Bashkësitë Islame Shqiptare të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, respektivisht, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë (KMSH), Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë (BFIM), Bashkësia Islame e Malit të Zi, ajo e Luginës së Preshevës, si dhe përfaqësues nga komunitetet myslimane shqiptare të diasporës nga SHBA, Belgjika, Zvicra, Gjermania etj., me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë dhe në kuadër të përkujtimit të figurave historike, që luajtën një rol të jashtëzakonshëm në shpalljen e pavarësisë dhe në ndërtimin e identitetit tonë kombëtar, më dt. 28-29 Shtator 2012, organizojnë konferencën shkencore dyditore mbarëshqiptare “Kontributi i prijësve myslimanë në formësimin e vetëdijes dhe identitetit tonë kombëtar”.
Referuesit e kësaj konference do të jenë 34 studiues, akademikë dhe pedagogë të shquar të katedrave të universiteteve më të njohura të trevave shqiptare. Në këtë konferencë, do të jetë i pranishëm edhe Kryeministri i Shqipërisë Prof. Dr. Sali Berisha, si dhe zyrtarë të lartë të Kosovës dhe Maqedonisë, si dhe personalitete të tjera të larta të politikës, kulturës, artit dhe shkencave nga të gjitha trevat shqiptare, si dhe nga diaspora.
Liria e fesë është më e vjetra ndër të drejtat e njeriut të njohura ndërkombëtarisht. Çdo ditë e më shumë po vërtetohet fakti se jeta fetare nuk venitet. Argumenti më i fuqishëm për ta mbrojtur atë është se liria e ndërgjegjes, feja dhe besimi mbështeten në thelbin e dinjitetit njerëzor. Periudhat e rëndësishme të historisë së kombit tonë, dëshmuan se ekzistenca e besimit fetar, jo vetëm që nuk u bë pengesë për përballimin e situatave të vështira të asaj kohe, por u bë faktor i domosdoshëm për ruajtjen e pavarësisë dhe forcimin e shtetit.
Shqipëria përgjatë historisë së saj ka qenë një shembull se si njerëzit e fesë kanë ditur të zgjidhin saktë marrëdhëniet e besimit me kombin.
Konferenca do të zhvillojë sesionin e hapjes në Hotel Tirana International më 28 shtator 2012 ora 10:00-11:00 dhe më pas do të vazhdojë me shtatë sesione shkencore në ambientet e Universitetit Bedër më 28 dhe 29 shtator 2012.
/Drita Islame/kohaislame