Në autobusin me të cilin udhëtonte një grup serbësh që ktheheshin nga Gazimestani janë hedhur koktej mollotovi dhe gurë gjatë kalimit nëpër Prishtinë, kurse gjatë këtij sulmi janë plagosur 16 serbë, nga të cilët dy më rëndë, njoftoi radio KIM sipas deklaratës së mjekut Dejan Millanoviq nga qendra e ndihmës së shpejtë në Lapnasellë. Sipas tij, dy persona që kanë pësuar plagë më të rënda janë transportuar për në repartin e kirurgjisë në Graçanicë.
Në ndërkohë, Policia e Kosovës ka njoftuar se pos 35 policëve të plagosur në Merdare, një incident tjetër ka ndodhur në Graçanicë, tek varrezat serbe në rrugën për në Sushicë, ku disa të rinj serb kanë gjuajtur me gurë një autobus që qarkullon në linjë të rregullt në atë relacion. Lidhur me këtë rast policia ka dalë në vend të ngjarjes, me ç’rast ka arrestuar tre persona të dyshuar si të përfshirë në këtë rast.
Policia ka pranuar një informatë përmes linjës telefonike se në rrugën nga Prishtina në drejtim të Veternikut, te semaforët, afër hotelit Viktoria, disa autobusë janë gjuajtur me gurë nga persona të panjohur.
Të njëjtit kanë informuar, po ashtu përmes linjës telefonike, se kanë vazhduar rrugën për në Llapnasellë, ku edhe kanë kërkuar tretman mjekësor në ambulancën e Llapnasellës. Njësitet policore kanë dalë në vendngjarje për verifikim të informacionit dhe për veprime të mëtutjeshme policore.
Në rajonin e Prishtinës policia ka ndaluar një person të dyshuar të nacionalitetit serb, te i cili gjatë kontrollit janë gjetur dy radiolidhje, një palë dylbi dhe materiale tjera.
Pas kontrollit të shtëpisë së personit të dyshuar në fshatin Korrotisht të komunës së Artanës, policia ka konfiskuar dy revole.kohaislame