1.5 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Standardet e dyfishta për Ramushin

Më të lexuarat

Qeveria e Kosovës ka përdorur standarde të dyfishta ndaj ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, derisa ky i fundit dy herë u përball me Tribunalin Penal të Hagës, dhe dy herë ngadhënjeu. Herën e parë kur ai u shpall i pafajshëm, në Kosovë u prit si “hero” vetëm nga një pjesë e qytetarëve kosovarë dhe nga disa politikanë pothuajse pa ndikim. Ndërsa kësaj radhe ai u prit me protokoll shtetëror dhe me Gardë ceremoniale, që konsiderohet e natyrshme dhe e obligueshme për secilin shtet që pret “heronjtë e luftës”.
Ishte i njëjti person para katër vjetësh, dhe është i njëjti person tash, ndërsa, sipas opozitës, nga ajo periudhë ka ndryshuar vetëm kursi politik, “edhe atë me hile” nga kryeministri Hashim Thaçi, shkruan “Zëi”.

Madje në vitin 2008, qeveria e pati injoruar në tërësi pritjen e Ramush Haradinajt, ndërsa me javë të tëra atë nuk e takoi as ish-presidenti Fatmir Sejdiu, kryeparlamentari Jakup Krasniqi e aq më tepër, kryeministri aktual, Hashim Thaçi.

Opozita konsideron që të mos komentohet si diçka negative kjo pritje, porse sipas tyre, kjo pritje është dashur t’i bëhej edhe më herët, por pa kalkulime politike. Ata vlerësojnë se afria e AAK-së me PDK-në, nuk ka se si të interpretohet ndryshe, përveç si subjektin që po përfshihet brenda qeverisë.

E nga ana tjetër, numri dy i qeverisë së vendit, Hajredin Kuçi ka thënë se është punë e mirë që është pritur kështu. Ndërkaq, rreth asaj se pse nuk ka ndodhur një gjë e tillë herën e kaluar, Kuçi ka thënë se kjo pritje duhet të vlerësohet nga të gjithë duke mos hyrë në detaje.

Ndërsa, nënkryetari i AAK-së, Ahmeti Isufi ka thënë se pritja e kryetarit të AAK-së me protokoll shtetëror tregon se ka filluar të funksionojë shteti. Ndërkaq, nderimet që i janë bërë Ramush Haradinajt, sipas Isufit, janë nderime shtetërore të cilat duhet t’i bëhen çdo personaliteti që ka dhënë dhe jep për vendin.

“Kjo nuk është asgjë spektakulare, por është protokoll shtetëror që duhet t’i bëhet një personaliteti që ka dhënë shumë për vendin”, ka thënë Isufi. Se a është dashur që e njëjta pritje t’i bëhej edhe në pas lirimit të Haradinajt në 2008, Isufi është shprehur se po mësohemi gjatë rrugës që të funksionojmë si shtet.

Rexhep Selimi nga Vetëvendosje ka thënë se është evidente që në vitin 2008, jo vetëm që nuk e kanë pritur liderët politikë, por edhe sa ka qenë në burg edhe Haradinaj, por edhe Fatmir Limaj, shteti i Kosovës nuk është përkujdesur as për obligimet e shpenzimeve financiare, as transportin, as biletat, as akomodimin e familjeve të tyre. Madje, sipas Selimit, as përfaqësitë diplomatike nuk i kanë kontaktuar gjatë tërë kohës sa kanë qenë në Hagë.

“Kjo pritje që i është bërë nga Qeveria Ramush Haradinajt, është shumë e mirë. Gjithsesi nuk është gjithçka dhe nuk do të duhej të përdorej si kamuflazh sikurse deri më tash. Gjithsesi kjo pritje nuk do të duhej të ishte kaq politike”, ka thënë Selimi, sipas të cilit, kjo pritje më shumë është hipokrite sesa reale.

Sipas tij, shteti i Kosovës nuk u ka ndenjur afër bijve të vet kur ata kanë pasur nevojë dhe nuk u ka besuar që janë të pastër përpos qytetarëve që kanë pasur besim të thellë në pastërtinë e tyre. “Afria e AAK-së me PDK-në nuk ka sesi të interpretohet ndryshe, sepse kjo pritje është në paketën e kalkulimeve dhe në këtë paketë është futur edhe kjo pritja zyrtare qeveritare që i është bërë kreut të AAK-së”, ka thënë Selimi.

Sidoqoftë, Selimi ka thënë se nuk duhet të komentohet si diçka negative kjo pritje porse sipas tij, kjo është dashur të bëhej edhe më herët.

“Ramush Haradinaj nuk është dashur ta refuzojë këtë pritje po ashtu nuk do të duhej ta ngarkonim atë. Ati i takon tash e tutje të reflektoj lidhur me ngjarjet politike”, ka thënë Selimi duke shtuar se deri më tash nuk ka pasur të drejtë ta bëjë një gjë të tillë.

Analisti, Halil Matoshi konsideron që partia e Ramush Haradinajt është ofruar në qëndrime me PDK-në, kjo është e para sipas tij. “Dhe e dyta zoti Haradinaj ka dalë i pafajshëm nga Tribunali i Hagës dhe kjo i ka dhënë mundësinë kryeministrit që t’ia bëjë pritjen me protokoll shtetëror”, tha ai.

Kjo, sipas Matoshit do të bëjë që gjërat ndërmjet kryeministrit dhe Haradinajt kanë ndryshuar. “Ju e dini se në vitin 2008, AAK ka qenë shumë kritike ndaj qeverisë, ndërkaq sivjet kjo qasje ndaj qeverisë së PDK-së është zbutur dukshëm dhe madje janë ofruar shumë qëndrimet e tyre dhe pritet një koalicion i mundshëm qeveritar”, ka thënë Matoshi.

Mirëpo sipas tij, sivjet nuk do të ketë lëvizje të figurave të mëdha e po ashtu as koalicion i mundshëm sivjet nuk do të ndodhë.“Por, me gjasë në zgjedhjet që do të mbahen në vitin e ardhshëm, pushteti do të ndahet sipas skemës që Haradinaj të jetë kryeministër, ndërkaq Hashim Thaçi president i vendit”, ka thënë Matoshi.

Ndryshe në vitin 2008 dhe në fillim të vitit 2009, një varg akuzash janë shkëmbyer ndërmjet dy taborëve me bagazh UÇK-në.

Derisa politikanët më me ndikim të PDK-së jua akuzuan nga AAK për mbledhje të tagrit në emër të SHIK-ut, ata të PDK-së akuzuan AAK-në se po zhvatë dhe po e kontrollin tregun e kazinove nëpër Kosovë. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit