Shtypshkronja shtetërore austriake (OeSD) mohon akuzat e Natalia Velijajt, të arrestuar për përvetësimin e parave dhe ryshfetin për nëpunësit civilë në Kosovë.
“Akuzat janë e zonjës V. Janë absurde. Me muaj jemi përpjekur të marrim 1.4 milion eurot, ndërsa ministri i Brendshëm gjithmonë ka bërë thirrje të presim”, ka thënë për “Standard” të Vjenës, shefi i OeSD-së, Reinhart Gausterer.
OeSD ka kërkuar ndihmë nga Ambasada austriake në Kosovë, e cila institucionin austriak e ka informuar se paratë e kërkuara i janë paguar Natali Velijajt.
“OeSD u bë dëshmitar i mashtrimit. Prandaj, ne ia dorëzuam pikëpamjen tonë MPB-së së Kosovës dhe EULEX-it”, shton ai.
E pandehura N.V. ka thënë gjatë seancave dëgjimore se “nga austriakët kishte urdhër që të korruptojë zyrtarët e lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme”.
OeSD para një viti ka fituar tenderin për të punuar pasaportat e Kosovës. Në vend të OeSD-së, MPB ia barti 1.4 milion euro Velijajt të cilat kjo e fundit thotë se i ka përdorur “për korruptim”.
Gauterer pohon se me këtë deklaratë ajo synon ta mbrojë veten dhe se OeSD tashti gjendet në situatë absurde meqë vet i ka iniciuar hetimet.
Është çështje e hapur se pse MPB atë shumë të lartë të parave ia pagoi firmës së Velijajt e jo OeSD-së. Sipas kompanisë austriake, ajo nuk ishte e autorizuar të pranonte para nga kjo kompani, por se ishte e autorizuar vetëm për aktivitetet e përkthimit dhe formalitetet doganore.
“Standard” tregon se Natalia nuk është e panjohur për autoritetet austriake, meqë më 7 qershor të vitit të kaluar, Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) ka bërë kallëzim në Kosovë kundër saj për shkak të dyshimit për veprën penale të mashtrimit.