1.4 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Të burgosurit në Dubravë: S’kemi ushqim e ilaçe, të hetohen keqpërdoruesit e buxhetit

Më të lexuarat

Me mungesë të ushqimit, të barnave, shërbimit mjekësor dhe me trajtim jo të duhur po përballen të burgosurit në burgun e Dubravës.

Përmes një letre dërguar KosovaPress-it, 24 të burgosur kanë treguar se me çka përballen në përditshmërinë e tyre teksa vuajnë dënimin.

Ata kanë bërë të ditur se në këtë burg mungojnë gjërat elementare të ushqimit, ku kanë cekur se ka mungesë edhe të barnave. Ndërsa, thonë se trajtohen si skllav të kohës moderne.

“Kërkojmë të merren më seriozisht me këta të burgosur me këta njerëz që vuajnë edhe nga sëmundjet dhe të drejtat themelore. Duhet me urgjencë të merret ministri personalisht Abelard Tahiri të merret urgjentisht me menaxhimin e këtij institucioni. Në këtë burg mungojnë edhe gjërat ushqimore, në këtë institucion mungojnë gjërat më të thjeshta ushqimore lakra, patatja, domatja, trangujt. Mungojnë edhe barnat mjekësore”, thuhet në letër.

Të burgosurit në burgun e Dubravës u kanë bërë ftesë organizatat qeveritare dhe atyre joqeveritare që të merren seriozisht me këtë qendër. Ndërsa, një ftesë kanë pasur edhe për kryeprokurorin e shtetit Aleksandër Lumezi dhe ministrin e drejtësisë Abelard Tahiri.

“Kryeprokurori të merret me hetim të plotë se ku shkojnë këta tendera, të hetohen këto para për secilin të burgosur dhe kush është duke i zhvatur këto para. I nderuar ministër me urgjencë të thërrasim merru me këtë shërbim, se ky shërbim është nën ombrellën tuaj. I nderuar ministër, kërkojmë nga ju të merreni seriozisht me këtë qendër dhe mos t’i dëgjoni njerëzit që e menaxhojnë këtë institucion. Ta formoni një komision, nga prokurori dhe me urgjencë të merret me këtë qendër dhe të gjinden zhvatësit e këtij institucioni dhe të përgjigjen para drejtësisë”, thuhet tutje në letër.

Gjithashtu, ata kanë thënë se në këtë qendër vdesin njerëz duke mos marrë trajtim mjekësor, si dhe se nuk ka dhënie llogari sa për një kafshë.

“Të nderuar president, kryeministër, krye parlamentar, padrejtësitë që jemi duke i përjetuar na len me dëshirua të ishim banor, shtetas të shteteve të posa dala nga lufta, Kroacia, Maqedonia, Sllovenia, Mali i zi. Në këto republika ka pasur shumë amnisti, në këto republika iu ka dhënë amnistia, iu ka dhënë e drejta për jetë. Këto republika të dalura nga lufta madje kanë dhënë 2-3 herë amnisi të përgjithshme, kurse shteti ëmë, shqiptar, ka pasur raste edhe brenda 1 viti 2 herë amnisti dhe falje. Rasti i fundit shteti i Maqedonisë dha amnisti me 26 janar 30 përqind të vitit 2018. Ne të burgosurit të cilët kanë mbet në mëshirën e Zotit, e ndjejmë vërtet sikur të jetonim në mesjetë!!!”, thuhet në letër.

Në institucionet e Republikës së Kosovës, privilegjet sipas tyre mjerisht blihen me para, privilegjet i takojnë jo sipas ligjit, por në përfundim të dënimit apo të fortit.

“Mos respektimi, moszbatimi mundet lehtë të na qoj deri tek eskalimi i situatës. Urojmë përmes kësaj shkrese mos të hasim në vesh të shurdhër”.

Ditë më parë Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), ka bërë publik raportin për Monitorimin e Qendrave të Ndalimit, Qendrave të paraburgimit dhe Qendrave korrektuese, ku u vë në pah politizimi i Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Po në atë raport është thënë se edhe pse SHKK mund të llogaritet si qendra më e suksesshme korrektuese në rajon, ajo vazhdon të përballet me ndërhyrje politike, pasi që të privuarit nga liria në Kosovë përballen me nepotizëm dhe standarde të dyfishta në aplikimin e regjimit të avancuar por edhe të privilegjeve. Ndërsa, është thënë se problem i përgjithshëm në vitin 2018 mbetet mungesa e Ligjit për Amnisti dhe një spital i përgjithshëm i burgjeve që do t’i kontribuon edhe Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Numri i përgjithshëm i të privuarve nga liria gjatë vitit 2017 në Kosovë ishte 2730. Prej tyre 192 janë minoritete; serbë 100, ashkali 7, romë 33, boshnjakë 18 dhe turq 8 ndërsa të tjerët nuk janë deklaruar. Në burgjet e Kosovës janë edhe 50 shtetas të huaj. Femra të privuara nga liria janë 66 kurse të mitur 60. Mosha e të privuarve nga liria është nga 15 deri në moshën 74 vjeçare. Derisa raporti Monitorues për vitin 2017-të e nxjerrë si dukuri pozitive faktin se nuk ka pasur mbipopullim të Qendrave Korrektuese. Faktor tjetër pozitiv nga ky raport del të jetë edhe rritja e numrit të të liruarve me kusht.

Derisa raporti tregon se Qendra në Smrekonicë mund të jetë model për të tjerat, ndërsa ajo në Mitrovicën Veriore është në gjendje të rregullt, teksa Qendra Korrektuese e Prizrenit njihet si qendra më problematike.

Ndryshe, buxheti i SHKK-së për vitin 2017, ishte 16 milionë e 660 mijë e 598 euro.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit