Daut Dauti
Srebrenica është vendi i tmerrit ku njeriu pushoi të ishte njeri. Aty forcat serbe, të udhëhequra nga krimineli i quajtur Ratko Mladiq, kanë dëshmuar aftësitë e tyre barbare për të vrarë e masakruar të paarmatosurit, të pafajshmit brenda një kohe të shkurtër dhe vetëm për arsye se viktimat nuk ishin soj i tyre. Kur në vitin 1995 u dha lajmi për këtë masakër, pyetja që ia kam bërë vehtes ka qenë: si është e mundur që brenda pak ditëve të ekzekutohen mbi 8000 veta?
Në vitin 2005, me rastin e shënimit të 10 vjetorit të gjenocidit, kam qenë në Srebrenicë. Unë isha zyrtarisht dhe përfaqësoja qeverinë e atëhershme të Kosovës. Mua më ra të përfaqësoja Kosovën pasi që askush nga zyrtarët e lartë të qeverisë nuk e pa të arsyeshme të merrte pjesë në ceremoni. Me siguri kjo ngjarje – tragjedia më e madhe pas Luftës së Dytë dhe e klasifikuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë si gjenocid – prijësve të Kosovës nuk u dukej e rëndësishme edhe pse fati ynë nuk ishte shumë ndryshe nga ai i boshnjakëve.
Atëbotë në Srebrenicë erdhën mijëra njerëz që përfaqësonin qindra delegacione dhe media nga tërë bota. Në mesin e tyre edhe i ndjeri Richard Holbrook, i cili përfaqësoi SHBA-të. Nga Serbia erdhi edhe kryetari i atëhershëm Boris Tadiq, i cili u përkul para varreve por nuk kërkoi falje. Megjithatë, Tadiqi, të cilin nuk e kisha larg nga ku ishim vendosur sipas protokollit, e shihja se nuk ndjehej mirë gjatë ceremonisë dhe gjatë momentit kur erdhën diku rreth 800 arkivole me eshtra për t’u lëshuar në po aq varre që ishin hapur dhe para të cilave derdhnin lot gratë boshnjake.
Srebrenica gjatë një nate dhe dy ditëve të korrikut të atëhershëm (2005) ishte mbushur me të huaj. Megjithatë, qyteti nuk mund t’i fshihte gjurmët e tmerrit që kishte përjetuar para një dekade. Serbët, që dikur ishin pakicë, tashti ia kishin dalë të bëheshin shumicë. Shtëpitë e banuara me boshnjakë (myslimanë) mund të numëroheshin vetëm me gishtat e një dore. Në njërën nga këto shtëpi bujta edhe unë. Aty dëgjova rrëfimet që do t’i tmerronin edhe skeptikët më të mëdhenj të kësaj bote.
Në qytet shiheshin përfaqësuesit e delegacioneve me fytyra të brengosura që kishin ardhur për të shënuar përvjetorin e dhjetë të gjenocidit. Serbët në qytet, nëpër lokale dhe shtëpitë e tyre, festonin. Turbo-folk muzika e tyre “patriotike” dhe luftënxitëse ishte më shumë se irrituese. Ata e festonin krimin që kishin bërë dhe kjo i tmerronte më shumë të huajt që ishin aty për t’u solidarizuar me viktimat.
Ende i kam në kujtesë gërvalljet e tyre “patriotike” dhe ngërdheshjet që i bënin në shenjë triumfi para nesh. Në veshët e mi ende vjen zhurma që lëshonin motorët që zbraznin ujin nga qindra varre që ishin mbushur nga shiu i një nate më parë. Pamja e fushës së blertë në Potocari, me mijëra varre të njëjta, të një ngjyre dhe madhësie që shënonin fatin e njëjtë tragjik, vdekjen e një dite, ende qëndron para syve të mi.
Sipas të gjitha gjasave, edhe sot, pas 14 viteve të përjetimeve të mija, dhe 24 vite nga gjenocidi, situata është e njëjtë. Srebrenica me siguri vërshohet sërish nga delegacionet e huaja. Në Srebrenicë hapen ende varre, dëgjohet vajtimi i nënave boshnjake, kurse serbët ende e festojnë me mburrje gjenocidin që e kanë kryer me kënaqësi.