4.7 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Streha e fundit (e parë) e horrave

Më të lexuarat

Semjuel Xhonson e ka thënë atë fjali të famshme në të cilën të gjithë po thirremi e sipas të cilës “Nacionalizmi është streha e fundit e horrave”, por dikush i kishte replikuar duke thënë se një gjë e tillë nuk është e vërtetë sepse “Nacionalizmi është streha e parë e horrave”

I bukur në shikim të parë, përplot me romantikë që padiktueshëm shndërrohet në iluzion, nacionalizmi në fakt është mjet për ta çrrënjosur individualitetin e për t’u shkrirë në zymtësinë e kolektivitetit. Ai paraqet një gjendje të mendjes në të cilën shumë qartë mund t’i detektosh dobësitë dhe marrëzitë, manipulimet dhe gënjeshtrat në të cilat zhytet populli yt aq i dashur ndërkohë që ti nuk je në gjendje ta thuash të vërtetën. Nuk je në gjendje, sepse një gjë e këtillë do të thotë përjashtim nga kolektivi dhe kthim në tmerrin e vetmisë, në individualitetin që aq shumë je përpjekur ta vrasësh duke qenë i bindur se kombi është çdo gjë e individi nuk është asgjë.

Kujtohuni sa shumë tmerr e fatkeqësi shkaktuan ndër ne dhe rreth neve nacionalizmi dhe patriotizmi që u shtrembëruan e u devalvuan paskajshmërisht. Kujtohuni sa grabitje e dhunë u ushtrua, sa gënjeshtra e mashtrime na u servuan në emër të dashurisë ndaj kombit dhe shtetit. Jemi në Ballkan, këtu çdo gjë kapërdihet. Dhe, përherë kështu, deri në zgjedhjet e reja në të cilat pretendentët për pushtet, duke mos pasur kurfarë argumente e atu të tjera, do vazhdojnë të luajnë pokerin e tyre me letrat të pista.

E në atë lojë bixhozi, mjerisht, bixhozxhinjtë tanë kanë të njëjtin investim- mjerimin tonë shpirtëror, moral e material, dalldisjen tonë me përmendore e ndërtesa, kështjella, kuaj, luaj e shqiponja. Nuk është i njohur ndonjë rast, bile as në hapësirat e shtetit të dikurshëm të përbashkët, populli të vazhdojë t’i gëzohet fatkeqësisë së vetë siç po ndodh aktualisht në Maqedoni.

Po, këtu njerëzit po vazhdojnë t’ju gëzohen pisllëqeve “nacionaliste” e “patriotike” që po ju vijnë nga lartë, po i gëzohen “vjetërsisë” që po ndërtohet në çdo hap, njëra palë po gëzohen që Aleksandri qenka më i hershëm se Skënderbeu, kurse tjetra po gëzohet se përmendorja e të parit qenka më e vonshme se ajo e të dytit. Ka edhe nga ata që po i gëzohen ndryshimit të furishëm të identitetit të vetë. Një gëzim i përgjithshëm, edhe pse nacionalizmi dhe patriotizmi me të cilin po na ushqejnë është aq i mjerë e neveritës, aq i kundërt nga kuptimi parësor që ka. Në fakt, aq e shtrembëruar dhe aq e rrejshme u bë ajo dashuri e eminencave gri ndaj popullit dhe atdheut sa që fare lehtë mund ta vendosim në kategorinë e tradhtisë

Por, jemi ballkanas, apo jo? Nëse jemi të dashuruar pas muzikës tallava, pse të mos i duam edhe turbo-folk nacionalistët? Pse të mos ju shërbejmë “tajkunëve” dhe biznesmenëve të ndryshëm që aftësitë e tyre i zbuluan vetëm kur u bënë anëtarë të ndonjë partie? Pse duhet të na pengojë lyerja dhe ngjyerja që po ua bëjnë vlerave tona dhe të huaja nëse nga ajo lyerje-ngjyerje del se vlerat tona janë aq të mëdha e ato të të tjerëve aq të mjera? Sepse,ndërkohë, sikur shpata e Damokleut mbi kokë na qëndron ai rregulli i tmerrshëm: mjerimi ekonomik përherë paralajmëron krizën politike kurse kjo e dyta përfundon me kriza sigurie.

Dhe, atëherë, fajin do ia përshkruajmë Zotit sepse na paska harruar dhe na e paska kthyer shpinën. Por, Zoti as nuk harron e as nuk e kthen shpinën. Ai na e ka falur intelektin dhe i ka vendosur rregullat e jetesës dhe të sjelljes duke na e bërë të qartë se vetë duhet ta zgjedhim rrugën tonë. Nëse ne vetë po e shndërrojmë Maqedoninë në një gjeriz të kontaminuar me çdo gjë e që po shkakton neveri në shoqërinë e shteteve normale dhe njerëzve normal të shek. 21, faji sigurisht nuk është i Zotit. Aq shumë bukuri dhe aq shumë mundësi na ka dhuruar Krijuesi në këtë vend të mrekullueshëm, e ne po bredhim e po bredhim. A thua Zoti është fajtor nëse ne me dobësitë tona po e ushqejmë fuqinë e nacionalizmit dhe patriotizmit që aq paturpësiht është materializuar. A është fajtor Zoti që njerëzit e sinqertë të cilët dashurinë e tyre ndaj kombit e atdheut i kultivojnë në vetvete si veti të natyrshme, askush nuk po i bën hesap?

Me qëllim që të bëhet edhe më djegëse dhe më e yndyrshme kjo turlitavë, disa po na e paraqesin nacionalizmin sikur na qenka mundësia e vetme për mbrojtjen e interesave nacionale, por kurrsesi nuk po thonë se çfarë do të thot interes nacional. Nënkuptohen ato gjëra, po thonë, duke aluduar ndoshta kah krijimi i shtetit-komb i cili do të ishte i çliruar nga mosmarrëveshjet e brendshme, nga “pakicat që vetvetiu gjenerojnë joluajalitet”, nga “tradhtarët antinacionalistë”. E tërë kjo, merret vesh, duhet brumosur me demokraci sepse ajo i fsheh mangësitë e turlitavës. Me demokracinë, nëse ju kujtohet, mund të mbuloni verbalisht çdo gjë që dëshironi dhe ta dëshmoni arsyeshmërinë e ideve nga më të çoroditurat.

Por, jo çdo njeri i nënkupton gjërat. Ekzistojnë,për fat, edhe njerëz që dëshirojnë të kuptojnë qartë a është e mundur që një “shtet i pastër dhe i homogjenizuar” që do të realizohej përmes ndonjëfarë konsensusi nacional t’i zgjidh problemet dhe vuajtjet e njeriut të rëndomtë. Në një shtet të atillë, a do të vjedhin më pak baballarët e kombit dhe a është e mundur ndoshta që të mos vjedhin fare. A do të zhduken diferencat sociale që aq shumë po bien në sy, a do të na gënjejnë dhe a do të na vrasin më pak?

Sidoqoftë, për të gjithë ne që jetojmë në Maqedoni, mbetet e hapur dilema: A dëshirojmë të bëhemi ne personalitete që veten e realizojnë përmes punës dhe talentit të vetë apo dëshirojmë të jemi pjesëtarë të kolektiviteteve në të cilat do të ndihemi më të sigurt dhe do të ngrohemi më shumë. A dëshirojmë të jemi ”Shqiptarë të mirë” dhe “Maqedonas të mirë” apo dëshirojmë të jemi – njerëz të mirë. Mos harroni se edhe njerëz shumë të këqinj mund të bëhen shqiptarë e maqedonas të mirë.

Nëse nuk mund të realizoheni sipas rregullave të Zotit, me punë, sinqeritet dhe humanitet, ikni në përqafimin e nacionalizmit dhe patriotizmit të pallavrosur, por shikoni mos janë zënë të gjitha vendet nga horrat.

Keni edhe një opsion: Duaje të afërmin tënd dhe nëse nuk mund ta kultivosh dashurinë edhe për më të largëtin, atëherë trego respekt, nëse edhe këtë nuk mund ta bësh, atëherë bëhu tolerant. Kombin tënd do ta duash e do ta nderosh më shumë jo duke i urrejtur të tjerët.

Sulejman Rexhepi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit