0.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Sprova e pushtetit | Ekonomia Islame

Më të lexuarat

Kjo botë është vend sprove për të gjithë njerëzit pa përjashtim, kudo që ata të gjenden dhe çfarëdo që ata të bëjnë. Njeriu do të sprovohet me pasurinë dhe varfërinë, me martesën dhe beqarinë, me fëmijët dhe prindërit, me të afërmit dhe miqtë, me shëndetin dhe sëmundjen, me rrugën dhe shtëpinë, me postin dhe punën, me gjithçka që ka kjo jetë në të. Kush mendon se mund t’i iki sprovave të Zotit në këtë botë, duke u përballur me diçka më të lehtë, thjesht gënjen veten.
Ka shumë njerëz që mendojnë se murgëria -dhe ajo është në shumë forma- është një nga tentativat e ikjes nga sprovat e kësaj bote joshëse në mëkat, duke ju përkushtuar vetëm adhurimit individual dhe duke menduar se kështu e plotësojnë më mirë hakun e Zotit, pa u sprovuar me dynjanë dhe gjynahet e saj. Por murgëria është një risi fetare që nuk është legjitimuar nga Zoti. Allahu na tregon në Kuran në suren el-Hadid ajeti 27 për të krishterët se ata stisën për veten e tyre murgërinë dhe ndonëse Ai nuk ua bëri atë obligim e megjithëse këtë bidat e bën vetë, për të fituar kënaqësinë e Allahut, ata përsëri nuk i dhanë asaj hakun me të cilën e obliguan vetveten. Ajeti përfundon duke treguar se shumë prej tyre janë njerëz të korruptuar moralisht. Ajo që tregon ky ajet, pa u ndalur në çështje të tjera të tij, është fakti se edhe nëse dikush tenton t’i ikë sprovave të kësaj bote me qëllimin e mirë për të ruajtur fenë dhe devocionin e tij ndaj Krijuesit, ai edhe aty do të sprovohet po njëlloj, e ndoshta edhe më shumë.
Kështu që njeriu duhet ta jetojë jetën ashtu siç i vjen dhe të përballet me të gjitha sprovat e saj, sepse edhe asketizmi ekstrem, siç është murgëria, ka sprovat e veta, të cilat nganjëherë mund të jenë më sfiduese dhe rrënuese sesa të tjerat, e njeriu kudo mund të korruptohet moralisht edhe pse vazhdon të mbetet asket apo murg.
Në anën tjetër kjo nuk do të thotë se njerëzit duhet ta fusin veten në çdo lloj sprove duke i kërkuar ato, por Islami kërkon nga ne të përballemi me sprovat ashtu siç na vijnë dhe na i sjell jeta, pa marrë arratinë prej tyre dhe pa i kërkuar vetë ato, por duke duruar ashtu siç na vijnë.
E kjo sigurisht që nuk do të thotë aspak -siç e keqkuptojnë shumë njerëz- se duke kryer disa obligime morale e fetare, siç është për shembull thënia publikisht e së vërtetës dhe së drejtës, besimtari e fut veten në telashe duke ja kërkuar vetes sprovën! Nëse do të ishte kështu atëherë nuk do të ngelej askush mes besimtarëve për t’i kryer disa obligime madhore të Zotit.
Kur Profeti i Allahut u urdhërua që të dilte haptazi me predikimin e tij, që atakonte besimin e gabuar të popullit të tij, ai për një moment hezitoi, sepse e dinte shumë mirë se ajo që ai do të thoshte do ta përballte me parinë e fisit të tij deri në ekstrem, dhe është njerëzore për çdo njeri që të hezitojë nga një veprim i cili i shkakton atij telashe me njerëzit e tij, e për më tepër me pushtetin, që ka shumë në dorë për të dëmtuar dikë. Por, Profeti nuk kishte mundësi zgjedhje, urdhri nga Allahu ishte i prerë dhe nuk kishte më kthim pas. Dhe i Dërguari i Allahut i hyri rrugës së vështirë dhe plot sprova të kumtimit të së vërtetës dhe e përballoi atë me ndihmën e të Lartësuarit në mënyrë të suksesshme, duke qenë sigurisht modeli më i mirë dhe shembull për ne, sesi duhet ta jetojmë këtë jetë në këtë botë.
Nëse do të përdornim disa kritere të gabuara, që përdornin disa besimtarë dhe shumë njerëz të tjerë, që nuk e njohin dhe kuptojnë fenë, do të thoshim se pse duhet t’i hapim telashe vetes duke folur dhe kërkuar sprovat e rënda të përballjes, kur jemi rehat dhe Zoti nuk na ka sprovuar me këtë gjë?! Por, ndërkohë të tillë njerëz harrojnë apo nuk e kuptojnë se me këtë qëndrim ata kanë rënë në një tjetër sprovë dhe telash edhe më të madh, atë të mos bërjes së detyrës që u takon. Kjo të kujton atë që na përmend Allahu në Kuran në suren et-Teube, kur na tregon për njerëz, të cilët i kërkonin leje Profetit të mos merrnin pjesë në luftë, me pretekstin se nuk donin të vinin në sprovë moralin dhe fenë e tyre, duke u përballur me sprovën e tundimit të bukurisë së grave bizantine! Dhe Allahu i përgjigjet këtij justifikimi duke u thënë se pikërisht me këtë kërkesë ata kanë rënë në sprovë.
Kështu që të gjitha sprovat janë për njeriun edhe pse sigurisht ato nuk janë të njëjta, por robi nuk mund të zgjedh se me cilën do të përballet dhe me cilën jo, cilës mund t’i ikë dhe cilën mund ta pres me durim.
Në këtë rend sprovash hyn edhe sprova e pushtetit, qoftë marrja e tij qoftë përballja me të. Kjo sprovë nuk është më e veçanta e sprovave dhe mos përballja me të është suksesi më i madh nëse shmanget apo kapërcehet. Ajo është sprovë si gjithë të tjerat që një pjesë e njerëzve patjetër që do ta kalojnë. Dhe fakti se është e pamundur që shumica të sprovohen me të, për vetë hapësirën e kufizuar të saj, nuk e bën aspak këtë sprovë më të madhen e sprovave, përkundrazi ka shpesh sprova edhe më të mëdha sesa kjo, e që askush nuk i ikën dot, ndaj justifikimi për t’iu shmangur sprovës së pushtetit me dështimin e shumë njerëzve në të, nuk ka asnjë dallim nga fakti se shumica e njerëzve dështojnë edhe në sprovat e tjetra të jetës së përditshme, që nuk kanë lidhje fare me sprovën e pushtetit. Atëherë pse iu dashka ikur kësaj sprove dhe të tjerave jo?! Është më e ndershme të pranosh të vërtetën dhe të sinqertën që të thotë zemra, sesa të gënjesh veten me arsyetime fetare, si dhelpra me rrushin, në fabulën e njohur të Ezopit.

Të përballesh me elitat e cilido pushtet, për të kumtuar të vërtetën dhe të drejtën, nuk do të thotë se kjo bëhet patjetër nga dëshira për famë dhe pushtet, por edhe për të përmbushur një detyrim moral dhe fetar. E po ashtu, t’i ikësh këtij obligimi nuk do të thotë se kjo bëhet patjetër nga mungesa e dëshirës për pushtet, por edhe për shkak të frikës nga pasojat e përballjes dhe ruajtjes së rehatisë personale. Nijeti në zemër është ai që bën së pari dallimin mes njerëzve dhe sigurisht edhe faktorë të tjerë më pas. Dhe nijetin e njerëzve dhe sinqeritetin e tyre e di vetëm Krijuesi i tyre.

Hoxhe Justinian Topulli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit