3.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Syri, të shikuarit dhe të menduarit

Më të lexuarat

Syri është një organ i domosdoshëm për jetën. Duke qenë vërtetë një “dritare” e trurit, ai luan një rol të dorës së parë në drejtim të njohurive që marrim nga bota. Çmohet nga studiuesit që, më shumë se 40 % e përshtypjeve sensoriale të trurit janë të lidhura me të parit (ndërsa mjekët oftalmologë, shpesh gjatë ekzaminimit të syrit, mund të zbulojnë plot sëmundje të organizmit që i kanë rrënjët në tru). Në shumë ajete kur’anore Allahu thekson rëndësinë e kësaj ndjesie, duke e ftuar dhe nxitur njeriun të shikojë argumentet në qiej e tokë (Kur’an 12/105; 6/75; 34/9; 67/31), të sodisë qiejt e ngritur pa shtylla dhe të zbukuruar me yje e galaktika (Kur’an 13/2; 31/10; 50/6; 71/15), të vrojtojë detin dhe çfarë fshihet në të, apo anijet që lundrojnë (Kur’an 16/14; 31/31), të vëzhgojë shiun dhe qarkullimin e ujit në natyrë (Kur’an 39/21; 32/27; 56/68), të shohë tokën me malet, erërat, bimësinë, kafshët e shpendët (Kur’an 27/ 88; 24/43-44; 67/19; 88/17-20), të shikojë horizontet dhe veten e tij (Kur’an 51/21), etj.

Fotografia u shpik në vitet ‘30 të shekullit XIX. Kinemaja edhe më vonë. Fillesa e këtyre shpikjeve ishte dhoma e errët, sipas modelit të thjeshtuar të ndërtimit dhe funksionimit të syrit. Unanimisht pranohet se syri ka një ndërtim më të ndërlikuar dhe funksionim më të përsosur se aparati fotografik, apo kamerat. Madje, për të thjeshtëzuar të kuptuarit e funksionimit të syrit, shumë dijetarë përdorin krahasimin me aparatin fotografik. “Syri është i ngjashëm me aparatin fotografik!” – thonë shkencëtarët apo mësuesit kur duan të shpjegojnë kuptueshëm ndërtimin dhe funksionimin e syrit. Kjo është njësoj sikur të pranosh dhe të thuash se “Vëllai i madh i ngjan shumë vëllait të vogël!”, apo edhe më tej “Babai i ngjan shumë fëmijës së tij!” Kësi paradoksesh janë të zakonshme në gjuhën tonë të diskutimit për informacionet shkencore, madje edhe në mjedise ku merret e jepet dije.

Por, pa i kushtuar më shumë nga ç’duhet rëndësi gjuhës së përdorur, mendoj se nuk duhet të mbyllet me paradokse të tilla kaq lehtë dhe kaq shpejt arsyetimi dhe analiza e një shkencëtari apo mësimdhënësi. Vallë, vetëm mësuesi i fizikës mund të bëjë analogjira në funksion të të mësuarit?

Po mësuesi i biologjisë, a ka të drejtë të bëjë krahasime të funksionimit të shqisës së të parit, produkt i punës së miliona qelizave, fijeve nervore dhe rrjetit të ndërlikuar të enëve kapilare të gjakut? Nëse po, me çfarë? A mundet të jetë syri fryt i rastësisë dhe i kombinimit të gjërave të pavetëdijshme, siç pretendohet nga evolucionistët për njeriun? Po mësuesi i kimisë, kujt duhet t’ia përngjasojë shqisën e të parit, të vrojtuarit dhe të vëzhguarit, që janë pasojë e një tërësie reaksionesh kimike, që zhvillohen me shpejtësi marramendëse (akoma të pamundura në kushte laboratorike dhe pa shpresë për t’u arritur ndonjëherë)?

Me çfarë solucioni laboratorik mund ta krahasojë kimisti pikën e lotit, që tret çdo grimcë të fortë, pa dëmtuar as cipat mikronike të syrit? Kjo është një mrekulli më vete, që dëshmon qartë Allahun, i Cili në një pikë loti shfaq cilësitë e Tij të larta si Krijues, Mbrojtës e Përkujdesës, i Dashur, Përdëllimtar e Mëshirues. Po mësuesi i letërsisë, psikologjisë (etj…), kujt ia atribuon emocionet, hidhërimin apo gëzimin që mbart dhe transmeton fuqishëm një pikë loti në sytë e nxënësit? Po mësuesi i vizatimit (piktori) a mundet ta konkurrojë vallë gjallërinë, energjinë, ngjyrat dhe ndjenjat që burojnë nga sytë? Ku e merr këtë forcë mbresëlënëse kjo sferë mishi dhe uji? Po mësuesi i sociologjisë me çfarë modeli social mund ta krahasojë bashkëpunimin e urtë, mirëkuptimin, harmoninë e punës së miliarda e miliarda atomeve e molekulave, të miliona qelizave brenda një hapësire 65.4 cm3? Nëse ndonjë nxënës çamarrok nuk e “ngacmon” mësuesin me pyetje të tilla në orën e mësimit, po vetë mësuesi a i mendon në vetvete ato, a synon t’u përgjigjet atyre?

Mësuesi, studiuesi apo hulumtuesi, sa e lidh informacionin që merr nëpërmjet shqisave me mendjen dhe shpirtin?

Të shikuarit është një proces që vetëm sa fillon në sy dhe gjurma e tij duhet të kalojë e të analizohet patjetër nga “lupa” e mendjes. Të vrojtuarit është atribut i të gjallës, përndryshe, ç’vlerë ka syri i një kufome?! Të vëzhguarit, të vrojtuarit e natyrës dhe shoqërisë janë cilësi e mendjes së shëndoshë dhe e intelektit plot gjallëri, që syrin e shikon si një mjet të përsosur që ia ka dhuruar Allahu, si një dritare për të ndriçuar mendjen. Pikërisht për këtë, në ligjërimin kur’anor, Zoti “anashkalon” mrekullinë inxhinierike të syrit dhe thekson rëndësinë që ka veprimi i të vëzhguarit, të parit, të shikuarit për njohjen e së vërtetës. Zoti na sjell në vëmendje në Kur’an se pajisja e njeriut me shqisën e të dëgjuarit dhe të pamurit janë të lidhura gjithmonë ngushtë me mendjen dhe zemrën, se shumë njerëz kanë sy, por nuk shikojnë, edhe pse ngado janë shpërfaqur “… dëshmi të dukshme dhe përkujtuese për secilin njeri që ka drejtuar mendjen (te Zoti).” (Kur’an, 50/8). Prandaj, shpesh në Kur’an, ajetet fillojnë me pyetjen: “A nuk e ke parë?”, “A nuk e sheh?”, “Si nuk kanë parë?”, “A nuk shikojnë?”, “A nuk e keni parë?” etj. Në këtë këndvështrim kuranor, një mësimdhënës, që vetëm riprodhon tekstin mësimor, ka verbuar shërbimin cilësor të të dy syve dhe ka vyshkur intelektin që i ka dhuruar Zoti. Po, po, të dy syve! “A nuk i dhamë atij dy sy?” (Kur’an, 82/8) na pyet sërish Krijuesi, na tërheq vërejtjen se, nëse Ai na dhuroi dy sy, ne pse sillemi sikur të mos i kemi! Ekzistenca e dy syve lidhet me një funksion plotësisht të caktuar: “atë të rritjes së fushës së shikimit dhe të perceptimit të hapësirës” – konkludojnë fizikanët, në rezonancë të plotë me ajetin kuranor. Ja pra, një tjetër argument shkencor që zbulon mrekullinë e Kur’anit.

Gjithashtu, të shikosh me “dy sy”, do të thotë nga një anë të vëzhgosh natyrën drejtpërdrejt për të marrë dituri. Dhe, kësaj diturie të fituar t’i japësh dimensionet tjera, të shikosh me “syrin” e mendjes, për t’u zhytur në zemrën e dijes, për t’i dhënë thellësi mendimit e arsyetimit dhe për të arritur në të Vërtetën. Çdo mësues duhet të “kapërcejë” kornizat e faqeve “dypërmasore” të librave të mësuar në shkolla dhe në tekstet mësimore që shpjegon rëndom, për t’i dhënë vetes dhe nxënësve lirinë e të menduarit dhe të arsyetuarit aktiv. Me të drejtë Hekimoglu Ismail këshillon: “Kur analizojmë beben e syrit, shohim një art dhe besojmë në ekzistencën e një “Artisti”. Prandaj mësimdhënia e shkencave natyrore, ose e biologjisë si lëndë mësimi në shkolla, është një lloj adhurimi… Rritja dhe edukimi i fëmijëve të ditur dhe besimtarë, do të ndikojë më vonë pozitivisht në brezat e ardhshëm.” (“Për ata që mendojnë”, f. 82, Gelenek 2003)

Nëse për aparatin fotografik apo kamerat njerëzit e pranojnë se ka “shpikës” (më saktë kopjues) dhe komandues, për syrin, që është jashtëzakonisht më i përkryer, nuk e besojnë Krijuesin e tij dhe të vetë njeriut. Ky është një paradoks, apo deficencë në të arsyetuar, apo ndoshta devijim i qëllimshëm. Ashtu siç është vetëmashtrim që, për produktin e duarve të tij, njeriu të njohë bërësin (vetveten), ndërsa përsosmërinë, rregullin, harmoninë dhe përkryerjen te vetja dhe në univers t’ia lërë në dorë rastësisë dhe natyrës së pandërgjegjshme!

Ndërtimi dhe funksionimi i syrit dëshmon qartazi për Allahun, që krijoi çdo gjë me urtësinë e Tij të përsosur, që i formësoi, që mbikëqyr të gjitha proceset në këtë ekzistencë, që i do, që i merr në mbrojtje dhe përkujdesje krijesat e Tij, i udhëzoi dhe u dhuroi mirëqenie e mirësi, i Vetmi që meriton lavdërim, falënderim, mirënjohje dhe adhurim.

Blerim Lazimi

/Revista Drita Islame/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit