Cvetan Stevkovski, vëllai i Borce Stevkovski nga Creshova, njërit prej pesë të vrarëve në Smilkovc, thotë se nuk beson që vrasësit e vëllait të tij të jenë shqiptarë. Në një deklaratë ekskluzive për “Lajm” ai thotë se familjarisht me shqiptarët gjithmonë kanë pasur raporte të mira.
“Nga ana jonë nuk ka urrejtje ndaj shqiptarëve. Unë kam miq shqiptar, edhe vëllai im i ndjerë kishte miq shqiptarë. Ne akoma kontaktojmë me ata, edhe në varrimin e vëllait tim erdhën shqiptarë. Kam miq nga të gjitha nacionalitetet dhe urrejtja nuk mbizotëron tek unë. Tek unë urrejtja është vetëm ndaj vrasësve…”, ka thënë ndër të tjera Cvetan Stevkovski, vëllai i Borçe Stevkovski, i vrarë në sulmin e javës së kaluar, ku mbetën të vdekur pesë persona.
Ai posaçërisht shprehet i mllefosur për mënyrën se si për këtë ngjarje kanë raportuar mediat serbe. “Ato duan të shkaktojnë tensione, të nxisin urrejtje ndëretnike. Edhe unë jam i revoltuar prej tyre. Ne 40 ditë nuk e lëshojmë televizorin, por shokët më kanë treguar se në mediat serbe janë lëshuar disa dezinformata, se gjoja vrasësit kanë qenë shqiptarë. Kjo është gënjeshtër”, thotë Stefkovski, duke shtuar se në momentin kur të kapen autorët e krimit do të dihen se kush janë.
Sipas tij vrasësi është vrasës dhe pa u identifikuar nuk mund të thuhet se ai është shqiptar, maqedonas apo cigan.
“Nuk duam që të përhapim urrejtje mes nesh njerëzve. Duam bashkëjetesë, kërkojmë që të kapen vrasësit dhe të dënohen, pa marrë parasysh se çfarë janë. Nuk mund të themi se çfarë janë, por mund të them se tim vëlla e vranë. Një njeri i pafajshëm është vrarë, ndërsa kush e ka vrarë dhe si e kanë vrarë nuk e dimë akoma”, thotë Stevkovski.
Mediat serbe gjatë gjithë kohës duke u thirrur në burime të ndryshme, përpiqen që autorët e vrasjes ë pesë të rinjve ti nxjerrin shqiptar. Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë i ka përgënjeshtruar ato informata. /Lajmpress/Telegrafi/kohaislame