-4.6 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Studentët e UP-së mbështesin Luginën e Preshevës

Më të lexuarat

Studentë nga Universiteti të Prishtinës kanë mbajtur një marrsh protestues në mbështetje të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, ndaj të cilëve, siç u tha, po ushtrohet presion i vazhdueshëm nga autoritetet në Serbi për të larguar lapidarin kushtuar ish-pjesëtarëve të UÇPMB-së.

Protestuesit kanë mbajtur në duar parulla “Jemi me ju Kosovë Lindore”, “Mos mi prek heronjtë”, “Serbi mos luaj me zjarr”, e të tjera.

Organizatorët kanë kërkuar nga autoritetet kosovare dhe ato të Shqipërisë që banorët shqiptarë të Luginës të përkrahen institucionalisht dhe të mos lejohet që atyre shqiptareve t’i shkelen te drejtat elementare.

“Ne kërkojmë nga institucionet e Republikës se Kosovës dhe asaj të Shqipërisë që të dalin në mbrojtje të të drejtave të shqiptareve që jetojnë padrejtësisht të ndarë në pjesën lindore të Kosovë. Njëkohësisht nga Qeveria e Kosovës kërkojmë që çështja e shqiptarëve të Luginës se Presheve të përfshihet në dialogun Kosovë Serbi në mënyrë që edhe shqiptarët atje të gëzojnë të drejtën e barabartë ashtu siç i gëzojnë serbët këtu në Kosovë”, tha Arben Mehmeti, njëri nga anëtarët e këshillit organizativ të protestës.

Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka njoftuar Kabinetin Qeveritar lidhur me takimin që ka pasur me përfaqësues të Luginës së Preshevës.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës mbështet zgjidhjen e problemeve në Luginë përmes dialogut.

Kreu i ekzekutivit në mbledhjen e qeverisë tha po ashtu se nuk duhet të lejohet në asnjë rrethanë ndonjë situatë me incidente që, siç u shpreh ai, nuk është në interesin e askujt.

Problemet e shqiptareve të Luginës së Preshevës, sipas Thaçit duhet të kalohen me urtësi dhe në asnjë rrethanë nuk duhet të krijohen situata artificiale, problematike që më se tepërmi u konvenon atyre që duan të pengojnë progresin evropian të Kosovës dhe afirmimin e të drejtave të shqiptareve në Presheve Medvegjë dhe Bujanoc.

Nga ana tjetër, Lëvizja Vetëvendosje kanë mbajtur një konferencë për media në lidhje me zhvillimet e fundit politike dhe situatën në Luginën e Preshevës.

Përfaqësuesit e këtij subjekti politik kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës dhe vet kryeministri Thaçi, pasi që sipas tyre institucionet kosovare po i injorojnë problemet themelore të shqiptarëve të asaj ane.

Deputeti Liburn Aliu ka theksuar se “po injorohet fakti që Thaçi do të shkojë me datë 17 Janar, në Bruksel, për të negociuar veriun dhe atë, pa qenë as temë e as kusht të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë”.

Gatishmëria për shkuarje në negociata për veriun pa vënë kushte dhe sidomos pa e kushtëzuar me reciprocitet me shqiptarët ne Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, ka thënë Ailu është njëkohësisht koncesion ndaj Serbisë në veri dhe rrënim i të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Ndërkohë, përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, kanë diskutuar zhvillimet e fundit politike në atë vend, por edhe çështjen e përmendores.

Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa deklaroi për Radion Evropa e Lirë së situata aktualisht është e qetë dhe nuk ka ndonjë zhvillim sa i takon çështjes së lapidarit.

“Nuk ka ndonjë lëvizje përveç një urdhri që ka nga Ministria e Drejtësisë dhe administratës shtetërore për largimin e përmendores në afat prej 5 ditësh, prej ditës së inspektimit”.

“Dita e inspektimit të inspektorëve ka qenë 10 janari. Parimisht sot skadon afati i urdhëresës që i është dhënë kryeshefit të administratës komunale për largim. Megjithatë, aty ka edhe 8 ditë afat ankese, të shohim se si do të procedojmë, jemi në bisedë e sipër”, tha Mustafa.

Mustafa tha po ashtu se nuk do të ketë zhvendosje të lapidarit që mban emrat e rreth 30 ish-pjesëtareve të UÇPMB-së.

“Janë propozime që janë lansuar edhe më herët nga autoritetet zyrtare të Serbisë, po ne nuk kemi pasur asnjëherë temë diskutimi zhvendosjen. Kur nuk ka qenë asnjëherë temë e diskutimeve tona dhe pa asnjë dyshim se edhe me tutje jemi të qëndrimit se lapidari të mbetet aty ku është”, tha Musafa.

Ministria serbe e Drejtësisë, tha se të martën në mesnatë ka skaduar afati për largimin e pllakës përkujtimore kushtuar pjesëtarëve të rënë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit.

Në një komunikatë të kësaj ministrie thuhet se pas skadimit të këtij afati, inspektorati i saj do të nisë procedurë kundërvajtëse ndaj shefit të administratës komunale të Preshevës. Po ashtu do të përcaktohen edhe procedurat dhe afatet për largimin e pllakës përkujtimore.

“Me skadimin e afati ligjor, do të ndërmerren veprimet për largimin e pllakës së vendosur në mënyrë të paligjshme me ndihmën e organeve të punëve të brendshme nëse është e nevojshme”, thuhet në komunikatë.

Autoritete komunale në Preshevë kanë bërë të ditur se situata e sigurisë është e qetë dhe nuk ka rritje të forcave të sigurisë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit