-4.6 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Stoltenberg në BeH: Jam këtu për të ulur tensionet dhe të shmangim konfliktet e reja

Më të lexuarat

Do të bëjmë çmos për të qetësuar tensionet dhe të shmangim çfarëdo eskalimi apo tensionim dhe ky është mesazhi i aleancës të cilin ua themi të gjithëve në rajon, tha kreu i NATO-s, Stoltenberg

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg gjatë vizitës në Bosnjë e Hercegovinë (BeH) pas takimit me Kryesuesin e Presidencës së BeH-së Mladen Ivaniç tha se vendi ka të gjitha instrumentet e nevojshme për të avancuar drejt aleancës dhe u bëri thirrje politikanëve në vend për të marrë reforma edhe hapa më të guximshme në rrugën drejt anëtarësimit në NATO, raporton Anadolu Agency (AA).

Stoltenberg kujtoi se NATO tashmë dy dekada kontribuon në garantimin e paqes në rajon dhe në masë të madhe vlerëson partneritetin me BeH-në, e cila është e rëndësishme për të dyja palët.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s falënderoi kontributin e BeH-së në aktiviteteve të ndryshme të NATO-s dhe për misionet e saj, sidomos në Afganistan dhe në luftën ndërkombëtare kundër terrorizmit.

Ai tha se BeH si një kandidat për anëtarësim në NATO ka instrumentet e nevojshme për të bërë përparim drejt një aleancë, dhe ai theksoi se “NATO është e gatshme për të aktivizuar Planin e Veprimit për Anëtarësim, kur të gjitha asetet ushtarake janë regjistruar në vend”.

Në pretendimet e mediave se NATO ka trupa të gatshëm për të ndërhyrë në BeH në rast destabilizimi, Stoltenberg përsëriti se NATO është partner i BeH-së me të cilën punojnë për zbatimin e reformave dhe nënvizoi se NATO nuk ka ndërmend dhe nuk ka asnjë plan për vendosjen e trupave luftarake në Bosnjë.

“Kjo nuk është në planin tonë. Plani ynë është që të sigurojmë mbështetje për BeH-në në zbatimin e reformave”, tha Stoltenberg, duke shtuar se NATO kurr nuk ka detyruar asnjë vend për t’u bashkuar me aleancën, dhe se për këtë eksluzivisht i mbetet BeH-së të vendosë nëse dëshiron të bëhet anëtare e alizncës.

Ai po ashtu komentoi edhe rreth situatës së sigurisë në Ballkan, duke theksuar se NATO në rajon për dy dekada ndihmon në dhënien fund të luftës dhe ruajtjes së paqes dhe se nuk dëshiron asnjë përshkallëzim të konfliktit në rajon.

“Do të bëjmë çmos për të qetësuar tensionet dhe të shmangim çfarëdo esklaimi apo tensionim dhe ky është mesazhi i aleancës të cilin ua themi të gjithëve në rajon. Ne jemi këtu për të qetësuar tensionet dhe shmangur konfliktet” tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.

I pyetur nëse e shqetëson ndikimi rus në Ballkan, Stoltenberg tha se ishte i informuar për “ndërhyrjen ruse dhe se kjo është diçka që NATO e monitoron nga afër”.

“Mënyra më e mirë për të rritur rezistencën ndaj çdo lloj ndikimi të jashtëm apo ndërhyrjes është që të siguroni që institucionet demokratike në vendet e Ballkanit Perendimor të jenë të forta, që të luftojnë kundër korrupsionit, të modernizohen, të zbatojnë reformat, institucionet të jenë të sigurta dhe në gjendje të rezistojnë ndaj kësaj, si dhe të vazhdojnë proceset demokratike”, tha Stoltenberg.

Mladen Ivaniç, kryesuesi i Presidencës së BeH-së pas takimit me Stoltenberg, tha se përcaktimi i BeH-së është i qartë, dhe kjo është që bashkëpunimi dhe partneriteti me NATO-n të vazhdon.

Përveç Ivaniç, në takim të pranishëm ishin edhe dy anëtarët e tjerë të presidencës Bakir Izetbegoviç dhe Dragan Çoviç.

“Ne e njoftuam z.Stoltenberg me situatën politike në BeH, por edhe progresin që është bërë në sektorin e mbrojtjes. Brenda Presidencës së BeH-së ka një konsensus të plotë se është në interes të BeH-së që sa më parë të aktivizohet Plani i Veprimit për Anëtarësim (Membership Action Plan-MAP)”, tha Ivaniç.

Kryesuesi i presidencës së BeH-së vuri në dukje se reforma dhe modernizimi i Forcave të Armatosura të BeH-së “duhet të bëjmë për veten dhe jo për NATO-n”.

“Në mënyrë të qartë e kam thënë se angazhimi i presidencës së BeH-së është për të qetësuar situatën në rajon dhe se jemi për vazhdimin e bashkëpunimit me NATO-n në misionet paqeruajtëse”, tha Ivaniç.

Ai gjithashtu tha se rreth anëtarësimit në NATO në BeH nuk ka pajtueshmëri të plotë, por ka në lidhje me anëtarësimin në MAP. Sipas tij, strukturat që tani janë në skenën politike në lidhje me këtë nuk do të marrin vendime.

“Të flasim sot për anëtarësim, ndërsa ende nuk e kemi aktivizuar as MAP-in, është shumë herët. Duhet t’i përmbahemi asaj për të cilën aktualisht kemi miratim, dhe kjo është modernizimi i forcave të armatosura, aktivizimi i MAP-it dhe të vazhdojmë modernizimin dhe bashkëpunimin me aleancën, e cila ka rëndësi globale”, tha Ivaniç.

Ai shtoi se paqëndrueshmëria në BeH mund të vijë “vetëm nga ne, kurse vetëm ne mund të sigurojmë stabilitet të qëndrueshëm”. Stabiliteti i BeH-së, sipas tij, varet “nga ne dhe jo nga NATO-ja, prandaj përgjegjësia kryesore është mbi ne”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit