9.2 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Studentët e Luginës, peng i vullnetit të institucioneve të Serbisë

Më të lexuarat

Bashkimi Evropian ka nisur në praktikë të zbatojë njërën nga marrëveshjet e arritura në dialogun teknik mes Edita Tahirit dhe Borislav Stefanoviqit. Studentët nga Lugina e Preshevës që kanë studiuar në Universitetin e Prishtinës do të mund t`i certifikojnë diplomat e tyre sipas marrëveshjes në Bruksel që parasheh një proces të komplikuar, por që nuk jep garanci se do të përmirësojë pranimin e tyre në punë apo në studime pasdiplomike në shtetin serb.

Marrëveshja për diplomat është njëra nga marrëveshjet që për një vit dialog zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri dhe përfaqësuesi i Serbisë, Borislav Stefanoviq, i kanë arritur në procesin që u vlerësua teknik e që u lehtësua nga Robert Cooper. Dialogu i ndërprerë muaj më parë për shkak të zgjedhjeve në Serbi, sipas vetë përfaqësuesve kosovarë, ka prodhuar vetëm letra, nga marrëveshjet që nuk po zbatohen. Çështja e diplomave dhe ajo e regjistrit civil, edhe sipas zyrtarëve të BE-së, janë marrëveshjet që janë zbatuar më së miri.

Marrëveshja do të prekë më së shumti interesat e studentëve shqiptarë nga Lugina e Preshevës. Çdo vit akademik qindra studentë shqiptarë nga jugu i Serbisë regjistrohen në Universitetin e Prishtinës. Ata diplomojnë, por dokumenti i dëshmisë së studimeve të tyre është i pavlefshëm në Serbi që nga paslufta. Si rezultat ata as nuk mund të gjejnë punë institucionale as të regjistrohen në ndonjë studim pasdiplomik në institucionet arsimore në Serbi.

Asociacioni i Universiteteve Evropiane, sipas marrëveshjes së arritur mes Prishtinës dhe Beogradit, ka angazhuar një kompani që do të merret me sigurimin e aplikacioneve nga të diplomuarit. Pasi që SPARKS (kompania e kontraktuar v.j.) të dërgojë aplikacionet në Bruksel, EUA (Asociacioni i Universiteteve Evropiane) do të krijojë një komitet që do të riverifikojë validitetin e diplomave të aplikuesit dhe dokumentet përcjellëse.

Sekretarja e këtij asociacioni, Lesley Wilson, ka thënë për “Kohën Ditore” se studentët duhet të dorëzojnë dy kopje të diplomave të tyre dhe një të përkthyer në anglisht. Krahas tyre ata do të duhej të bashkëngjisnin edhe të dhënat e notave që kanë pasur gjatë studimeve sipas sistemit të Bolonjës.

“Pasi të ketë verifikuar se çdo dokument është valid dhe aplikacioni është përmbushur, komiteti i verifikimit do të lëshojë një letër certifikatë për diplomën. Ajo do të jetë dëshmia që i diplomuari e ka të verifikuar diplomën”, ka thënë Wilson.

Sipas sekretares së Asociacionit të Universiteteve Evropiane, studentët që kanë dëshminë e diplomave të certifikuara sipas marrëveshjes nuk do të duhej të kishin problem punësimin apo regjistrimin në studime pasdiplomike.

Megjithatë, marrëveshja nuk ka paraparë kurrfarë mase që garanton se edhe pasi të kenë marrë letrën e certifikimit do të jenë të pranueshëm, qoftë studentët shqiptarë që kanë studiuar në Kosovë se do të pranohen në Serbi, apo edhe studentët serbë që kanë studiuar në Beograd se do të pranohen në Kosovë.

Sekretarja e EUA-së ka thënë se asociacioni do të monitorojë pranueshmërinë që do të kenë certifikatat e tyre nëpër institucione.

“Ky është një proces që vazhdon dhe për ne si asociacion do të jetë shumë e rëndësishme të kuptojmë se çfarë ka ndodhur pas certifikimit dhe deri ku ka arritur shkalla e zbatimit dhe sa po pranohen diplomat e ndërsjella, të cilat e kanë kaluar testin e verifikimit”, ka thënë Wilson.

Me gjithë pasiguritë, javën e kaluar në Prishtinë janë lëshuar në një ceremoni solemne 73 certifikata për diploma të studentëve që kanë studiuar në Kosovë. Ceremoninë e ka përshëndetur lehtësuesi i dialogut teknik Robert Cooper.

“Certifikimi i 73 diplomave të para universitare është i mirëpritur. Kjo mundëson këta të rinj që të shfrytëzojnë diplomat e tyre universitare për të vijuar studimet ose për të kërkuar punësim në Serbi, si kudo tjetër në Evropë. Kjo përmirëson mënyrën e jetesës së qytetarëve, duke e sjellë kështu praktikën serbe më afër normave evropiane. Kjo plotëson dy prej objektivave për të cilat është zhvilluar dialogu, megjithëse në një mënyrë modeste”, ka thënë Copper.

Në njoftimin e Bashkimit Evropian thuhet se këto diploma të certifikuara do të trajtohen në Serbi në të njëjtën mënyrë sikur diplomat e tjera të lëshuara jashtë Serbisë.

Bashkimi Evropian pret që pas themelimit të Qeverisë së re në Beograd të vendoset edhe për fatin e dialogut. Në dialogun teknik që tashmë vlerësohet i përfunduar kanë mbetur pa u diskutuar edhe dy tema-telekomunikacioni dhe energjetika.

Nga shtatë marrëveshjet e arritura, sipas ekipit të Cooperit, Kosova nuk po arrin të zbatojë njërën nga marrëveshjet, atë që ka të bëjë me kadastrat, por për marrëveshjet e tjera fajin e ka Serbia.

Qeveria e Kosovës duhet të miratojë një ligj për t`u zbatuar në praktikë marrëveshja për kadastrat, gjë që ende nuk ka ndodhur, ndërkaq për çështjen e menaxhimit të kufirit pritet vetëm nënshkrimi i Serbisë në protokollin teknik, në mënyrë që të nisë zbatimi.

Marrëveshja për lirinë e lëvizjes, sipas ekipit të Cooperit, po zbatohet mirë, përveç aspektit të tabelave të automjeteve, ku po bën problem Serbia, ndërkaq që marrëveshja e prezantimit rajonal po ngec për shkak të një interpretimi të gabuar që po i bën Serbia fusnotës dhe mënyrës se si do të prezantohet Kosova./koha/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit