Në momentin kur ezanët e imamëve të xhamive në Prizren kanë thirr akshamin dhe me këtë, mbi 2000 besimtarë të fesë islame të tubuar në Shadërvan, mbrëmë kanë shënuar përfundimin e agjërimit për ditën e diel dhe së bashku kanë bërë iftar.
Iftari në të hapur, pranë Urës së Gurrit dhe Lumëbardhit, edhe sivjet është organizuar nga komuna Bajrampasha e Stambollit dhe është pjesë e projektit “Karvani i bereqetit” i cili prej 11 vitesh, nën moton “Ramazani në Ballkan”, raporton aa, organizon iftar të përbashkët në të hapur, për besimtarët islam në mbarë rajonin .
Kryetari i Komunës Bajrampasha nga Stambolli, Atilla Aydiner, u shpreh shumë i lumtur që është sërish në Prizren ku njerëzit janë aq mikpritës, shumë të afërt dhe ai me të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që marrin pjesë në këtë organizim janë të lumtur që së bashku me prizrenasit dhe mysafirët tjerë, do të bëjnë iftar dhe për ta festuar një ditë të Ramazanit.
“Qëllimi i këtij projekti është që populli i Turqisë ta forcojë lidhjen dhe miqësinë me popujt e Ballkanit. Ta forcojmë dashurinë dhe të tregojmë se ata kurrë nuk i kemi lënë të vetmuar, dhe se kurrë nuk do t’i lëmë të vetmuar , as në të ardhmen. Kur e filluam këtë projekt para 11 viteve, kemi thënë se ‘vëllazërimi nuk njeh kufij’ dhe me këtë ne i kemi larguar kufijtë” deklaroi Aydiner.
Ai tregoi se: “Karvani i Bereqetit viziton qytetet e ndryshme të Ballkanit me qëllim që të ndajë dhe të përhap miqësinë në mbarë Ballkanin, ndërsa fakti që ky organizim po has në mikpritje të madhe të qytetarëve për të bërë iftar së bashku, po ju mbush shpirtrat dhe zemrat me vullnet për të vazhduar me këtë projekt që mbështetet pa rezervë nga Republika e Turqisë, tha për Anadolu Agency kryetari i komunës së Bajrampashës.
“Njëkohësisht,ky projekt është projekt kulturor i cili përkrahet dhe mbështetet pa rezervë nga presidenti i Turqisë, kryeministri dhe ministri i kulturës së Turqisë, dhe duke i falënderuar kësaj mbështetjeje kemi ardhur deri në këtë pikë. Qytetarët e Prizrenit për ne janë shumë të vlefshëm dhe të rëndësishëm” përfundoi Aydiner.
Në mesin e atyre që kishin ardhur për të bërë iftar së bashku me qytetarë ishte edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fikrim Damka nga Partia Demokratike e Turqve të Kosovës.
Sipas tij, ky është një mision vullnetarë dhe bamirës me të cilin shijohet bereqeti i iftarit dhe kuptimi i këtij misioni është i shumëfishtë.
“Emri i karvanit është ‘Vëllazëria nuk njeh kufij’. Qëllimi është që miqësinë ta vëmë në plan të parë, që Ballkanin dhe Anadollin, islamin dhe miqësinë ta bashkojmë. Në këto sofra të iftarit, bashkohen të pasurit dhe të varfrit që së bashku ta shijojnë shijen e kësaj bukurie të Anadollit dhe këto projekte, mendoj se forcojnë miqësinë” tha Damka dhe shtoi se ky projekt nuk e ka për qëllim që të promovojë vëllazërinë dhe miqësinë vetëm brenda muajit të Ramazanit por t’i afrojë dhe bashkojë popujt e Ballkanit dhe Turqisë, si dhe të ris bashkëpunim e tyre gjatë tërë vitit.
Lytfi efendi Ballëku, myftiu i Bashkësisë Islame në Prizren, ishte shumë i lumtur për atmosferën e bukur e cila mbretëronte në Prizren dhe ndjenjën e posaçme të krijuar në këtë ditë të Ramazanit, nga “Karvani i Bereqetit “.
“Si çdo vjet ashtu edhe sivjet, Bajramapsha së bashku me komunë n e Prizrenit së bashku, punojnë në këtë projekt. Ne si Bashkësi Islame bëjmë gjithë atë që ka nevojë për të mbështetur këtë projekt dhe nuk kursehemi, dhe fal zotit jemi shumë të lumtur që jemi së bashku” tha efendi Ballëku
Karvani i komunës së Stambollit, Bajrampasha i cili sonte shtroi iftar për rreth 2000 persona, krijoi një atmosferë të bukur në qendër të Prizrenit dhe kjo atmosferë do të mbetet në kujtim të bukur për të gjithë që ishin pjesë e saj.
Përveç iftarit , sonte në Prizren është organizuar edhe programi kulturor me leximin e pjesëve nga Kur’an-i dhe janë kënduar edhe ilahije.
Ndërkohë, siç bëri të ditur kryetari i komunës Bajrampasha, Atilla Aydiner, Karvani i Bereqetit nesër vazhdon për në Shqipëri ku, të hënën do të shtrohet iftari në Tiranë dhe pastaj edhe në qytetin e Korçës.
Paraprakisht, “Karvani i Bererqetit” ka vizituar qytetet në Bosnje e Hercegovinë, pastaj Malin e Zi dhe tani është në Kosovë. Rrugëtimin e vet do ta vazhdojë nëpër Shqipëri dhe Maqedoni.