhe të besuarit e Tij.

Mundësia e parë:

E tërë kjo gjithësi të ekzistojë pa Krijues, gjë që është e pamundur dhe që e mohon çdo mendje e shëndoshë. Ngase, çdo krijesë duhet ta ketë krijuesin dhe çdo prodhim duhet ta ketë prodhuesin, ndërsa mosekiztenca nuk krijon.

Mundësia e dytë:

Ata të kenë krijuar vetveten, qiejt dhe tokën. Edhe kjo po ashtu është e pamundur, askush deri më tani nuk ka pretenduar se ka krijuar vetveten, e lëre më qiejt dhe tokën! Po të pretendonte ndokush një gjë të tillë, do të akuzohej si i marrë dhe i çmendur, ngase ai që nuk disponon me një gjë tillë, edhe s’mund të japë.

Pas tërë kësaj nuk mbetet tjetër përveç se të pranohet se ky univers ka Krijuesin dhe Shpikësin. Ky argument është i lartë me plot kuptimin e fjalës dhe shumë i fuqishëm, andaj Xhubejr bin Mut’im kur e dëgjoi tha: “Gati sa nuk fluturoi zemra ime!”, sikur që transmetohet nga Buhariu.

Këto janë disa nga argumentet që tregojnë për ekzistimin e Allahut. Janë argumente që nëse analizohen me kujdes dhe me vëmendje rezultojnë me pranimin e tyre dhe dorëzimin ndaj Allahut xhel-le shanuhu.

Lusim Allahun të na e shtojë diturinë dhe imanin! [4]


[1] Rrum, 30.

[2] Israë, 67.

[3] Tur, 35-36.

[4] Ky material është marrë nga: www.islamweb.net. Është përkthyer nga arabishtja në Maj 2005.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit