1.4 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Surja En Nur dhe roli i saj në ndërtimin e familjes muslimane

Më të lexuarat

Surja En Nur karakterizohet nga ruajtja e madhe e dinjitetit të familjes, e vlerës së nderit dhe mbështet fuqishëm krenarinë. Kjo sure ka sqaruar obligimet e shoqërisë në mënyrë që të ruhen shenjtëritë e Allahut dhe të drejtat e njerëzve. Megjithëse të gjitha suret janë të zbritura nga Allahu i Lartësuar, kjo sure është e vetmja që karakterizohet nga kjo nisje: “Kjo është një sure, të cilën Ne e kemi zbritur dhe urdhëruar, duke shpallur në të argumente të qarta, që ju t’ua vini veshin.” (Nur, 1)

Shkaku i kësaj është se surja flet rreth problemeve të instinktit seksual. Pasi kontrolli i këtij instinkti është i domosdoshëm për sigurimin e nderit, moralit të qëndrueshëm dhe shoqërisë së pastër, kjo sure ka filluar kësisoj.

Fillimisht duhet të dimë se Islami është fe e natyrshmërisë së pastër dhe e refuzon artificialen dhe sajimin. Mësimet e kësaj feje të pastër kanë për qëllim të kontrollojnë natyrshmërinë dhe për ta siguruar njeriun që të ecë rrugës së drejtë. Prandaj, për këtë instinkt seksual ka mësime të qarta në këtë fe dhe për devijimin e tij ndëshkime të caktuara.

Instinkti dhe martesa

Surja En Nur flet rreth respektimit të instinktit dhe kontrollit të tij, në mënyrë që të mos devijojë djathtas as majtas, pastaj flet për kërcënimin për atë që braktis kufijtë e Allahut. Kurani nuk e konsideron instinktin seksual një ndyrësi të shejtanit, por e pranon atë dhe rrugëdalje të vetme për të ka caktuar martesën. Allahu i Madhërishëm thotë: “…të cilët e ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme), përveçse me gratë e tyre ose me skllavet që kanë në zotërim dhe, për këtë, nuk janë fajtorë, ndërsa ata që kërkojnë përtej kësaj, pikërisht ata janë shkelës (të kufijve).” (Muminun, 5-7) Martesën e konsideron adhurim, madje martesa përmbush gjysmën e fesë, siç thotë i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të: “Kur të martohet robi, e ka plotësuar gjysmën e fesë së tij, le të ketë frikë Allahun në gjysmën e mbetur.” Shënon Bejhekiu, Albani e cilëson si të saktë.

Prandaj, martesa është obligim shoqëror dhe umeti islam patjetër duhet të solidarizohet në lehtësimin e saj.

Ajetet e kësaj sureje flasin për kujdestarët e vajzave, pastaj për atë që dëshiron martesën ose për atë që ka mundësi dhe e kërkon atë. Në ajetet e para lexojmë fjalën e Allahut të Lartësuar: “I martoni të pamartuarit dhe të pamartuarat ndër ju si dhe skllevërit dhe skllavet tuaja që janë besimtarë të ndershëm! Nëse janë të varfër, Allahu, do t’i begatojë ata me dhuntitë e Tij; Allahu është i gjerë në mirësi dhe i Gjithëdijshëm.” (Nur, 32), ndërsa i Dërguari i Allahut e shpjegon këtë udhëzim me fjalët e tij: “Nëse ju vjen ndonjë person që jeni të kënaqur me fenë dhe moralin e tij me nijet për t’u martuar, martojeni atë. Por nëse nuk e bëni këtë, atëherë në sipërfaqen e tokës shfaqen sprova dhe shkatërrime të mëdha.” Shënon Tirmidhiu dhe të tjerët.

Vetvetiu nënkuptohet që ky vlerësim i drejtohet kujdestarit të vajzës dhe familjes. Në fakt, këtë vlerësim nuk mund ta përcaktojë ligji, por atë e përcakton shoqëria besimtare, e përcaktojnë burrat që ia kanë frikën Allahut dhe që dëshirojnë të përhapet ndershmëria dhe përmbajtja në shoqëri. Allahu thotë: “Ata që nuk kanë mundësi për martesë, le të përmbajnë veten, derisa Allahu t’i begatojë me dhuntitë e Tij.” (Nur, 33)

Patjetër që duhet të përmbahet. Shprehja përmbajtje nënkupton që njeriu të përpiqet, të qëndroj, të rezistojë dhe për këtë patjetër duhet frenim i epsheve dhe kontrollim i instinktit. Vërtet instinkti i fuqishëm kërkon një vullnet të hekurt. Kësisoj, vërejmë se Islami e lufton devijimin dhe ndjenjën seksuale me luftimin e fillimeve të para me të cilat joshet.

Jo shkatërrimit të familjeve

Në këtë sure lexojmë fjalën e Allahut të Madhërishëm, i Cili ndalon devijimin seksual: “O besimtarë! Mos hyni në shtëpitë e huaja pa marrë leje e pa i përshëndetur banuesit e tyre. Kjo është më e mira për ju që të merrni mësim.” (Nur, 27)

Është transmetuar nga njëri prej të parëve, i cili thotë: “Kur të dëgjosh ajetin të fillojë me fjalët: “O besimtarë!”, përqendroje të dëgjuarit tënd sepse ose është një e mirë që do të urdhërohesh ose ndonjë e keqe nga e cila do të ndalohesh.” Kjo thirrje sinjalizon imanin. Përse? Sepse imani krijon ndërgjegjen vigjiluese që e bën njeriun kur të trokasë në një shtëpi e nuk e gjen burrin aty, të kthehet nga ka ardhur. Nuk lejohet shkatërrimi i një shtëpie në të cilën nuk është pronari prezent. Nuk lejohet nga aspekti fetar e as nga ai burrëror shkatërrimi i shtëpisë në të cilën gruaja është e vetmuar. Shtëpia është mburoja e saj, andaj në këtë mburojë ajo duhet të mbetet e mbrojtur. Islami refuzon çdo zakon shoqëror që mundëson të vetmuarit me gruan e huaj. Islami e kundërshton një veprim të tillë sepse me këtë mbyll dyert e sprovave.

Ruajtja e shikimit

Pastaj vjen një udhëzim tjetër i domosdoshëm që është ruajtja e shikimit. Njeriu i cili e lëshon syrin të përgjojë nderin andej e këndej pa dyshim se i hap vetes dyert e sherrit.

Dera e joshjes hapet me sy dhe me shikim ambicioz. Imani – në këtë rast – është bazë për frenim të epshit. Sepse kush është Ai i Cili e di shikimin e përvjedhur të syrit? Kush e di se si e lëshon të shikuarit tënd dhe cili është qëllimi i fshehur pas këtij shikimi? Imani është bazë i cili duhet të forcohet në zemrat. Allahu i Madhërishëm thotë: “Thuaju besimtarëve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara) dhe ta ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme)! Kjo është më mirë për ta! Me të vërtetë, Allahu është i Dijshëm për atë që bëjnë ata.” (Nur, 30)

Ngacmimet janë të refuzuara

Udhëzimi tjetër është ndalimi i ngacmimeve epshndjellëse: “Thuaju besimtareve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara), ta ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme) dhe të mos i shfaqin stolitë e tyre, përveç atyre që janë të dukshme. Le ti mbulojnë kraharorët me mbulesat e tyre (të kokës)” (Nur, 31)

Me këtë nënkuptohet se trupi i femrës është vend i turpshëm që duhet mbuluar, përveç fytyrës dhe dy duarve. Gruaja nuk duhet të veshë rroba që përshkruajnë trupin ose që janë të tejdukshme ose që tërheqin shikimin sepse të gjitha këto hapin dyert e joshjes.

Islami kur urdhëron për ndershmëri dhe kur ndalon nga paturpësia ai i mbyll rrugët fillimisht para ngacmimeve pas të cilave rrëshqasin këmbët. Prandaj, siç thamë më sipër, surja është sure e etikës së intimiteteve, krahas kësaj ajo është siguruese dhe mbrojtëse e ndereve dhe e vlerave. Në fillim dhe në mbarim të sures flitet rreth edukatës së marrjes së lejes. Në fillim të saj: “O besimtarë! Mos hyni në shtëpitë e huaja pa marrë leje e pa i përshëndetur banuesit e tyre. Kjo është më e mira për ju. Ndoshta do t’ia vini veshin! Nëse atje nuk gjeni askënd, mos hyni derisa t’ju lejohet e, në qoftë se ju thuhet “Kthehuni”, atëherë kthehuni! Kjo është më e mirë për ju. Allahu e di se çfarë bëni ju.” (Nur, 27-28)

Mirësjellja në shtëpi

Në fund të sures, Allahu i Lartësuar thotë: “O besimtarë! Skllevërit dhe fëmijët tuaj që s’kanë arritur pubertetin, le t’ju kërkojnë leje (për të hyrë) në tri kohë: para namazit të mëngjesit, kur i zhvishni rrobat në mesditë dhe pas namazit të jacisë. Këto janë tri kohë kur hiqni rrobat. Nuk ka gjynah as për ju e as për ata që, pas këtyre rasteve, të vizitoni njëri-tjetrin (pa kërkuar leje për të hyrë). Kështu jua shpjegon Allahu shpalljet juve! Allahu është i Urtë dhe i Gjithëdijshëm. Kur fëmijët tuaj të arrijnë moshën e pubertetit, le të kërkojnë leje, ashtu siç kanë kërkuar leje ata para këtyre. Kështu jua shpjegon Allahu juve shpalljet e Tij! Allahu është i Urtë dhe i Gjithëdijshëm.” (Nur, 57-58)

Fëmijët në shtëpi patjetër duhet të mësojnë mirësjelljen e hyrjes në dhoma. Ata duhen paralajmëruar në kohët e caktuara në të cilat nuk duhet të hynë vetëm pas marrjes së lejes. Kjo etikë islame duhet përvetësuar dhe praktikuar nga muslimanët. Kjo sjellje islame nuk duhet injoruar e nënçmuar, sepse konsiderohet prej rregullave të nderit dhe ruajtjes së dinjitetit mbi të cilën duhet edukuar familja muslimane.

Ndëshkimet

Nëse ndodh që dikush më pas të devijojë, atëherë ndëshkimi islam me konsensus të dijetarëve muslimanë është rrahja me kamxhik për të pamartuarin, ndërsa vrasja me gurë për të martuarin. Ajeti në këtë kontekst është i qartë: “Laviren dhe lavirin – ta rrihni çdonjërin prej tyre me nga njëqind goditje. Të mos ju pengojë kurrfarë mëshire për të kryer detyrën e fesë së Allahut, nëse besoni Allahun dhe Ditën e Fundit. Le ta shikojnë dënimin e tyre një grup besimtarësh.” (Nur, 2)

Rrahja është ndëshkim për njeriun nëse zbret në shkallën e kafshës. Ashtu siç kafsha rrihet me shkop derisa ta zbatojë urdhrin me të cilin është obliguar (për shkak të mungesës së mendjes), gjithashtu edhe njeriu nëse zbret nga pozita e mendjes dhe e ndërgjegjes dhe i dorëzohet instinktit seksual ai i ekspozohet ndëshkimit të cilit i ekspozohet edhe kafsha. Për faktin se ai është bërë kafshë që ka shkelur nderin, që është dashur ta mbrojë atë. Ai i shkeli shenjtërit e Allahut, të cilat është dashur t’i ruajë e të kujdeset për to.

Nëse zbret në pozitën e kafshës, ai meriton ndëshkimin e kafshës. Megjithëse goditja me kamxhik sipas Sunetit ka ardhur për ta ringjallur sheriatin e vjetër. Islami nuk e ka shpikur ndëshkimin e goditjes me kamxhik për laviren dhe lavirin nëse janë të martuar. Por ky gjykim është sheriat i Tevratit dhe akoma vazhdon me gjithë falsifikimet ekzistuese në librat e çifutëve. Ky sheriat akoma është i vlefshëm, i cili përcakton goditjen me kamxhik përderisa janë të martuar.

Një prej shkrimtarëve duke komentuar këtë gjykim thotë: “Kush shkatërron shtëpinë martesore me imoralitetin e tij ose kush prish shtëpinë martesore me imoralitetin e saj, duhet të hakmerren të gjithë gurët e shtëpisë nga lëkura dhe trupi i tij në mënyrë që të mësojë se si ta ruajë shtëpinë!” Për këtë shkak Kurani thotë: “Të mos ju pengojë kurrfarë mëshire për të kryer detyrën e fesë së Allahut.” (Nur, 2)

Akuza është haram

Krahas ruajtjes së familjeve përmes ndalimit të ushtrimit të çdo pune të pistë, familjet patjetër duhet të ruhen edhe përmes refuzimit të çdo akuze të pahijshme të këtij lloji. Islami në këtë pikëpamje është i prerë. Kush shpif për një njeri me imoralitet ose akuzon origjinën e tij ose degët e familjes së tij pa fakte, duhet të ndëshkohet me tetëdhjetë goditje. Allahu i Lartësuar thotë: “Ata që i akuzojnë gratë e ndershme (për imoralitet), e pastaj nuk sjellin katër dëshmitarë, t’i rrihni me tetëdhjetë goditje dhe të mos ua pranoni më kurrë dëshminë; këta janë njerëz ngatërrimtarë” (Nur, 4) Ky është një lloj edukimi i patjetërsueshëm. Ky lloj ndëshkimi është zbatuar me ata që shpifën për nënën e besimtarëve, Allahu qoftë i kënaqur prej saj. Disa njerëz ranë në grackën e disa hipokritëve të cilët e urrenin të Dërguarin e Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, dhe mesazhin e tij me të cilin është dërguar, u orvatën të akuzonin pozitën e familjes profetike dhe nisën të përhapin për Aishen, Zoti qoftë i kënaqur prej saj, fjalë prej të cilave ajo është e pastër dhe është shumë larg prej tyre. Për shfajësimin dhe pastërtinë e saj zbritën ajetet nga Allahu i Lartësuar, që sqarojnë se ajo është shumë më e lartë se kjo. Ndërsa besimtarëve u drejtohen fjalë që duhen mësuar e mbajtur në mend: “Me të vërtetë, ata që shpifën, janë një skotë prej jush. Mos e quani atë si të keqe për ju. Përkundrazi, kjo është më mirë për ju. Çdonjëri prej tyre do të dënohet për atë që ka bërë, kurse atë që ka shpifur më shumë, e pret një dënim i madh” (Nur, 11). Në vijim i edukon njerëzit me fjalët: “Kur e dëgjuat këtë përgojim, përse besimtarët dhe besimtaret nuk menduan mirë për njëri-tjetrin dhe të thoshin: “Kjo është shpifje e qartë”?! Pse nuk sollën për këtë katër dëshmitarë? Meqë nuk sollën dëshmitarë, ata janë gënjeshtarë para Allahut.” (Nur, 12-13)

Madje, edhe nëse sheh kur je i vetmuar, nuk të lejohet të flasësh për faktin se Allahu dëshiron ta mbulojë. Dëshiron të japë mundësi për pendim…

Në hadith thuhet: “Atij që ia mbulon muslimanit ndonjë turp, Allahu do t’ia mbulojë turpin në Ditën e Gjykimit.”

Njerëzit mund të gabojnë, Allahu nuk i trajton njerëzit me gabimin që mund ta bëjnë, por u jep rast dhe ua hap dyert e pendimit që të kthehen në rrugën e drejtë: “Sikur Allahu t’i dënonte njerëzit sipas veprave që bëjnë, nuk do të mbetej në sipërfaqen e Tokës asgjë e gjallë, por Ai i shtyn ata deri në afatin e caktuar.”(Fatir, 45)

Lexues të nderuar! Këto ishin vetëm disa dispozita dhe norma shumë të rëndësishme për të ndërtuar një familje të shëndoshë dhe të pastër, dispozita këto që duhen përvetësuar dhe praktikuar nga muslimanët. Allahu e di më së miri!

 

Përgatiti: Almedin Ejupi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit