2.3 C
Pristina
Tuesday, November 5, 2024

S’po mundem të pajtohem me fatin

Më të lexuarat

Pyetja:

Zoti qoftë gjithmonë me ju dhe ju shpërbleftë me të mirat që po bëni.
Kam një hall shumë të madh dhe s’po mundem të pajtohem me fatin. Para dy vjetësh jam njohur me një djalë i cili ishte besimtar shumë i madh i fesë dhe i falte pesë vaktet.
Pas një kohe shumë të shkurtër vendosi që të vinte tek familja ime dhe të bisedonte me ta, me babanë tim, i cili po ashtu i fal pesë vaktet dhe është shtatëdhjetëvjeçar.
Unë kam qenë shumë e sinqertë me të . Përpara s’kam pasur lidhje tjetër, ai e dinte këtë, mirëpo filloi që për çdo gjë të gënjente, nuk fliste asnjëherë të vërtetën. Kur jam lidhur me të, më është betuar në Zot se është shumë i sinqertë me mua. Unë i kam besuar për çdo gjë, kam menduar të lidh jetën me të e më pas kemi planifikuar edhe fejesën. Mirëpo ai s’ishte i sinqertë, një ditë më tha që s’mundemi më të jemi bashkë. E luta të ma tregonte arsyen pse, por nuk m’u përgjigj. Filluan familja ime të më pyesnin për shpjegime, por nuk kisha çfarë t’ju thosha, e ndieja veten fajtore para tyre.
Pas një muaji filloi prapë të më thërriste e unë mendova dhe vendosa t’ia fal gabimin e parë. Thashë me vete se ndoshta ka gabuar dhe si besimtare që jam e fala. Mirëpo pas një muaji më thirri në telefon dhe më tha se po fejohem me një tjetër e sa i përket ty dhe familjes tënde, s’ka ç’ju intereson më për mua.
Ju lutemi më tregoni se sa ka të drejtë një besimtar që shkon në xhami të lëndojë një njeri që s’ka faje. Si mundet ta thyejë besën e Zotit një njeri i cili është betuar përpara një njeriu? Ai edhe vëllanë e kishte hoxhë.
S’po mundem të pajtohem me këtë fakt edhe pse jam besimtare shumë e fortë, s’po mundem të besoj që mundet një njeri të bëjë kësi gjërash.
Ju lutemi më ndihmoni se çfarë të bëj. E di që familja ime më kanë falur, mirëpo për çdo çast e di që e mallkojnë, edhe pse e ndiej veten shumë fajtore pse jam lidhur me të, pse e kam lënduar edhe veten edhe familjen time, por thjesht kam menduar se është njeri i Zotit, i cili e respekton fenë dhe Zotin.
Faleminderit. Zoti jua shpërbleftë me të mira!

Përgjigjja:

Alejkum selam ue rahmetullahi ue berekatuhu!

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Motër, kjo është si rezultat i mosnënshtirimit tënd ndaj urdhrave të Allahut xh.sh., sepse Allahu xh.sh e ka ndaluar që të kalojnë meshkujt me femrat. Allahu xh.sh. ka thënë: “Dhe mos ju afroni amoralitetit”.
Kurse Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Dy sytë bëjnë amoralitet dhe amoraliteti i syve është shikimi, duart bëjnë amoralitet dhe amoraliteti i duarve është prekja.” (Muslimi)

Na është ndaluar neve të shikojmë apo të prekim gjinitë e ndryshme. Gjithashtu Islami e ka ndaluar edhe të shikojmë gjinitë e ndryshme. Allahu xh.sh. i ka urdhëruar meshkujt që të ulin shikimin e tyre: “Thuaju besimtarëve të ndalin shikimet (prej haramit), t’i ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre” (En-Nur 30) Gjithashtu i ka urdhëruar femrat të ulin shikimin e tyre: “Thuaju edhe besimtareve të ndalin shikimet e tyre, t’i ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre, të mos zbulojnë stolitë e tyre përveç atyre që janë të dukshme, le të venë shamitë mbi kraharorin e tyre dhe të mos ua tregojnë bukuritë e tyre askujt” (En-Nur 31), dhe kjo nënkupton se shikimi është një shtytje për amoraliet.

Pastaj Allahu xh.sh. na ka ndaluar edhe të vetmohemi me gjini të ndryshme. Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Mos të vetmohet një mashkull me një femër përveç nëse ajo ka një mahrem me vete.” Buhariu dhe Muslimi.
Kur Allahu xh.sh na ka ndaluar që të prekim dorën apo trupin e gjinisë të ndryshme, po ashtu na ka ndaluar të vetmohemi me ta dhe na ka obliguar të ulim shikimin. E si motër pas të gjitha këtyre argumenteve një mulsiman, siç thua ti për atë djalin, se ka qenë musliman i mirë, si ka mundësi që një musliman i mirë të pranojë të kalojë me një femër? Po ashtu, edhe ti oj motër muslimane, si të pranosh t’i bësh mëkat Allahut xh.sh. duke kaluar me një djalë pa u martuar me të?!

Kjo çka të ka ndodhur motër është për shkak të mëkateve të tua, sepse Allahu xh.sh. nuk e ndalon asnjë send pa arsye apo ndonjë urtësi dhe kjo është një ndër urtësitë e Allahut se pse e ka ndaluar që të kalojnë meshkujt me femra.

Së fundi motër, të këshilloj që të pendohesh te Allahu xh.sh. nga kjo vepër dhe mos të kalosh me askënd. Martohu ashtu siç na ka obliguar Allahu xh.sh. dhe këtu do ta gjesh lumturinë, sepse lumturia nuk gjendet në aventura dhe harame.

Eroll Nesimi
26.7.2009

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit