Minoritetet në Kosovë janë të përfshira në nivel të duhur në biznes, thonë vetë pronarë të firmave nga komunitete të ndryshme dhe përfaqësues të afaristëve.
Ata thonë se problemet në ndërmarrësi janë të njëjta me bizneset tjera që udhëheqin pronarë kosovarë, por ankohen që nuk kanë përkrahje nga niveli komunal, e as nga ai qendror.
Abdylmexhid Bale, nga komuniteti boshnjak, është pronar i kompanisë “BalCond” në Prizren, që merret me prodhimin e llojeve të ndryshme të biskotave.
Ai tregon se të qenët minoritet në Kosovë nuk e pengon në zhvillimin e veprimtarisë së tij, por ai përmend probleme të tjera.
Për zhvillimin e veprimtarisë, sikur për të gjitha firmat në Kosovë, ka mungesë të financimeve dhe probleme te arkëtimet e borxheve…
“Për zhvillimin e veprimtarisë, sikur për të gjitha firmat në Kosovë, ka mungesë të financimeve dhe probleme te arkëtimet e borxheve, por dhe probleme me blerës për shkak të krizës financiare. As institucionet komunale dhe ato qendrore nuk na kanë ndihmuar asnjëherë. Në anën tjetër, më shumë kanë shkaktuar vështirësi, se sa ndihmë”, thotë Bale.
Rrahman Mazreku, nga komuniteti turk, pronar i ndërmarrjes tregtare “Çemo- Market”, njëherësh importues i produkteve higjienike nga Vojvodina, thekson problemet që shkakton ekonomia joligjore në tregun vendor.
Problemet, në rend të parë paraqiten në dogana.
“Problemet, në rend të parë paraqiten në dogana. Ne paguajmë doganën e rregullt, tjetri hyn pa doganë dhe e çrregullon tregun krejt, pasi dalin me çmim më të lirë, dhe neve na dëmtojnë”, shprehet Mazreku.
Përfaqësues të komunitetit të biznesit, ndërkaq, theksojnë se afaristët nga komunitetet pakicë janë në pozitë të mirë sa i përket përfshirjes në biznes, por edhe në institucione.
Agim Shahini, nga Aleanca Kosovare e Biznesit, thotë se minoritete në vend kanë kompani prodhuese dhe tregtare dhe janë të barabartë me bizneset tjera në Kosovë.
“Njëkohësisht, edhe këto biznese e kanë kuptuar që së bashku me bizneset tjera kosovare mund të kenë bashkëpunim dhe bashkëjetesë për një përshpejtim të zhvillimit të gjithëmbarshëm ekonomik në Kosovë. Në këtë formë ne do të harrojmë të kaluarën dhe do të mendojmë për një të ardhme me perspektivë ekonomike dhe evropiane”, thekson Shahini.
Sidoqoftë, edhe në Strategjinë e Zhvillimit të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme 2012- 2016, një ndër qëllimet e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, paraqitet edhe përmirësimi i pozitës së minoriteteve në raport me përfshirjen e tyre në ndërmarrësi.
Krijimi i vendeve të reja të punës për ta dhe shpëtimi i tyre nga varfëria, do të shpinte në drejtim të krijimit të një mjedisi më paqësor dhe më të qetë.
Krijimi i rrjeteve të punës me grupet e tjera etnike, thuhet në strategji, përmes aktiviteteve të biznesit do t’i zbuste dhe do t’i qetësonte raportet dhe marrëdhëniet e tendosura ndëretnike./rel