ERMIR GJINISHI
Në debatet e nxehta të kë tyre ditëve, rrekemi pakuptim në humbëtira keqkuptimesh, indiferencash e hipokrizish të padobishme. Nga kacafytjet nëpër ekrane të eksploratorëve të rinj të identitetit shqiptar, në perspektivat dualiste, që po të njëjtët aktorë kënaqen kur i shpallin, si të jenë çështje shorti në duart e tyre, e deri në kakofoninë e përcaktimit të ADN-së shqiptare nisur nga infantiliteti personal. Një impotencë intelektuale. Kështu do ta përshkruante «dokush realitetin e zhurmshëm mediatik të këtyre ditëve. Në fakt, sfidat nuk të pyesin se në «’formë do të donim t’i kishim.
Një nga personalitetet britanike akademike, Arnold Toynbee, thotë se progresi i një shoqërie varet nga mënyra se si i përgjigjet sfidave. Nuk jam ndonjë sfidant i madh, por do të doja t’u hapja një derë të pa«elur atyre që me të vërtetë presin sfida. E kam fjalën për okultizmin dhe okulten, prezencën dhe impaktin e saj në shoqëri, si dhe marrëdhëniet me religjionin. Realisht, kjo lidhet direkt me lirinë e individit dhe të shoqërisë. Sa të lirë jemi? Në një përcaktim të thjeshtë “Liria” është të vepruarit pa shtrëngime sipas dëshirave, interesave, qëllimeve, është aftësia e njeriut për të vepruar e menduar me vetëvendosje të plotë sipas zgjedhjes së tij. Ndërsa te besimet fetare, liria përmbledh pajtimin/pranimin paqësor të realitetit të brendshëm me plotfuqinë e hyjnores. Ndërkaq, “Okultizmi” nga latinishtja – occultus d.m.th. i fshehtë, i fshehur.
Qëllimi i tij është zotërimi i pushteteve, politike, financiare, shpirtërore në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Okultizmi ka një marrëdhënie interesante me religjionin. Kujdesi i organizimeve kulte, për t’u kamufluar me dimensione religjioze është realiteti dhe abuzimi më i madh i kohërave që jetojmë, por jo vetëm. Kufiri mes fesë dhe jofesë, në kontekstin e përcaktimit ligjor, është kufi i kontestuar, shpesh dhe arbitrar. Mesa duket, kjo është edhe pika e dobët e keqpërdorimit të lirisë në një sistem ku e drejta fetare është kontekst i padiskutueshëm i lirive universale.
Dikotomia e shenjtë dhe profane ku bazohet dallimi mes fesë zyrtare elitë (institucionale) dhe asaj jozyrtare (jashtëinstitucionale), në të cilën bën pjesë dhe okultizmi, përveç refuzimit shkencor dhe fetar të shprehura historikisht në termat supersticioze apo heretike, përtej abuzimit, shkakton keqkuptime edhe për shkak të depërtimit te njëraTjetra, çka e komplikon më tej dimensionin e lirisë fetare në aspektin/kufirin ligjor. Dukshëm, shkenca dhe feja janë divorcuar me kohë nga praktikat/besimet okultiste, që kur i quajtën të devijuara.
Gjithsesi, trendi i përhapjes së praktikave/përvojave apo grupeve fetare “jashtëdenominacioneve” jozyrtare, është njëkohësisht tregues dhe shqetësim i zhvillimeve moderniste në Perëndim, kryesisht në SHBA dhe Europë, për arsye të implikimit religjioz në procese joreligjioze. Është e qartë se demokracia si hapësirë e lirisë së të shprehurit e të vepruarit, akoma s’ka gjetur instrumentet e duhura për t’u mbrojtur nga keqpërdorimi i lirisë. Në fakt, kuptueshëm ajo është më e gatshme të tolerojë keqpërdorimin e lirisë, sesa të kufizojë lirinë, ndryshe nuk do të kishte dallim nga diktati. Shoqëritë sekrete janë pjesë e fesë jozyrtareokultizmit.
Kultet misterioze, masoneria e lirë, kabalistët etj., si pjesë e polemikave të hershme, përcjellin larminë e shoqërive të fshehta, të cilat rrethohen nga misteri dhe frika, rituale e simbolika sekrete. Rrallë mund të vërehet qartë kufiri ndarës mes shoqërive sekrete fetare nga ato jofetare. Kjo ndoshta është një nga mjeshtëritë e okultizmit për t’u maskuar. Historia botërore përcjell eksperienca të hidhura të lëvizjeve okulte intolerante, shtypëse madje dhe të dhunshme.
SHBA në shekullin XX dhe Europa mesjetare është përballur me të tilla organizime që kanë promovuar antisemitizmin dhe janë shndërruar në lëvizje raciste, mizogjiniste, deri dhe politikisht shoviniste (Lippy 1994; Vauchez 1993). Në përgjithësi, lëvizjet okulte janë cilësuar si antidemokratike, shkelëse të lirive ekonomike, politike e fetare, përfshirë dhe lirinë e shprehjes. Nëse s’do të ishin kështu, s’kanë arsye logjike pse të jenë okulte. Iluminizmi perëndimor, mes të tjerash, shënon fillimin e perspektivës së ndarjes së mënyrave të njohjes shkencore prej atyre ezoterike abuzive, të cilat ishin pjesë e okultizmit që synonin frenimin e dijes, lirisë individuale dhe të vërtetës. Është çështje parimi e normash mbi të gjitha.
Fshehja e së vërtetës manipulon realitetin, prish rendin, përhap kaos dhe mban larg shoqërinë nga orientimi drejt progresit tërësor, duke u shndërruar në pengesë për zhvillimin. Nuk mund të ekzistojë një shoqëri kulte, nëse nuk fsheh një pjesë të realitetit, në mos të tërin. Okultizmi gjallon nëpërmjet zotërimit apo fshehjes së njohjes së vërtetës, dhe transformimin publik të saj në të pavërtetë. Zhvillimi i sotëm teknologjik, përtej anës pozitive, është mjedisi i lulëzimit të një forme të re të okultizmit. Deformimi i së vërtetës në të gënjeshtërt dhe anasjelltas (fakenews), synon të largojë vëmendjen e shoqërisë nga thelbi i realitetit dhe perspektivës së saj.
Hetimet mbi ndikimin e duarve të fshehta ruse në zgjedhjet e fundit presidenciale në SHBA apo prezenca e grupeve okulte shtegtare në Ballkan, qofshin interesa gjeopolitike apo trafik influencash kulturore identitare, janë tregues të hartës së përhapjes së interesave të padukshme. Çështja është; sa të ndërgjegjshëm dhe të lirë jemi në zgjedhjet/zgjidhjet që bëjmë? Rreziku i okultizmit të networkut gylenist nuk ka të bëjë fare me përplasjen ErdoganGylen, sepse realisht përplasja mes tyre është vetëm simbolika e një forme të shfaqjes së thelbit të konfliktit të vërtetë midis legales dhe jolegales, të dukshmes dhe okultes, transparentes dhe të fshehtës, të ligjshmes dhe të paligjshmes, lirisë dhe skllavërisë, të vërtetës dhe mashtrimit.
Fijet e lëvizjes gyleniste, apo çdo organizimi tjetër okult, brenda strukturave të një shteti, janë shteti paralel i padukshëm, i cili ndikon në vendimmarrje, vetëm për interesat e tij, që logjikisht nuk përkojnë me ato të qytetarëve, duke deformuar/dobësuar konstruktin e vetë shtetit. Çdo shtet i dubluar me struktura të tilla, rrezikon të shembet sa herë që interesat okulte të strukturuara brenda tij cenohen. Rasti i Turqisë është një kambanë alarmi për ne, ku strukturat paralele okulte për pak shkërmoqën një shtet aq të fuqishëm. Debati mediatik i stisur mbi vlerat e Gylenit dhe autoritarizmin e Erdoganit është krejt jashtë thelbit dhe kontekstit shqiptar.
Influenca gyleniste në strukturat e shtetit tonë ka shtuar korrupsionin (për shkak të etjes për para me të cilat ata joshin/korruptojnë vendimmarrësit tanë dhe forcojnë pushtetin e tyre), ka deformuar konkurrencën e lirë në treg (bizneset gyleniste janë gati monopole), ka krijuar gropë të zezë në financa (për shkak të evazionit fiskal), ka shkatërruar garën e drejtë të pjesëmarrjes në tenderët publikë (bizneset gyleniste i fitojnë tenderët aty ku marrin pjesë), ka deformuar shtetin e së drejtës, por më e rëndësishme mbetet siguria kombëtare. Kjo është ajo që duhet të na shqetësojë.
Opozitarizmi individual në thelb është atribut i të qenurit i lirë, ndërsa ai grupor është vlerë në çdo shoqëri demokratike. Ai përcjell aftësinë e të menduarit kritik, përgjegjshmërinë, idealin, forcën morale, shpresën për një të ardhme ndryshe, më të mirë, nevojën për ndryshim progresiv, aftësinë e njerëzve për t’i ndrequr gjërat vetë, në mos, thjesht për t’i vënë në dukje ato.
Është porcioni më i shëndetshëm i pluralitetit shoqëror, ideologjik, kulturor, pse jo dhe identitar. Ai nuk e zhbën kurrë identitetin individual apo shoqëror, por i ruan atij trajtat origjinale. Edhe kur mendojmë se ai po rrënon disa tregues thelbësorë apo deformon atë (si në rastin e debateve ditët e fundit mbi identitetin shqiptar), thjesht e ka imunizuar/farkëtuar më shumë për të qenë vetvetja. Në fakt, ky do të ishte opozitarizmi ideal, por nuk është gjithnjë kështu.
Deklarata e Kryeministrit Rama mbi rrezikun e fondamentalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm në rast të moshapjes së negociatave me BE-në ngjalli një reagim të ashpër nga politika opozitare dhe nga disa teleopinionistë. Ky lloj opozitarizmi fals refuzon çdo gjë që vjen nga Rama, jo për shkak të vërtetësisë, rëndësisë apo peshës, por për shkak të emrit të individit që e përcjell. Duhet ta pranojmë hapur, fenomeni është prezent te ne prej shumë kohësh. E ndërsa radikalizmi është i lindur, ekstremizmi i dhunshëm është i importuar sepse kauza e tij nuk lidhet me realitetin shqiptar. Ne nuk mund të jemi imunë nga ky fenomen global.
Qartësimi mbi hapësirat reale të veprimit religjioz, natyrën dhe tendencat e tij në strukturat shoqërore, është një proces vazhdimësie. Për të ruajtur modelin shqiptar të harmonisë dhe bashkëjetesës, kemi nevojë për një marrëdhënie të re shtet-fe. Përballja, qasja/ zgjidhja nuk mund të jetë vetëm e institucioneve fetare, por në bashkëpunim edhe me shoqërinë civile, institucionet shtetërore dhe jo vetëm. Në kuadër të “Institutit Pashko”, ka mëse dy vjet që është përgatitur një projekt i detajuar, i cili, mes të tjerash, synon vlerësimin dhe ruajtjen e traditës historike të artit dhe arkitekturës religjioze si pjesë e identitetit tonë, ofrimin e modelit të përshtatshëm për futjen e “kulturës fetare” në kurrikulat e shkollës, kualifikimin teologjik e shkencor të klerit ligjërues publik, zgjidhjen e aspektit financiar dhe audit sipas modeleve bashkëkohore në funksion të transparencës, operimin praktik parandalues në përballjen me sfidat globale që lidhen me çështjet e sigurisë etj..
Për t’ju rikthyer sërish debatit, në këtë terren ambig të çorientuar, me trafik të dendur interesash, hapja e negociatave me BE-në zvogëlon/mbyll ekspozimin ndaj influencave sllavo-ruse, por edhe ndaj ekstremizmit me ngjyrim fetar, rrit sigurinë dhe stabilitetin. Gjendja “freezing” është e dëmshme jo vetëm për vendin tonë, por edhe për perspektivat euroatlantike në rajon. Kemi nevojë ta shohim njëri-tjetrin në sy, sinqerisht. Ndoshta, ligjërimi afro një shekull më parë i Migjenit, thënë në kontekstin shqiptar, vlen edhe për Europën e sotme, për qartësinë, misionin dhe perspektivën –”Të çelen arkapijat”.
* Pedagog i studimeve religjioze