3.8 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Ta shohësh tërmetin si paralajmërim hyjnor apo si thjesht fenomen natyror?

Më të lexuarat

Nga Bujar M. HOXHA

Jetën e duam të na shkojë vaj, të bëjmë përpara (për ku?), të begatohemi materialisht, t’i gëzohemi rehatisë që na mundëson zotërimi i materiales, të kënaqemi me të brenda qelqit lehtë të thyeshëm të lumturisë, t’i bëjmë keq tjetrit e të mos na hyjë gjemb në këmbë, të ndjekim të pamoralshmen e të mos paguajmë për të, e kështu me radhë.

Prandaj shpesh vdekja na duket e parakohshme, sëmundja na godet si mynxyrë, dështimi na dërrmon. Ngaqë mendojmë se jemi të paprekshëm, të pagoditshëm nga e keqja, të palëndueshëm nga e “papritura”.

Njeriu nga natyra priret të bëhet kryeneç, harrues, mospërfillës, cenues, sa herë që e kaplon fort e mira. Vetëm goditja e fortë e risjell atë në vete, e bën të kuptojë se mirëqenia materiale është e përkohshme, fluturake. Luftërat, fenomenet natyrore dëmsjellëse, fatkeqësitë në jetë, sado tragjike janë dhe duken, kanë një të mirë: e kthejnë njeriun me këmbë në tokë.

Krijesa njerëzore duhet t’i ruhet të keqes së vet. E kur kjo e keqe bëhet mbizotëruese dhe mbërthen tërë shoqërinë, atëherë njeriu duhet t’i frikësohet vërtet asaj që vjen pas. Sido që ta mendojë!

Tërmeti i së shtunës së 21 shtatorit ishte si një shkundje, si një zgjim i detyruar nga gjumi, si një hedhje uji në fytyrë për të të hapur sytë. Frika është njerëzore, prej saj vjen dhe reagimi kaotik i momentit. Veç, si qenie me mendim, njeriu duhet të nisë të vrasë mendjen më pas, të reflektojë, të pyesë vetveten e të reagojë. Dhe kur kjo nuk ndodh…

Pse e sheh tërmetin vetëm si fenomen natyror, mundohesh t’i ikësh atij, qoftë dhe gënjeshtrës për të, me vrap, me makinë, me kuç e me maç, a thua se ia hodhe. Ta nisësh jetën të nesërmen si para tërmetit do të thotë se je në dorë të tërmetit të radhës. Nuk ke shpëtuar, ke zgjatur agoninë tënde. Kjo është fatkeqësia më e madhe!

Përndryshe, ta shohësh tërmetin, apo çdo fenoment tjetër natyror, si një paralajmërim hyjnor për t’iu përmbajtur udhës së vijëzuar nga i Plotfuqishmi, është më i duhuri këndvështrim që të shpëton nga një ankth i përhershëm. Shkundja e tokës të shkund kësisoj si njeri: i nënshtrohesh paracaktimit tënd, vullnetit të Zotit, dhe përpiqesh ta përsosësh veten si qenie me një mision në jetë, jo si qenie me ekzistencë rastësore.

Narrativat kur’anore flasin për dënime popujsh që e patën mbushur kupën, fshirë nga faqja e dheut me anë të fenomeneve tragjike natyrore. Mëshira hyjnore i sjell ato fillimisht në formë disi të butë, paralajmëruese, para se të bëhen apokaliptike. Prandaj tërmeti, i cili këtu simbolizon çdo fenomen të frikshëm dhe shkatërrues natyror, duhet parë (siç është, në të vërtetë) si instrument për t’i sjellë njerëzit në vete, për t’i përkujtuar për çka bëjnë, për t’u frenuar egon e sëmurë, lakminë e shfrenuar, pangopjen me materialen.

Tërmetit nuk i iket me makinë; prej tmerrit të tij të shpëton vetëm qasja që e sheh atë si paralajmërim hyjnor. Mund të forcosh themele dhe mure pallatesh, por nuk mund t’i ikësh katastrofës nëse nuk e forcon ngrehinën e mendimit dhe veprimit tënd njerëzor sipas asaj që të është kërkuar hyjnisht. Për fat të keq, në këto ditë është folur së tepërmi për mure godinash banimi dhe thuajse aspak për reflektim njerëzor në një aspekt tejtokësor…/tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit