1.7 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Tarifat e ujit të pijshëm në Ballkan

Më të lexuarat

 Sipas të dhënave të mbledhura nga ekipi i Anadolu Agency (AA), tarifat e ujit për konsumatorët familjarë janë më të larta në Kroaci, Mal të Zi dhe Bosnje e Hercegovinë, ndërkohë që ujë me çmim më të lirë konsumojnë qytetarët Maqedonisë dhe Shqipërisë. Këto të dhëna janë më interesante dhe “intriguese” nëse merret parasysh fakti se Bosnja dhe Hercegovina dhe Kroacia kanë rezerva më të mëdha të ujit të pijshëm për banor në rajon.

 

Sipas të dhënave të Ujësjellësit dhe Kanalizimit sh.p.k Zagreb, konsumatorët familjarë për shërbimet e furnizimit me ujë të pijshëm në kryeqytetin kroat paguajnë 4,68 kuna për metër kub (m3), përkatësisht 0,60 euro, ndërsa 0,13 euro për ujërat e ndotura, për shërbimet e pastrimit 0,17 euro që duke përfshirë edhe TVSH dhe taksat tjera arrijnë çmimin prej 15,8 kuna, apo 2,05 euro. Çmimi i ujit për konsumatorët familjarë në Zagreb është më i lartë në krahasim me qytete tjera të rajonit pikërisht për shkak të pagesave shtesë. 

Pas Zagrebit pason Podgorica ku, sipas të dhënave të Ujësjellësit dhe Kanalizimit të sh.p.k Podgorica, çmimi i ujit për metër kub, për konsumatorët familjarë (banimi kolektiv dhe individual), është 0,40 euro, ndërkohë që për kanalizim paguhen 0,20 euro shtesë, pra gjithsej 0.60 euro. Në çmimin është përfshirë shkalla tatimore e TVSH prej 7 për qind. 

Në Bosnje dhe Hercegovinë çmimet e ujit janë të ngjashme me ato nga Mali i Zi. Nga Ndërmarrja publike komunale Ujësjellësi dhe Kanalizim Sarajevë kanë bërë të ditur për AA se çmimi total i ujit të pijshëm në kategorinë e konsumatorëve familjarë është 1,17 marka konvertabile (KM), përkatësisht 0,59 euro. Në anën tjetër çmimi i ujit në Mostar është më i lartë në krahasim nga Sarajeva. Për furnizimin me ujë të pijshëm banorët e Mostarit paguajnë 0,64 euro për metër kub.

Çmimet e ujit në Beograd janë identike me ato të Sarajevës. Sipas të dhënave në dispozicion të Ujësjellësit dhe Kanalizimit të Beogradit, çmimi i ujit për konsumatorë familjarë në Beograd është 51,36 dinarë për metër kub, ndërsa derdhja e ujërave të zeza kushton 20,76 dinarë. Konsumatorët e ujit të pijshëm në Beograd për një metër kub paguajnë 72,12 dinarë, përkatësisht 0,59 euro. Në çmimin gjithashtu është përfshirë TVSH.

Në anën tjetër, çmimet e ujit për konsumatorë shtëpiak nga vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor mesatarisht janë më të ulëta në Maqedoni, Kosovë, dhe Shqipëri. Për më tepër çmimi i ujit në Shkup është dukshëm më i ulët në krahasim me çmimin e ujit në Zagreb ose Mostar. Si ilustrim, banorët e Zagrebit për 10 metra kub, përkatësisht 10.000 litra ujë, do të paguanin 20 euro, në Podgoricë e njëjta sasi e ujit do të kushtonte 6 euro, ndërkohë që qytetarët e Sarajevës dhe Beogradit do të paguanin shumë e ngjashme. Megjithatë, banorët e Prishtinës për 10 metra kub do të paguanin 4,2 euro ndërsa ata të Tiranës dhe Shkupit do të ndanin një shumë më të vogël të ujit, saktësisht 3,9, apo 3,8 uro.

Mesatarja e tarifës së aplikueshme në nivel të vendit për 7 regjionet ku ky shërbim është i rregulluar nga aspekti ekonomik për konsumatorët shtëpiakë është 0.42 euro për metër kub. Aktualisht, çmimi i shërbimeve të ujit dhe kanalizimit në Kosovë, për konsumator shtëpiak është 0,37 euro për ujë dhe 0.05 euro për kanalizim, ndërsa tarifa fikse është 1 euro. Nga 1 janari 2015, çmimi i  ujit në Kosovë është më i shtrenjtë për 1 cent/euro për metër kub. Këtë vendim e ka marrë Zyra Rregullatore për Ujësjellës dhe Kanalizim.

Në Shqipëri përpos debateve të shumta për çmimet e ujit qytetarët janë kujdesur të paguajnë tarifat e tyre. Kështu në Tiranë sipas të dhënave zyrtare nga  Enti Rregullator i Sektorit të Furnizimit me Ujë, për konsumatorët familjarë tarifa është 45 lekë për metër kub, apo 0,32 euro në rastin për ujin e pijshëm, dhe 11 lekë apo 0,08 euro për ujërat e ndotura. Pra për t’u furnizuar me ujë të pijshëm banorët e Tiranës dhe për të kontribuar për largimin e ujërave të ndotura duhet të paguajnë për të dyja 56 lekë, apo 0,39 euro për metër kub.

Kujtojmë se këto tarifa ndryshojnë edhe sipas qyteteve në Shqipëri, ku drejtoritë e ujësjellës kanalizimeve nëpër qarqe vendosin tarifa të ndryshme. Bie në sy fakti se Tirana nuk është qyteti që ka çmimin më të lartë për ujin, por Korça me 60 lekë për metër kub, Durrësi me 58 lekë për metër kub, Lezha me 50 lekë për metër kub, etj, gjithnjë për ujin e pijshëm.

Sipas të dhënave nga Ndërmarrja Publike Ujësjellësi dhe Kanalizimi Shkup, tarifat e ujit me kanalizim për konsumatorë shtëpiakë janë 23,39 denarë, apo 0,38 euro për metër kub, ndërsa çmimi i ujit pa kanalizim është 17,25 denarë apo 0,28 euro. 

Ndërkohë, sipas të dhënave të Bankës Botërore për vitin 2012, që merren me burimet e ripërtëritshme të ujit të pijshëm, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kroacia kanë rezerva më të mëdha të ujit të pijshëm për kokë banori në rajon./kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit