Lavdërimi i takon Allahut, i Cili na ka urdhëruar me kryerjen e urdhrave dhe me largimin nga të këqijat, ka inkurajuar në shfrytëzimin e periudhave dhe sezoneve të vlefshme duke bërë gara për në mirësi dhe veprat e mira. Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të Dërguarin tonë, Muhamedin, mbi familjen, gratë e tij të pastra, shokët e tij si dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tyre deri në Ditën e Gjykimit.
Vetëm sa futet muaji i bekuar i Ramazanit dhe shfaqet hëna e re e tij për muslimanët, muslimani ndien sikur është futur në një kurs të imanit, zemra e tij i zbutet, shpirti i tij i qetësohet, i afrohet Allahut të Lartësuar, begatohet në të me të mirat sikur transferohet nga një kopsht në një kopsht tjetër. Si të mos jetë kështu kur ai gjendet në muajin në të cilin zhvillohen garat për në mirësi dhe për veprat e mira! Me këtë garë, do të jetojmë së bashku, duke e sqaruar, shpjeguar dhe inkurajuar në ndalesat vijuese:
Ndalesa e parë:
Allahu i Lartësuar e ka krijuar njeriun dhe i ka dhënë atij shumë mundësi, që mbi to të ngrihet ekzistenca dhe jeta e tij, e ka dalluar atë nga krijesat tjera, i ka dhënë mendjen me të cilën logjikon, dallon të mirën dhe të keqen, të dobishmen dhe të dëmshmen, i ka dhënë shqisa përmes të cilave i ndjen gjërat rreth tij, i ka dhënë ndjenja dhe perceptim përmes të cilave lëvizin ndjenjat e tij, e tërë kjo që të përsoset personaliteti i tij dhe të balancohen bazamentet e jetës së tij.
Të gjitha këto, pa dyshim, janë dhunti të Allahut të Lartësuar ndaj njeriut, kësisoj njerëzit zhvillohen në ekzistencën e tyre në këtë jetë, sa që bëjnë gara ndërmjet tyre me shfrytëzimin e këtyre mundësive. Jeta është shndërruar në një fushë garash në lloje të ndryshme të rivalitetit, dhe sa herë që e kthen shikimin tënd në Lindje ose Perëndim i gjen njerëzit kësisoj.
Një kategori njerëzish ambicia e tyre është grumbulli i pasurisë, përpjekjen e tyre e kanë përqendruar në grumbullimin dhe shpenzimin e saj. Pikëpamja e tyre dallon ndaj pasurisë dhe ndaj formave të grumbullimit dhe shpenzimit të saj. Një kategori tjetër e njerëzve, ambicia e tyre është të angazhohet dhe të shpikë diçka në jetën e njerëzve, nuk del ndonjë aparat veçse mendimi i paraprinë në ndonjë aparat tjetër, cili prej tyre është më i lehtë dhe më i përdorshëm. Kategori tjera njerëzish ambicien dhe mundësitë e tyre i kanë drejtuar në kënaqjen e dëshirave të tyre dhe ngopjen e epsheve të tyre, secili sipas asaj që do dhe ka dëshirë, duke shfrytëzuar aq sa ka mundësi dhuntitë e Allahut të Lartësuar. Ndërsa një grup njerëzish i shfrytëzon mundësitë e tij fizike dhe trupore dhe i ka vënë në fushat e përshtatshme të këtyre mundësive.
Këto fusha dhe të tjera në të cilat njerëzit konkurrojnë, cila është pozita dhe vlera e tyre në legjislacionin e Allahut të Lartësuar? I kundërshton ose pajtohet me to? I udhëzon dhe i drejton drejt mirëqenies së vendeve dhe njerëzve? Këtë do ta trajtojmë në ndalesat vijuese:
Ndalesa e dytë:
S’ka dyshim se feja jonë është fe e dobisë dhe e ndershmërisë, fe e lumturisë dhe mirëqenies, fe e cila pranon çdo gjë që në të ka mirësi për individin dhe shoqërinë. Pranon parimin e konkurrencës, inkurajon në shfrytëzimin e aftësive të njeriut, udhëzon drejt asaj që meritohet të jepet angazhimi për të, ka vënë vija të trasha, rregulla universale dhe objektiva që synohen të realizohen, dhe në krye të asaj që njeriu të angazhohet dhe të bëjë gara në të ka bërë: Atë që e bën të lumtur njeriun në botën tjetër dhe në atë që ia rregullon jetën e tij në këtë botë. Allahu i Lartësuar thotë:
“Por përpiqu me atë që të ka dhënë Allahu të fitosh jetën e botës së ardhshme, duke mos harruar pjesën tënde në këtë botë. Bëju mirë të tjerëve, ashtu si të ka bërë mirë ty Allahu.” (Kasas, 77)
Synimi i përpjekjes është bota tjetër.
Ndalesa e tretë:
Duke u bazuar mbi këtë bazament të fuqishëm dhe rregull universal, Allahu i Lartësuar ka udhëzuar në konkurrencë dhe bërje garë. Ai thotë:
“Pra, bëni garë me njëri-tjetrin për punë të mira.” (Bekare, 148)
Gjithashtu thotë:
“Prandaj rrekuni me njëri-tjetrin, duke kërkuar falje prej Zotit tuaj.” (Hadid, 21)
“Nxitoni drejt faljes së gjynaheve nga Zoti juaj dhe Xhenetit, hapësira e të cilit është sa qiejt dhe Toka.” (Ali Imran, 133)
Fusha e garës janë punë të mira. Allahu i Lartësuar thotë:
“Në të vërtetë, ky Kuran udhëzon drejt asaj që është më e mira dhe u jep lajmin e gëzuar besimtarëve, që bëjnë vepra të mira, se ata do të kenë shpërblim të madh.” (Israë, 9)
Gjithashtu thotë:
“Kushdo prej tyre që beson Allahun dhe jetën tjetër (sipas Kur’anit), dhe bën vepra të mira (sipas Islamit), do të shpërblehen nga Zoti i tyre; ata nuk do të kenë pse të frikësohen apo të pikëllohen!”(Bekare, 62)
Duke inkurajuar për këtë garë të ndershme porosit edhe i Dërguari i Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të, me fjalët e tij, të cilat i shënon Muslimi, Allahu e mëshiroftë:
“Nxitoni në vepra (të mira) para se të paraqiten fitnet (sprovat) sikur nata e errët, gdhihet njeriu besimtar dhe ngryset jobesimtar (kafir), ose ngryset besimtar dhe gdhihet jobesimtar. Do ta shesë ndonjëri prej jush fenë e tij për një kotësi të kësaj bote.”[1]
Shënon Tirmidhiu me sened që e kanë bërë hasen disa dijetarë se i Dërguari i Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të, ka thënë:
“Nxitoni në punë të mira para se të ndodhë ndonjëra nga shtatë gjërat e vështira:
-Vallë! A mos pritni varfërinë e t’ju shtyjë të harroni (punët e ahiretit);
-Apo, pasurinë e cila ju shtynë të azdiseni e të bëheni zullumqar;
-Apo, ndonjë sëmundje që t’ju shkatërrojë shëndetin tuaj;
-Pleqërinë, e cila ua humb (fuqinë)
-Apo, vdekjen që u rri në pritje;
-Apo Dexhallin, më e keqja që mund të ndodhë;
-Ose, vallë! Mos po e pritni Ditën e Kijametit, e cila është më e vështirë dhe më e hidhur.”[2]
Ndalesa e katërt:
Këtofusha të gjëra për të bërë garë janë fushat e besimtarëve të sinqertë, për të cilët, Allahu i Lartësuar thotë:
“Me të vërtetë, ata që dridhen nga frika e Zotit të tyre, që besojnë në shpalljet e Zotit të tyre, që nuk i shoqërojnë asgjë (në adhurim) Zotit të tyre, dhe që, kur japin atë që japin, zemrat e tyre i kanë plot frikë, ngaqë do të kthehen te Zoti i tyre, ata nxitojnë të bëjnë vepra të mira dhe për këto punë janë të parët.”(Mu’minun, 57-61)
Shokët e të Dërguarit të Allahut, përfaqësonin këtë garë të ndershme dhe këtë konkurrencë madhore në nivel individual dhe atë kolektiv. Ja një shembull për garën individuale të të zotëve të ambicieve të larta dhe zemrave besimtare të sinqerta: Shënon Imam Muslimi në koleksionin e tij të saktë nga Ebu Hurejra, kënaqësia e Allahut qoftë me të, se Pejgamberi i Allahut ka thënë: “Kush prej jush është sot agjërueshëm? Ebu Bekri tha: Unë. Pejgamberi, paqja e Zotit qoftë mbi të, tha: Kush prej jush ka përcjell sot një xhenaze? Ebu Bekri tha: Unë. Pejgamberi, paqja e Zotit qoftë mbi të, tha: Kush ka ushqyer sot një të varfër? Ebu Bekri tha: Unë. Pejgamberi tha: Kush ka vizituar një të sëmurë? Ebu Bekri tha: Unë. Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) tha: Nuk bashkohen këto cilësi në një person veçse hyn në xhenet.”[3]
Ndërsa sa i përket garës kolektive, është përcjellë se një grup shokësh të varfër të Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të, erdhën tek ai duke iu ankuar për gjendjen e tyre, duke iu lakmuar vëllezërit e tyre të pasur. Ata i thanë: “O i Dërguari i Allahut, të pasurit na e kaluan me shpërblime, falen ashtu siç falemi ne, agjërojnë siç agjërojmë ne dhe japin lëmoshë-sakada nga teprica e pasurisë tyre kurse ne nuk japim.”[4]
Ambicia dhe problemi i tyre është se vëllezërit e tyre i kaluan në këtë fushë të madhe, u pikëlluan për faktin se ata nuk gjenin çka të japin nga pasuria e tyre. Mirëpo, kjo fe madhore bën mejdane të shumta të garës. Për këtë shkak, i Dërguari i Allahut i udhëzoi drejt diçkaje të atij mejdani që do t’u kompensonte atë që kishin humbur. Ata i drejtoi që ta përmendin Allahun, ta madhëronin, falënderonin dhe lavdëronin Atë tridhjetë e tre herë pas çdo namazi dhe ta përfundonin me fjalën La ilahe il-lall-llah. Kësisoj vepronin të parët, kënaqësia e Allahut qoftë me ta, a thua do të shëmbëllehemi me ata duke qenë se po e përjetojmë këtë muaj të bekuar?
Shëmbëllehuni, nëse nuk jeni si ata, ngase shëmbëllimi me fisnikët është shpëtim
Ndalesa e pestë:
Çdo konkurrent synon arritjen e vendit të parë, pa dyshim se frytet e garës në mejdanet e së mirës janë të shumta, rezultatet e saj janë të kënaqshme në këtë botë dhe në botën tjetër. Allahu i Madhërishëm thotë:
“Nxitoni drejt faljes së gjynaheve nga Zoti juaj dhe Xhenetit, hapësira e të cilit është sa qiejt e Toka dhe që është përgatitur për të devotshmit, të cilët japin lëmoshë edhe kur janë në mirëqenie, edhe kur janë në vështirësi, e mposhtin zemërimin dhe ua falin fajet njerëzve. Allahu i do bamirësit. Për ata që, kur bëjnë vepra të turpshme ose i bëjnë dëm vetes, e kujtojnë Allahun, i kërkojnë falje për gjynahet e tyre – e kush i fal gjynahet përveç Allahut? – dhe nuk ngulmojnë me vetëdije në gabimet që kanë bërë, pra, për këta do të ketë si shpërblim falje madhështore (të gjynaheve) nga ana e Zotit të tyre dhe kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj dhe ku do të qëndrojnë përherë. Sa shpërblim i bukur është ky për ata që punojnë (vepra të bukura)!”(Ali Imran, 133-136)
Sigurisht që gara në çështjet e ndershme ia shton konkurrentit nderin, udhëzimin, devotshmërinë dhe ia hap atij mirësitë nga nuk i shkon mendja fare. Allahu i Lartësuar thotë:
“Sa për ata që ndjekin rrugën e drejtë, Ai ua shton udhëzimin dhe u jep devotshmëri e vetëpërmbajtje.” (Muhammed, 17)
Vërtet, gara në veprat e mira i shumëfishon të mirat dhe i ngrit shkallët. Shënon Imam Muslimi dhe të tjerët se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të, ka thënë:
“Kush hap një rrugë të mirë në Islam (një sunet të mirë), ai do të ketë shpërblimin e vet dhe të atyre që vijnë pas tij, pa iu pakësuar shpërblimi atyre që punojnë pas tij.”[5]
Ndër frytet më të mëdha të garës për në mirësi është të afruarit me Allahun e Lartësuar. Ai thotë:
“Dhe ata që kanë prirë (në besim) e që do të prijnë (edhe në Xhenet). Ata janë të afërtit (tek Allahu).” (Vakia, 10-11)
Vëllezër muslimanë!
Dyert e së mirës janë të shumta dhe të hapura për ata që i dëshirojnë. Besimtari i mençur e i matur, është ai i cili prin drejt mirësive, i vjel frytet e tyre, e veçanërisht në këtë muaj të bekuar, në të cilin shumëfishohen shpërblimet. Ndaj, përpiquni, përderisa ka kohë dhe ka jetë, para se të kalojnë sezonet e të thotë neglizhuesi: Sikur sikur… mirëpo asgjë nuk vlen sikur.
E lus Allahun e Lartësuar t’i lartësojë shkallët tonë, t’i falë mëkatet tona, të na ndihmojë e të na falë, të na jep sukses në atë që do Ai dhe është i kënaqur. Ai është Dëgjuesi dhe Pranuesi i lutjeve dhe Atij i kërkohet ndihma!
Autor: Dr. Falih Muhamed es-Sugajr
Përgatiti: Almedin Ejupi
/krenaria.com/