Kur mendoni për top shpejtësi duhet të dini që superautomobili i parë arab është në majë. Për përshpejtimin 0 në 100 kilometra në orë dhe për kuaj fuqi po ashtu. Shifrat nuk janë asgjë kur të kuptoni se ulëset janë të thurura në ar e dritat janë të zbukuruara me diamante.
Çfarë mendoi kompania kur doli me kampanjën “Diamantet, neve na duhen drita me diamante”? Ralph R. Debbas, shefi i W Motors qesh: “Diamantet në drita nuk na duhen fare, në të vërtetë. E përdorëm një dredhi të vërtetë marketingu. Njerëzit po flasin për të”.
W Motors është kompania e parë arabe që ka krijuar superautomobilin. Ajo ka në plan të zgjerojë imazhin në Lindjen e Mesme, të cilës deri tani i ka munguar industria e motorëve me nam.
Kreacioni i parë me vlerë prej 3.4 milionë dollarësh është Lykan Hypersport, i krijuar për të fituar vëmendjen në një “mënyrë të çmendur, në treg të çmendur”, ku ka shumë automobila ultra-ekskluzivë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Hypersport ka të gjitha performancat që i duhen një superautomobili. Ai ka motor 3.7-litërsh me 750 kuaj fuqi, twin-turbo me gjashtë cilindra që ndihmon që përshpejtimin prej 0 në 100 kilometra në orë automobili ta arrijë për 2.8 sekonda. Kjo është edhe më shpejtë se Lamborghini Aventador. Shpejtësia maksimale që Hypersport mund të arrijë është 395 kilometra në orë.
Por Debbas e di më së miri se çfarë kërkojnë blerësit e mundshëm të superautomobilave. Ai thotë se shumë klientë të tij “kanë automobila si Pagani Huayra, Koenigsegg Agera ose Buggatti Veyron Super Sport, por ata duan diçka më ndryshe”.
“Doktorët fluturues”
“Kur të bëni diçka të tillë si kjo hiperveturë, është një stil i jetës shumë luksoze”, shpjegon Stephanie Brinley, eksperte në “IHS Automotive”. “Është diçka që dikush do ta blinte në vend të ndonjë shtëpie diku në botë”.
Për W Motors, automobili është vetëm pjesë e një pakete. Blerësit po ashtu marrin sistemin e servisimit në gjithë botën. Ata duhet thjesht të shtypin një buton dhe asistenca teknike do të jetë menjëherë në dispozicion, shpjegon Debbas. Nëse kjo nuk mjafton ekzistojnë “Doktorët fluturues” – skuadër e inxhinierëve të trajnuar në W Motors – do të udhëtojë kudo në botë ku është automobili.
Ajka në fund. Një orë e dizajnuar nga kompania zvicerane Franck Muller, që mund të shërbejë edhe si një tjetër “dredhi” marketingu.
Krucial është fakti se do të prodhohen vetëm shtatë Hypersporte. Brinley shpjegon se shërbimi dhe ekskluziviteti që marrin blerësit është arsyeja reale që të shpenzojnë 3.4 milionë dollarë.
Modeli Ujk
Debbas nuk i quan prodhuesit e tjerë Pagani e Koenigsegg “konkurrentë”. “I respektoj të gjithë. Ne punojmë me ta”, thotë ai. Ai po ashtu nuk sheh rivalitet as me ofertat ekskluzive si Ferrari LaFerrari dhe Porsche 918 Spyder.
Modeli i kompanisë është më ndryshe nga ata që vijnë nga prodhuesit e tjerë. Historia e prodhuesve të tjerë nis me një obsesion për inxhinieri. Shkronja W te W Motors është për “Wolf” – Ujk. Këtë nofkë e kishte Debbas si fëmijë, ndërsa tash kompania e tij që ka bashkuar dizajnerët dhe inxhinierët me nam është bërë e famshme në industrinë automobilistike.
Debbas, që ka themeluar kompaninë shtatë vjet më parë, atëherë 22-vjeçar, është koordinatori i shkëlqyeshëm i të gjithë specialistëve të Lindjes së Mesme dhe Evropës. Nën vëzhgimin e tij janë 15 punëtorë nga Dubai, 70 nga kompania italiane Magna Steyr që merren me detajet e motorit, dhe skeleti krijohet nga specialistët e RUF-it në Gjermani.
“Puna me njerëzit më të mirë në industri na jep kredibilitet dhe qasje në të gjithë botën. Është e vërtetë që nuk kemi traditë qindravjeçare, por kompanitë me të cilat punojmë kanë më shumë se njëqind vjet eksperiencë”, thotë Debbas.
Krenaria e krijimit të automobilave
Të qenët kompani e re dhe e para prodhuese në Lindjen e Mesme i ndihmon W Motors të grumbullojë një grup blerësish nga kombe të ndryshme të pasura me naftë, thotë Debbas nga Libani.
Por projektet e tyre në rajon shkojnë edhe për te “milionerët më të varfër”. Një model Supersport me vlerë prej 1.6 milionë dollarësh dhe një furgon 250 mijë dollarësh do të konstruktohen në një fabrikë të veçantë të Debbasit. Ajo pritet të krijohet së shpejti në Dubai.
“Nuk po krijojmë vetëm një automobil. Po krijojmë një industri, një emër, diçka historike. Në çdo hap gjatë rrugës, po marrim përkrahje nga kombet arabe që po na bën edhe më shumë krenarë dhe të rrisim vlerën e kompanisë”, thotë Debbas.
Por para kësaj ka shumë sfida. Prodhimi i makinave vazhdon “të jetë i shtrenjtë, shumë strikt, i komplikuar dhe me shumë rivalitet”, kujton ekspertja Brinley, që shton se një hiperautomobil luksoz është vështirë të fitojë treg.
“Edhe Bugatti, një markë historike me përkrahjen e Volkswagenit, mbetet në mëdyshje nëse ka qenë shumë profitabil”, thotë ajo. “Ky është tregim paralajmërues për W Motors që të shikojë sa mund të jetë profitabil. Nëse VW-ja nuk ka arritur të lërë gjurmë në këtë treg për ta bërë Veyronin shumë profitail, do të jetë e vështirë për W Motors. Por kurrë nuk i dihet. Ky superautomobil ka diamante në të”.