5.2 C
Pristina
Sunday, December 29, 2024

Srebrenica e keqkuptuar e kryeministres serbe

Më të lexuarat

Sot mbushen 24 vjet nga masakra më e madhe në Evropë, ajo e Srebrenicës në Sarajevë. 24 vjet dhimbje dhe mungesë në vatrat e familjarëve të viktimave. 24 vjet drejtësi e munguar për këtë plagë të thellë në zemrën e kontinentit të vjetër, që thirret me gjithëfar emrash, përveçse me emrin e saj të vërtetë.

Asnjë popull në Evropë nuk e ndjen më fort se ne shqiptarët këtë dhimbje, sepse ne ndajmë të njëjtën plagë dhe të njëjtën padrejtësi me popullin boshnjak.

Politika serbe vazhdon të mos e njohë si gjenocid masakrën e Srebrenicës, e sikur të mos mjaftonte kjo e veshin atë me terma që do të fyenin të gjallë e të vdekur.

Kryeministrja serbe Ana Brnabic tha se nuk do të shkonte në Srebrenicë, pasi sipas saj, ‘duhet të mos u kthehemi më keqkuptimeve të së shkuarës’.

Mbase për kryeministren serbe vrasjet, torturat, përdhunimet, varret masive, masakrat e mijëra burra, grave dhe të rinjve janë një keqkuptim, por fjalori njeh një term tjetër për këtë rast, dhe ai quhet gjenocid.

Sipas Fjalorit të Oxfordit, gjenocid do të thotë “vrasje e qëllimshme e një grupi të madh njerëzish, veçanërisht ata të një kombi të caktuar ose grupi etnik”.

Kjo është pikërisht ajo çfarë ndodhi në Srebrenicë. Atëhere çfarë nënkupton Brnabic me fjalën ‘keqkuptim’ kur i referohet vrasjes së mijëra njerëzve?

Në një intervistë të vitit 2015 ajo shprehej se refuzonte t’i quante gjenocid vrasjet në masë që kishin ndodhur në Srebrenicë, pasi nuk ishte vrarë e gjithë popullsia, por vetëm një pjesë e saj.

Brnabiç tha shprehimisht se: “Gjenocid është kur ti vret të gjithë popullsinë, gratë, fëmijët, por nuk është kjo ajo që ndodhi në këtë rast”.

Pra, vrasja e mbi 8 mijë burrave, djemve dhe grave boshnjake të moshës 12 deri 77 vjeç më 11 korrik 1995 janë një keqkuptim për Brnabic.

Sipas saj, që kjo masakër të quhej gjenocid, ushtria dhe paramilitarët serb duhet të mos kishin lënë frymë të gjallë në gjithë Srebrenicën. Një mendim aspak ortodoks ky nga ana e Brnabic.

Të njëjtin mendim ajo ndan edhe për Kosovën ku vetëm 4 vjet pas Srebrenicës nisën masakrat, torturat dhe vrasjet në masë. Nëse nuk do të kishte qenë për ndërhyrjen e ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe forcave të NATO-s, sot kryeministrja serbe nuk do të kishte asnjë keqkuptim për këtë rast.

Me këtë qëndrim ajo dhe cilido politikan serb i vret për së dyti 8 mijë burrat, gratë dhe të rinjtë, varret e një pjese të të cilëve nuk dihen akoma as sot e kësaj dite.

Me mohimin e terrorit serb në Kosovë dhe mosnjohjen e kësaj të fundit si shtet, ata vetëm sa kryejnë një terror të një forme tjetër mbi shqiptarët e Kosovës që i kanë akoma të hapura plagët.

Masakra e Srebrenicës është një gjenocid. Kosova është një shtet i lirë dhe i pavarur, i fituar me çmimin e shtrenjtë të gjakut të mijëra njerëzve të pafajshëm.

Nuk ka kurrëfar keqkuptimi këtu. Nuk ka kurrëfar ‘provokacja’ në këto dy të vërteta të mëdha. Ato janë pjesë e historisë së këtyre dy vendeve. Rruga e bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit nis duke njohur historinë e tyre, jo duke e mohuar dhe rishkruar atë sipas oreksit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit