Kohëve të fundit, në rrjetin botëror të internetit, janë shpërndarë programe që japin mundësinë të kuptojmë se kush na e ka bllokuar komunikimin ose na ka fshirë emrin nga lista e adresave personale në Hotmail apo adresa të tjera të internetit. Ne, si muslimanë, patjetër duhet t’u përmbahemi normave sheriatike (fetare) dhe t’i kemi parasysh programet të cilat janë në kundërshtim me fenë tonë. Programet e këtilla nuk duhet të përdoren nga muslimanët për këto aspekte:
1. Hapja dhe përdorimi i këtyre programeve konsiderohet spiunim, futje në sekrete e privatësi të tjerëve, veprim i cili na është ndaluar në Kuran. Allahu i Lartësuar thotë:
“Mos e spiunoni dhe mos e përgojoni njëri-tjetrin! Mos vallë dëshiron ndokush prej jush të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur?!” (Huxhurat, 12)
Këto programe ofrojnë mundësinë që të futemi në të dhënat e njerëzve me të cilët kemi kontakt në rrjetin e internetit dhe kështu mund të arrijmë te informatat private të tyre.
2. Këto programe nxisin urrejtje, mërzi e ligësi mes njerëzve dhe këto gjëra lindin hidhërim e pikëllim mes dy miqve. Ne jemi të urdhëruar që të rregullojmë raportet e ndërsjella, t’i bashkojmë zemrat në punë të mira dhe sjellje të njerëzishme. Allahu i Lartësuar thotë: “S’ka kurrfarë të mire në shumë prej bisedave të tyre të fshehta, përveç rastit kur ndokush kërkon që të jepet sadaka ose të kryhet një vepër e mirë apo paqësim ndërmjet njerëzve. Atij që e bën këtë për të fituar kënaqësinë e Allahut, Ne do t’i japim një shpërblim të madh.” (Nisa, 114)
3. Programet e tilla i çojnë njerëzit të krijojnë mendime e opinione të këqija për të tjerët dhe dyshime. Kjo ndodh kur dikush e heq dikë nga lista e adresave ose e bllokon emrin, atëherë kur tjetri e kupton këtë, fillon të paragjykoj se është i padëshiruar për të meqë ai nuk do që të mbajë kontakt me të dhe kështu me radhë. Allahu i Lartësuar e ka ndaluar këtë me ajet kuranor:
“O ju që keni besuar! Mënjanoni shumë dyshime, se, vërtet, disa dyshime janë gjynah. Mos e spiunoni dhe mos e përgojoni njëri-tjetrin! Mos vallë dëshiron ndokush prej jush të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur?! Sigurisht që ju do ta urrenit këtë! Kijeni frikë Allahun! Me të vërtetë, Allahu është pranues i pendimit dhe Mëshirëplotë.”
Prandaj, duke pasur parasysh këto që përmendëm, u bëjmë apel vëllezërve që të mos përfshihen në hapjen dhe përdorimin e programeve të këtilla.
Në dorë të Allahut është suksesi!
Husein Serraxh/klubikulturor/kohaislame