Disa avionë sirianë u përdorën sot, ndërsa helikopterë qëlluan me raketa, gjatë një përpjekjeje të re të qeverisë për të mposhtur rebelët në Aleppo, qytetin më të madh të Sirisë.
Situata në terren nuk është krejtësisht e qartë. Por dëshmitarët raportojnë mbi luftime të ashpra në rrugë. Njoftimet e opozitës thonë se mijëra trupa siriane janë drejtuar drejt Aleppos nga pozicionet e tyre, pranë kufirit turk.
Aleppo ishte një qytet relativisht i qetë deri në fund të javës së kaluar, kur rebelët nisën operacionet e tyre për të marrë nën kontroll qytetin.
Ndërkohë, në Uashington, Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton tha se rebelët po kontrollojnë gjithnjë e më shumë territore, të cilat ajo thotë se mund të bëhen strehë dhe bazë për operacione të tjera. Ajo tha se opozita duhet të jetë gati për të filluar punën për një qeveri të përkohshme, që të mbrojë të drejtat e të gjitha sirianëve dhe të marrë masa mbrojtëse për rezervat e armëve kimike dhe biologjike.
Zonja Klinton tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara janë duke shtuar përpjekjet e tyre për të ndihmuar rebelët që luftojnë për të rrëzuar qeverinë e Presidentit Bashar al-Assad.
Ajo nuk dha hollësi, por tha se SHBA-ja po jep ndihma jo-vdekjeprurëse si ndihmat mjekësore dhe mbështetje të komunikimit. Ajo tha se Uashingtoni po punon jashtë Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku Rusia dhe Kina kanë kundërshtuar tri rezoluta, me anë të së cilave do të ishin marrë masa të forta kundër qeverisë së Presidentit Assad.voa/kohaislame