0.3 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Të arrestuarit e Kumanovës, në gjendje stabile

Më të lexuarat

Rasti i Kumanovës është ende në proces hetimi dhe të mbledhjes së provave si nga prokuroria ashtu edhe nga avokatët mbrojtës. Avokatja Artene Ademi, e cila mbron 6 të paraburgosur thotë se gjendja e klientëve të saj ka filluar të përmirësohet pas maltretimeve të shumta fizike që ju kishin bërë të paraburgosurve, në momentin kur ata ishin dorëzuar
 
“Ata kanë qenë të maltretuar, është ushtruar dhunë fizike mbi ta dhe atë pas dorëzimit të tyre. Nuk bëhet fjalë këtu pas arrestimit, por pas dorëzimit të tyre, sepse ata nuk i kanë rezistuar arrestimit të tyre. Është ushtruar dhunë ndaj klientëve të mi, e posaçërisht ndaj Bek Bajrës tek i cili ekzistojnë edhe prova dhe dëshmi që është detyruar apo e ka parë të nevojshme burgu ta dërgojnë në intervenim kirurgjik, intervenim maksillofacial. Po ashtu edhe gjendja e Valdetit ka qenë e njëjtë dhe i ka katër dhëmbë të thyer, për momentin gjendja është pak më e mirë, mirëpo ndaj tyre, sipas deklaratave të tyre, është ushtruar dhunë fizike”, deklaroi Artene Ademi, avokate.
 
Lëndime ka konstatuar edhe Avokati i popullit Ixhet Mehmeti. Ai thotë se ka ngritur tanimë një procedurë penale, për keqtrajtim të të arrestuarve, ndërsa rastet e tjera janë në hetim e sipër.
 
“Nga deklarata e të arrestuarit, nga dokumentacioni mjekësor në burg dhe dokumentacioni tjetër që grumbulluam nga policia kemi dyshime të bazuara se i lënduari, apo i arrestuari është lënduar, gjegjësisht është maltretuar pas marrjes së aktvendimit për arrest gjë e cila konsiderohet se është vepër penale dhe për këtë kemi bërë kallëzim penal prokurorisë, për të tjerët do të vazhdojmë”, tha Ixhet Mehmeti, Avokati i popullit.
 
Mehmeti dhe Ademi hedhin poshtë zërat se malltretimet kanë vazhduar edhe në burgun e Shutkës.
 
“Trajtimi i tyre është në suaza të ligjeve dhe rregullave të Maqedonisë, do të thotë nuk maltretohen në burgun e Shutkës. Për opinionin edhe një çështje do ta thoja, duhet të respektohet prezumcioni i pafajësisë. Derisa nuk kemi një vendim të formës së prerë për ata, ata janë të pafajshëm”, theksoi Artene Ademi, avokate.
 
Gjatë ditës së nesërme të paraburgosurit në burgun e Shutkës pritet ti takojnë edhe familjarët e tyre. Në incidentin e armatosur në lagjen e trimave në Kumanovë, nga grupi i armatosur u vranë 10 persona, ndërsa 28 u dorëzuan. Në radhët e policëve ngelën tetë të vrarë, ndërsa 37 të lënduar. /Alsat-m/./expres/
 
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit