Pas tentim vrasjes së ambasadorit të Arabisë Saudite dhe mbështetja maksimale që po i bëhet Bashar Asadit…
Në një raport të fundit të Pentagonit vlerësohet se agjencia e iraniane e inteligjencës ka fuqizuar dhe ashpërsuar aktivitetin e saj ndërkombëtar përgjatë vitit 2012.
Atentate me bombë ndaj objektivave të përcaktuara më parë, akte terroriste dhe sulme kibernetike. Këto tre kanë qenë teknikat kryesore të përdorura nga “spiunët” iranianë anembanë botës përgjatë vitit që lamë pas.
Sipas raporti, Ministria e Inteligjencës dhe e Sigurisë në Iran numëron rreth 30 mijë anëtarë, konsiderohet si një ndër shërbimet më të mëdha, më aktivë dhe më të ashpërit në mbarë botën.
Ruel Marc Gerecht, një ish-agjent i CIA-s thotë për CNN se agjentët iranianë përfaqësojnë një rrezikshmëri të madhe për sigurinë e shumë vendeve botërore, sidomos përsa i takon sulmeve terroriste, apo asistencës që ato japin për këto sulme.
Sipas ish-agjentit, shërbimi sekret iranian prej dekadash ka punuar në bashkëpunim me organizata të tjera terroriste për të ngritur rrjete terroriste sidomos në Europë dhe SHBA dhe për t’i përdorur ato për të realizuar qëllime të vetat.
Shërbimeve sekrete të Teheranit u është faturuar edhe vrasja e Shapour Bakhtiar, kryeministri i fundit i regjimit të shahut të rrëzuar në vitin 1979 nga revolucioni islamik. Bakhtiar u vra në vitin 1991 në Paris.
Në raportin e Pentagonit përmendet njësia “Qud” e krijuar nga Ministria e Inteligjencës dhe e Sigurisë në Iran, njësi kjo e përbërë nga vrasës elitë dhe pjesë e Gardës Revolucionare që mendohet se vepron aktualisht në Siri në mbështetje të presidentit Bashar al-Assad.
Kongresmeni amerikan, Peter King, anëtar i Komisionit të Brendshëm të Sigurisë në Kongres, deklaroi se në gjirin e delegacionit iranian në Selinë e Kombeve të Bashkuara ka shumë agjentë sekretë.
Deklaratat e kongresmenit King u bënë pas zbardhjes së planit për vrasjen e ambasadorit të Arabisë Saudite në Shtetet e Bashkuara. Plani u zbulua dhe në pranga përfunduan dy shtetas iranianë. Njëri prej tyre, një iraniano-amerikan pranoi akuzat dhe rrëfeu se kishte punuar me ushtarakë dhe agjentë iranianë për të përmbushur misionin.
Kongresmeni King deklaron se po të ishte për të, do të kishte dëbuar të gjithë delegacionin diplomatik iranian në Shtetet e Bashkuara. Por Teherani mohon akuzat e Uashingtonit dhe i cilëson ato si pjesë e propagandës perëndimore kundër tij.