Kabineti i zëvendëskryeministrit Bujar Bukoshi, nga e hëna është hequr nga lista e pagave e Qeverisë së Kosovës. Pesë persona të cilët përbënin stafin e kabinetit të Bukoshit, janë liruar nga detyra dhe, sipas sekretarit të përgjithshëm të Zyrës së Kryeministrit, Fitim Krasniqi, kjo do të zgjasë deri në marrjen e ndonjë vendimi lidhur me Bukoshin, i cili po akuzohet së bashku me 10 ish-zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Shëndetësisë për disa vepra penale që kanë të bëjnë me shpërdorim të pozitës zyrtare derisa ishte në krye të kësaj Ministrie.
“Nga dita e djeshme (e hënë) ata nuk janë në listën e pagave. Përderisa është vendimi për lirim nga detyra për zotëri Bukoshin, ky vendim vlen edhe për ata. Ata nuk janë duke vazhduar punën, janë staf politik dhe derisa të sqarohen këto procedura dhe derisa të shfuqizohet vendimi që ka marrë kryeministri ata do të jenë të liruar”, ka bërë të ditur Krasniqi, raporton ‘Koha Ditore”.
Ndërsa Bersant Beka, këshilltar politik i Bukoshit ka thënë se lirimi i tij dhe pesë kolegëve të tij, është procedurë dhe rregull që e ka vendosur Zyra e kryeministrit.
“S’kam asnjë koment qysh ka shkuar kjo. Janë procedurat, rregullat e Zyrës së Kryeministrit. Ne pajtohemi me këto”, ka thënë Beka.
Ndërsa me pjesën tjetër të kabinetit të Bukoshit, që përbëhet nga Betina Hasi, Merita Gashi, Atdhe Gashi si dhe Arbnora Ymeri, gazeta nuk ka arritur të kontaktojë.
Bujar Bukoshi gjatë të hënës ka dhënë deklaratën e tij në seancën për konfirmimin e aktakuzës para gjyqtares së EULEX-it, Mariola Pasnik, duke e vlerësuar aktakuzën ndaj tij si të paqëndrueshme dhe kundërkushtetuese.
Aktakuza e Prokurorisë së EULEX-it, e cila përfshin ish-ministrin e Shëndetësisë, Bujar Bukoshi, ish-sekretarin e përhershëm të kësaj Ministrie, Ilir Tolaj, dhe 9 ish-zyrtarë të lartë të kësaj ministrie nxjerr në pah shpërdorimet e pozitave të të lartcekurve me fushatë kundër kompanisë farmaceutike “Jona Med”. Sipas aktakuzës, Ilir Tolaj kishte shfrytëzuar pozitën e tij prej këshilltarit personal të ish-ministrit të Shëndetësisë Bujar Bukoshi për të ndikuar në mosnënshkrimin e tij që kontrata me “Jona Med-in të mos vazhdohej. Sipas kësaj aktakuze, Ilir Tolaj dhe Bujar Bukoshi kanë shpërdorur pozitat e tyre zyrtare në qershor të vitit 2010.
Bukoshi është zgjedhur zëvendëskryeministër në zgjedhjet e fundit, ndërkaq në krye të Ministrisë së Shëndetësisë ka qëndruar për gjashtë muaj në periudhën mars – tetor të vitit 2010.kohaislame